1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shenjat e krizës në Shqipëri

Aida Cama19 Mars 2009

Për ekspertët vendas në fushën e ekonomisë kriza globale, që ka përfshirë BE dhe vendet e zhvilluara të botës, po shfaq shenjat e saj edhe në Shqipëri.

Kafe në Tiranë
Kafe në TiranëFotografi: Mimoza Dhima

Ilir Ciko, një nga ekspertët më të njohur në këtë fushë, konsideron rënien e volumit të tregtisë së jashtme, që Shqipëria zhvillon me vendet e BE, si një nga treguesit domethënës të përfshirjes në krizë. Volumi i saj, në kushte normale, pa filluar kriza globale, arrinte në 40 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto kurse tani po tregon prirje për një ulje të ndjeshme të saj.

"Shqipëria zhvillon me vendete BE, rreth 67 përqind të tregtisë së saj të jashtme, sidomos me Italinë, që është edhe partneri kryesor. Një orientim i tillë drejt BE-së ka qenë mjaft pozitiv pasi ka ndihmuar në zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Por tani që BE po kalon një krizë të plotë ekonomik edhe industriale, kjo lidhje e fortë me BE ndikon edhe për Shqipërinë," thotë Ilir Ciko.


Avantazhet që ka gëzuar Shqipëria duke patur si partner kryesor tregëtar vendet e BE, në kushtet e krizës kthehen në disavantazhe.

"BE po ndjen krizën globale që ka përfshirë të gjitha vendet e zhvilluara. Rritja ekonomike për vitin 2009 për të gjithë BE parashikohet të jetë - 2 përqind pra nuk flitet për rritje por vetëm për rënie. Me vendet që ne kemi tregtinë më të zhvilluar, si me Italinë, rënia ekonomike është edhe më e lartë, është - 2,5 përqind. Tregues i tjetër i rëndësishëm është edhe rënia e prodhimit industrial në Itali, që këtë vit do të arrijë në - 5 përqind. Eksportet dhe importet e Italisë për vitin 2009 do të kenë një ulje që mund të shkojë në minus 30 përqind, pra një e treta e tregtisë së jashtme të Italisë gjatë këtij viti do të reduktohet. Gjysma e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë bëhen me Italinë dhe përderisa ka një ndërvarje të drejtëpërdrejtë ekonomike të tillë, kjo do të ketë pasoja duke përçuar rënien në industritë përkatëse, të tekstilit dhe të prodhimit të këpucëve,"shpjegon Ilir Ciko.

Ndërkohë vendet e tjera të Ballkanit përjetojnë një situatë tjetër.

"Vendet e rajonit të Balklanit kanë një prirje tjetër. Ato zhvillojnë tregëtinë më shumë mes tyre se sa me vendet e BE-së. Bosnja, Serbia, Maqedonia e kanë nivelin e shkëmbimeve me BE-në sa gjysma e nivelit të tregtisë së tyre të jashtme. Kosova, psh e ka më pak se 40 përqind. Ka një disnivel tepër të madh nëse kjo tendencë krahasohet me Shqipërinë, që është një vend krejt i veçantë në këtë drejtim sepse është tërësisht e orientuar drejt BE. Nga pikëpamja tregtare mund të quhemi të integruar më mirë se cilido nga vendet e tjera të Ballkanit," thotë Ilir Ciko.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama