Shili: Nuk do te kete rregullim te pergjithshem te statusit per kosovaret me Duldung
18 Maj 2005Ministri gjerman i puneve të Brendshme Oto Shili, është kundër fushatave të legalizimit të personave me duldung. Në një takim të zhvilluar me korrespondentët e jashtëm në Berlin, Shili tha se në konferencën e ardhshme të Ministrave të Brendshëm të Landeve, qe do te zhvillohet me 24 qershor nuk do të ketë një rregullim të përgjitshëm të statusit. Edhe pas fushatës së madhe legalizuese që ndërmori kohë më parë Spanja, ministri socialdemokrat Shili, vazhdon të mos lëkundet në vendimin e tij kundër fushatave legalizuese në Gjermani:
Shili: Sipas bindjes sime, nuk kemi pse të ndërmarrim legalizime në Gjermani. Sepse për çfarë i kemi ligjet. Vetëm fakti, që dikush ka arritur të qendrojë këtu 15 vjet në ilegalitet, nuk është për mua shkak, që atij t'i jepet e drejta e qendrimit" - iu përgjigj Shili, pyetjes përkatëse të Dojçe Veles.
Sa i përket fushatës së legalizimit të Spanjës, prej nga përfituan 700 mijë puntorë ilegalë, Shili shprehu pakënaqesinë, që qeveria spanjolle e mori këtë vendim, pa u konsultuar më parë me kolegët gjermanë.
Shili: "Do ta kisha përshedetur, sikur qeveria spanjolle fillimisht të kishte biseduar me ne. Tani, ajo që ka vendosur duhet respektuar. Ministri i brendshëm spanjoll ma konfirmoi, që këta persona do të kenë leje pune të vlefshme vetëm brenda kufijve spanjollë. Por në se në fund të fundit, do të jetë me të vërtetë kështu, pasi ata do të kenë të drejtë të lëvizin brenda hapësirës Shengen, këtë do ta shohim."
Per afro 200-300 mijë personat që janë me Duldung, prej të cilëve 60 mijë janë nga Kosova, Shili thotë se ata nuk janë refugjatë, pasi nuk përndiqen në vendet e tyre. Një mundësi që është hapur nga ligji i ri i migracionit është, që ndryshe nga më parë, të drejtë qendrimi do të kenë ata persona, që për arësye objektive nuk mund të kthehen në vendet e tyre. Por Shili thekson:
Shili: "Ky rregull nuk përfshin ata, që kanë pasur mundësi të largohen, por që e kanë penguar vetë. Ata nuk kanë për të përfituar nga kjo. Dhe kjo më duket më se konsekuente."
Shkak objektiv është kur në atdhe për shembull po zhvillohet luftë. Kjo do të thotë, që kosovarët këtu mund të përfitojnë vetëm në raste individuale. Për përfitim për shkaqe humanitare mbetet Komisioni i rasteve të jashtëzakonshme, i cili trajton secilën familje më vete. Kërkesat e shprehura kohët e fundit nga Partia e Gjelbër dhe organizatat e refugjatëve për t'u dhënë një status qendrimi familjeve që kanë vite të tëra me Duldung, Shili i quan iluzioniste.