1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkatërrohet përfundimisht banda shqiptare e kokainës

17 Shtator 2020

Një hetim 5-vjeçar i udhëhequr nga Italia kulmoi këtë javë në 20 arrestime dhe paraburgime në të gjithë Evropën. Katër tonë kokainë dhe 5 milionë euro në dorë janë kapur gjatë arrestimeve.

Polizei untersucht Kokainfund im Labor
Fotografi: picture-alliance/AFP Creative/E. Benavides

Një operacion i pashembullt ndërkombëtar që përfshin autoritetet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit në 10 vende ka rezultuar në shkatërrimin e plotë të grupit kriminal-KOMPANIA BELLO, e cila përbëhej nga shqipfolës, një nga rrjetet më aktive të trafikut të kokainës në Evropë, bëhet e ditur nga Europoli.

Në operacionin e zhvilluar më datën 15 shtator, sipas Europolit, janë arrestuar 20  persona shqiptarë në vende të ndryshme të botës: në Itali (5), Holandë (2), Gjermani (2), Greqi (2), Rumani (1), Hungari (1), Spanjë (1), Shqipëri (5) dhe në Dubai të Emierateve të Bashkuara Arabe (1).

Të arrestuarit dyshohen për trafik ndërkombëtar të substancave narkotike, mbajtje dhe shpërndarje të paligjshme të drogës dhe sulme brutale, përfshirë edhe vrasje. Këto arrestime vijojnë pas arrestimeve të 84 anëtarëve të tjerë të këtij grupi në Itali, Ekuador, Holandë, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani, bëhet e ditur më tej nga Europoli.

Hetimet zgjatën gjithsej 5 vjet dhe udhëhiqeshin nga Policia e Shtetit Italian (Polizia di Stato) nën drejtimin e Prokurorisë Publike të Firences, bëhet e ditur më tej nga Europoli. Në hetime veç Italisë morën pjesë edhe autoritetet e Holandës. Gjatë këtij hetimi shumë vjeçar janë kapur gjithsej 4 tonë kokainë dhe mbi 5.5 milionë euro në cash.

Një model i sofistikuar

Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin veçmas nga shitësit me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën nëpër rrugë. Por rrjeti i shqiptarëve e kishte rrëzuar këtë model dhe e kishte marrë vetë nën kontroll gjithë zinxhirin: që  nga rregullimi i dërgesave të mëdha nga Amerika e Jugut e deri te shpërndarja në të gjithë Evropën.

Duke përdorur mjete të sofistikuara të koduara komunikimi, kreu i organizatës - një shtetas shqiptar 40-vjeçar me banim në Ekuador - negocionte drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, organizonte dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Evropës dhe, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri, organizonte shpërndarjen në të gjithë Evropën. Kokaina kontrabandohej në Evropë, e fshehur në automjete, në të cilat ishin montuar enkas ndarje të fshehta të sofistikuara, njofton më tej Europoli.

Kriminelët i pastronin të ardhurat e tyre duke përdorur një sistem ilegal transfertash  me origjinë kineze, i njohur si sistemi Fei Ch'ien. Njerëzit që përdorin fei ch’ien depozitojnë një shumë në një "agjenci" të rrjetit në një vend. Një operator tjetër tërheq shumën ekuivalente diku tjetër në botë dhe ia jep marrësit. Duke mos lënë asnjë gjurmë provash, rrjeti besohet të ketë pastruar kështu miliona euro përmes këtij sistemi.

Një strategji e përbashkët

Operacioni i quajtur nga policia italiane, LOS BLANCOS, i koordinuar në nivelin ndërkombëtar nga Europol dhe Eurojust, kishte filluar në vitin 2015, njofton më tej Europol. Veç dy shteteve të përmendura më sipër, në të kanë marrë pjesë edhe Greqia, Hungaria, Rumania, Gjermania, Spanja, Britania e Madhe, Shqipëria dhe Emiratet e Dubait.(ash)