1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkencëtarët: Të dhëna të reja për ujë në Hënë

27 Tetor 2020

Me sa duket Hëna nuk është aq e thatë sa mendohej: Rezervat e ujit në satelitin e Tokës jo vetëm që mund t’i thjeshtojnë misionet e ardhshme për në Hënë, por edhe rrugën drejt Marsit.

Vollmond in Kanada
Fotografi: picture-alliance/R. Erwin

Për një kohë të gjatë Hëna konsiderohej si e thatë. Por shkencëtarët në provat e magmës, të sjella në Tokë prej astronautëve, zbuluan molekulat e ujit. Dy studime dëshmojnë tani, se me gjasë në Hënë ka më shumë ujë nga sa mendohej. Ka të dhëna si për molekula uji në sipërfaqen e Hënës, ashtu edhe në zona të saj, ku uji mund të jetë i konservuar në mënyrë të përhershme si akull, njoftojnë dy ekipe studiuesish në revistën „Nature Astronomy".

Shkencëtarët janë duke hulumtuar „ujëvarat e ngrira". Në studimin e parë shkencëtarët nën drejtimin e Casey Honniball nga Universiteti i Havait në Honolulu analizuan të dhënat nga stacioni hapësinor "Sofia". Gjatë hulumtimit të kraterit Calvius në jug të Hënës ata gjetën gjurmë të molekulave të ujit. Këto mund të jenë kryesisht të konservuara në kristale ose në të çarat shkëmbore të Hënës, mendojnë studiuesit. Në përgjithësi mendohet, që molekulat e ujit janë të konservuara më shumë në zonat polare sesa në rajonet e tjera, që ndodhen në afërsi të ekuatorit të Hënës.

Një mision zbarkimi në Hënë i programit të Indisë, IsroFotografi: AFP/ISRO

Në studimin e dytë një ekip shkencëtarësh nën drejtimin e Paul Hayne nga Universiteti i Colorados kanë hulumtuar krateret, të çarat shkëmbore si dhe sipërfaqet e vogla, në të cilat mund të ketë rezerva uji. Me të dhënat e sondës së NASA-s "Lunar Reconnaissance Orbiter" dhe modelet teorike ata kanë gjetur të ashtuquajturat „ujëvara të ngrira", pra zona që ndodhen në hije, e ku në të ftohtit e vazhdueshëm mund të jetë konservuar uji. Ndër to janë krahas kratereve të krijuara prej goditjeve edhe zona, ku rrezet e diellit janë të mbuluara. Sipas këtij studimi në Hënë mund të ketë një sipërfaqe rreth 40.000 kilometra katrorë që ndodhet vazhdimisht në hije, kjo sipërfaqe është dy herë më e madhe nga sa mendohej deri më sot. Teorikisht në këtë zonë mund të ketë ujë të ngrirë. Shumica e këtyre rajoneve ndodhet në rajonet polare të këtij trupi qiellor, 60 përqind të kësaj sipërfaqeje studiuesit e lokalizojnë në hemisferën jugore.

"Nëse përfytyron se ndodhesh në sipërfaqen e Hënës në afërsi të një poli, do të shikoje hije ngado", citohet Hayne në një njoftim të Universitetit të rij. „Shumë nga këto hije të vogla mund të jenë plot me akull." Si shembull për zonat më të mëdha me ujë studiuesit përmendin kraterin Shackleton në polin jugor, që është mbi katër kilometra i thellë dhe ka një diametër prej mbi 20 kilometrash.

Uji i Hënës për raketat e Marsit

Se nga vjen uji në Hënë, kjo nuk është e qartë. Studiuesi francez i hapësirës Francis Rocard nga qendra kërkimore CNES mendon, se uji mund të ketë mbërritur në Hënë prej goditjeve nga asteroidet. Molekulat e ujit kanë depërtuar në brendësi të sipërfaqes së Hënës, duke mbetur atje „të burgosura përjetësisht". Rezervat e ujit në Hënë do të ishin të rëndësishme për astronautët në misionet e ardhshme jo vetëm në satelitin e Tokës, por edhe në Mars. Nëse arrihet të përdoret uji në Hënë dhe ai mund të transportohej në mini-stacionin e planifikuar Lunar Gateway , atëherë misionet e tjera do të jenë shumë më të thjeshta dhe me kosto më të favorshme. Rocard tha, se mund të përdoren sonda, që ta marrin ujin nga Hëna e kësisoj me të mund të furnizohen raketat për në Mars.

 

 

 

 

mir/rb (dpa, afp, rtr)