210910 Pastior
23 Shtator 2010
Pak para vdekjes atij iu u ofrua nderi më i madh që ofron Gjermania për njerëzit e letrave - "Çmimi Büchner". Fjala është për Oskar Pastior. Pak para dhënies së çmimit, Oskar Pastior, poeti i njohur gjerman vdiq. Liriku Pastior ishte një virtuoz i gjuhës, nga kritika shpesh i ngritur lart për aftësitë e tij në lojën me gjuhën. Shkrimtarja nobeliste, Herta Müller e bëri poetin të njohur në të gjithë botën. Ajo përdori fragmente nga jeta e Oskar Pastior për romanin e saj poetik, të nderuar me çmimin Nobel 2009, "Shilarëse frymëmarrjeje".
Studiuesi Sienerth: Nuk i prisja dallgë të tilla
Gjermanisti Stefan Sienerth, i cili hulumtoi në dosjet e shërbimit sekret rumun dhe gjeti të dhënat për poetin Oskar Pastior thotë: "Për mua ishte e rëndësishme që të sqaroja një problematikë, unë doja të shkruaja një referat shkencor, pasi së bashku me kolegun tim, Peter Motzan kemi një projekt që i kushtohet shqyrtimit të dosjeve mbi shkrimtarët rumunë të ish-sigurimit të shtetit. Në kuadër të këtyrë hulumtimeve unë ndesha dosjen e Oskar Pastior, dhe shkrova mbi të si edhe për autorë të tjerë. Sigurisht, pasi Pastior është figura kryesore e romanit të të Herta Müllerit "Shilarëse frymëmarrjeje", u ngritën dallgë të tilla, të them të drejtën nuk e prisja këtë."
Studiuesi i letërsisë, Stefan Sienerth është habitur nga efekti mediatik i referatit të tij në revistën shkencore tremujore "Pasqyrime".
Pastior është kujdesur të mos dëmtojë askënd
Habinë e studiuesit mund ta kuptojë ai që ka lexuar referatin. Në të përmendet poeti Oskar Pastior, laureat i çmimit të njohur të letërsisë, "Büchner" i cili nën pseudonimin "Otto Stein" ka punuar si informator i shërbimit sekret rumun. Në bazë të hulumtimeve Pastior ka qenë një figurë e parëndësishme e "Securitate"-s, krahasuar me informator të tjerë dhe se gjithmonë "ka pasur kujdes në raportimet e tij të mos dëmtojë askënd."
"Për aspekte inkriminues mund të flitet vetëm në një rast. Bëhet fjalë për një studiuese të gjermanishtes nga Bukureshti, e cila është pyetur për miratimin e saj në çështjen e armatimit bërthamor të Bashkimit Sovjetik. Ajo e ka refuzuar këtë, ia ka thënë poetit personalisht, që ajo është kundër çdo lloj armatimi, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara apo Bashkimin Sovjetik. Këtë informacion Oskar Pastior e ka deleguar më tej. Studiuesja largohet nga Ministria e Pakicave ku punonte, por nga dosja nuk kuptohet nëse kjo është bërë si pasojë e informatës së dhënë nga Oskar Pastior."
Pse poeti nuk i rezistoi dot presionit të sigurimit
Se pse poeti Oskar Pastior nuk i rezistoi përpjekjeve të "Securitate"për ta bërë për vete, kjo kuptohet nga historia e jetës së tij. Në vitin 1949 ai kthehet nga deportimi i detyruar, pra pas pesë vitesh jetë e vështirë në kampet e Bashkimit Sovjetik ai kthehet më në fund në Rumani. Gjatë viteve të deportimit, ai ka mbajtur shënime për të mbajtur gjallë kujtesën, si edhe ka shkruar disa poezi. Këto ai i lexonte para miqve. Diku ka rrjedhur informacioni dhe shërbimi sekret ishte në dijeni të poezive të tij antisovjetike. Këto hapën rrugën që Oskar Pastiorit t'i bëhej shantazh.
"Ai ishte homoseksual, ka qenë në Rusi, ka jetuar nën presion të madh. Po qe se dikush vihet para alternativës: ose burg ose bashkëpuno me sigurimin, dhe burgu do të thoshte për të shtatë vjet, atëherë ai është ndodhur nën një presion kaq të madh, saqë me sa duket ka kapitulluar."
Rumania e ka nisur vonë shqyrtimin e dosjeve
Vetëm në dhjetorin e vitit të shkuar poeti i njohur rumun me origjinë gjermane dhe përkthyesi, Werner Söllner ka pranuar që ka qenë aktiv për sigurimin e shtetit në vitet 70-të. Një pohim i vonë ky, 20 vite pas revolucionit në Rumani. Në Rumani, duhet të kujtojmë, që shqyrtimi i informatorëve të sigurimit ka filluar më vonë se në Gjermani pas rënies së ish-Republikës Demokratike Gjermane.
"Përsa i përket përballimit me të shkuarën në aspektin e letërsisë dhe kulturës ne kemi mbërritur tani aty ku ka qenë ish-RDGJ në fillim të viteve 90-të. Dosjet e sigurimit janë hapur shumë më vonë në fillim të vitit 2006. Pastior pak kohë pas hapje së tyre vdiq, pra ai nuk e kishte më mundësinë të ballafaqohej me këtë."
Oskar Pastior e ka cilësuar sigurimin e shtetit në biseda private të inçizuara një "institucion si një kompleks shëmtie", i cili ka si synim vetëm të mbjellë "dyshim dhe zemërim", "të shkaktojë "frikë dhe tmerr me qëllim që të na dekurajojë sërish."Por pikërisht nga kjo rrezikohet poeti Pastior. Në një intervistë Oskar Pastior ka thënë: "Po qe se do të kisha një mesazh apo motivim, atëherë do të ishte ky që lexuesit dëgjuesit t'i bëja të ndjeshëm ndaj dallimeve. Me qëllim që ata ta mos bien pre e fjalëve të shkëputura, titujve apo përgjithësimeve të nxituara, që iu sulen nga të gjitha anët."
Fjalë këto që duket sikur janë prerë për poetin, për rastin "Oskar Pastior", i cili nuk përbën skandal po qe se nuk nxirren më shumë prova nga arkivat që e rëndojnë atë.
Autor: Knut Cordsen /Lindita Arapi
Redaktoi: Elert Ajazaj