1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
ShoqëriaPoloni

Shkrimtari polak Jacek Dehnel mund të rikthehet në shtëpi

Katarzyna Domagala-Pereira
22 Dhjetor 2024

Dehnel - i cili e quan veten “refugjat të PiS” për shkak të qëndrimeve anti-LGBT të partisë që qeveriste vendin në të shkuarën, thotë se tani është koha e duhur për rikthim.

Jacek Dehnel është një ndër shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë të Polonisë
Jacek Dehnel është një ndër shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë të PolonisëFotografi: Anna Maciol-Holthausen/DW

Shkrimtari polak Jacek Dehnel mund të marrë frymë i lehtësuar. Ngjarjet letrare me lexuesit e tij po zhvillohen sërish në Poloni dhe ai është i ftuar. Kjo nuk i mundësohej atij gjatë qeverisjes së mëparshme të partisë konservatore "Ligj dhe Drejtësi” (PiS), e cila qeverisi vendin nga viti 2015-2023. "Me kalimin e kohës gjërat u përkeqësuan” – tha Dehnel për DW.

Shkrimtari i deklaruar publikisht si homoseksual është një ndër shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë të Polonisë. Ai ka shkruar shumë vëllime poetike dhe romane, të përkthyera në gjermanisht dhe anglisht. Njëkohësisht, Dehnel gëzon reputacion të mirë edhe në fushën e përkthimit.

Pesë vite më parë ai arriti në përfundimin se Polonia nuk ishte "vend i sigurtë për njerëzit e komunitetit LGBT”. Qeveria që drejtonte në atë kohë po nxiste në vijimësi armiqësi ndaj këtij komuniteti.

Presidenti polak Andrzej Duda, i cili do të jetë në detyrë deri në mesin e vitit të ardhshëm, pretendon se "LGBT është një ideologji”. Thuajse një e treta e qyteteve dhe bashkive polake u shpallën "Zona jo-LGBT”.

Jacek Dehnel duke firmosur një nga librat e tij në Düsseldorf. Para disa vitesh organizimi i aktiviteteteve letrare për shkrimtarët homoseksualë në Poloni ishte i vështirë Fotografi: Anna Maciol-Holthausen/DW

"Kishte diskriminim, persekutim të komunitetit tonë, agjitacion të organizuar nga vetë shteti” – thotë Jacek Dehnel, duke shpjeguar se përse ai dhe i shoqi, shkrimtari Piotr Tarczynski, vendosën të krijonin një tjetër "shtëpi” në kryeqytetin gjerman, Berlin.

Jo ndryshime ligjore

Tani, këta "refugjatë të PiS”, po rikthehen në Poloni. "Tek një Poloni disi më e mirë”, thotë me buzëqeshje Dehnel, duke shtuar se vendlindja e tij nuk është "parajsa në Tokë”. "Shumë gjëra në Poloni kanë nevojë për ndryshim dhe përmirësim” – thotë ai. "Situata ligjore për personat LGBT nuk ka ndryshuar”.

Polonia është shquar si një shtet inovator për sa i përket emancipimit rreth homoseksualitetit. Marrëdhëniet mes personave të së njëjtës gjini u dekriminalizuan në vitin 1932, ndërkohë që në Gjermaninë Lindore dekriminalizimi ndodhi në vitin 1957 dhe në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1969. Por që prej asaj kohe, Polonia ka bërë shumë pak përparime. "Ndryshimet thelbësore, si për shembull mbrojtja ndaj gjuhës së urrejtjes me bazë orientimin dhe identitetin seksual dhe martesat brenda së njëjtës gjini, nuk kanë ndodhur ende” – thotë Dehnel.

Polonia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Europian i cili nuk i lejon bashkëjetesat e regjistruara në gjendjen civile, e aq më pak martesat homoseksuale.

Qeveria liberale e Donald Tusk do ta ndryshojë këtë realitet. Është prezantuar tashmë projektligji për regjistrimin e bashkëjetesës, nismë e cila ngjalli një debat të ashpër mes Tusk dhe koalicionit qeverisës, i cili përfshin edhe aleancën me partinë konservatore Kristian-Demokrate. Nuk është gjithsesi e qartë se kur mund të hyjë në fuqi ky ligj, ose edhe nëse kalon, mund të bllokohet nga presidenti Duda, aleat i partisë PiS.

Dehnel dhe bashkëshorti i tij u rikthyen në Varshavë, pas 5 vitesh jetesë në Berlin Fotografi: Ger Harley/EdinburghElitemedia/picture alliance

Ndryshimi i shoqërisë

Shkrimtarët Dehnel dhe Tarczynski janë bashkë prej 21 vitesh dhe e kurorëzuan lidhjen e tyre në Londër në vitin 2018. Martesa e tyre nuk njihet nga ligji polak, prandaj ata kanë lidhur në Poloni marrëveshje tek noteri. 

"Shteti polak na trajton si të huaj. Kur kapërcejmë urën mbi lumin Oder dhe hyjmë në territorin e Polonisë, ne rezultojmë të divorcuar dhe kur kthehemi mbrapsht e kalojmë mbi Oder, martohemi sërish. Një martesë që prishet nga uji” – kështu e shpjegon Dehnel në mënyrë simbolike pjesën ligjore të martesës së tyre.

Edhe pse situata ligjore nuk ka ndryshuar ende në Poloni, ka ende shpresë. Dehnel e quan këtë "ndryshim madhor të shoqërisë”, çka në thelb është "pjesa më e rëndësishme e historisë”. 

"Shumë njerëz mendojnë që tani ndryshe rreth nesh” – thotë ai i lumtur. Anketimet e fundit kanë treguar se shumica e polakëve e mbështesin bashkëjetesën e homoseksualëve të regjistruar në gjendjen civile. "Ka një ndryshim madhor mes shoqërisë polake e cila po bëhet dukshëm më pranuese, dhe klasës politike e cila vijon të mbetet konservatore dhe e trembur nga Kisha”. 

Gjithnjë e më tepër njerëz po dalin hapur si anëtarë të komunitetit LGBT, mes tyre edhe shumë personazhe publike. Prova për këtë, thotë Dehnel, janë "paradat e Krenarisë”. Për një kohë të gjatë, këto parada ishin aktivitete të izoluara që organizoheshin vetëm në qytetet e mëdha. Ndërsa tani, njerëz me flamuj ylberësh në duar parakalojnë në më shumë se 30 qytete dhe bashki, përfshirë këtu edhe qytete të vogla. "Paradat po bëhen më të sigurta dhe njerëzit po mësohen me to” – thotë Dehnel. Çdo vit që kalon, nxitja e urrejtjes ndaj anëtarëve të komunitetit bëhet gjithnjë e më vështirë.

Parada LGBT e këtij viti në Varshavë: aktivitete të tilla po përhapen në të gjithë vendinFotografi: Czarek Sokolowski/picture alliance / ASSOCIATED PRESS

Gjithsesi, mbetet për t'u parë nëse çifti i shkrimtarëve do të mund ta jetojnë jetën e tyre në Varshavë, njësoj siç e kanë jetuar në Berlin. Në kryeqytetin gjerman, Dehnel s'ka përjetuar ndonjëherë komente homofobike, "përveç një rasti, që u tha nga një polak”.

Megjithatë edhe në Berlin situata po ndryshon dhe është në varësi të lagjjes në të cilën jeton. "Organizatat gjermane të LGBT thonë se ka një rritje të konsiderueshme të dhunës kundrejt personave queer në Gjermani” – thotë Dehnel.

Berlini në 'krizë të thellë'

Dhe kjo nuk është gjeja e vetme që e shqetëson. Dehnel thekson se kushtet e jetesës dhe "kriza e thellë” që po përjeton kryeqyteti gjerman, janë një tjetër arsye për t'u larguar. Shumë të huaj që jetojnë në Berlin mendojnë se qyteti nuk i përmbush më pritshmëritë e tyre. Gjëja më e keqe, thotë ai, është burokracia, e cila "i shumëfishon problemet në mënyrë të vazhdueshme”.  

Si shembuj, ai sjell mosnjohjen e dokumenteve polake, "pyetjet me qëllim të keq mbi tema të ndryshme” dhe kohët e gjata të pritjes për vendimet zyrtare. "Im shoq priti 11 muaj për t'u njohur si artist, dhe iu desh të paguante siguracion shëndetësor për 11 muajt që s'iu ofrua një i tillë”.

Shumë të huaj mendojnë se burokracia gjermane është frustrueseFotografi: William Glucroft/DW

Ai thekson se ky nuk është rast i izoluar. Shumë të huaj janë zhgënjyer dhe po e braktisin qytetin, thotë shkrimtari. Dikur i famshëm për tolerancën dhe jetën kulturore, qira të përballueshme dhe një atmosferë plot gjallëri, Berlini sot, sipas Dehnel, e ka humbur reputacionin e dikurshëm.

Kritikat e tij u publikuan në fundin e muajit tetor në revistë polake "Newsweek” dhe në median sociale, kritika të cilat trazuan polakët që jetojnë në Gjermani. "Ne jemi qytetarë të Bashkimit Europian. Pra, kur vijmë të jetojmë në Berlin, ne nuk vijmë si emigrantë, por vijmë në një pjesë tjetër komuniteti që i përket Polonisë dhe Gjermanisë. Ne kemi pritshmëritë tona”, i tha Dehnel DW.

Pritshmëri të tipit: të jesh në gjendje që të përballesh me burokracitë në gjuhën angleze, të paguash me kartë krediti dhe të kesh qasje në një infrastrukturë më të mirë digjitale. "Pres një cilësi më të lartë shërbimesh. Por niveli këtu është njësoj si në Poloni” – shton ai. Ky krahasim, shpesh duket se i shkon më shumë për shtat Polonisë.

Dehnel është rikthyer të jetojë në Varshavë që nga fillimi i muajit dhjetor, duke u divorcuar sërish – në mënyrë metaforike- në çastin që ka kaluar mbi lumin Oder. Megjithatë, ai ka vendosur mos ta lëshojë ende apartamentin me qira në Berlin, për çdo rast…