1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Asgjë e qartë para votëbesimit të qeverisë

10 Nëntor 2021

Në mbledhjen e kryesisë qendrore të LSDM-së u mor vendim unanim që Zoran Zaev ta  shtyjë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe i kryetarit të Lidhjes Social Demokrate.

Nordmazedoniens Ministerpräsident Zoran Zaev kündigt Rücktritt an
Fotografi: Ognen Teofilovski/REUTERS

Shtyrja e dorëheqjes nga LSDM-ja u arsyetua: "Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi, Komiteti Qendror i partisë vendosi që të shtyhet dorëheqja. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, tha Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së.

Zaev: Do të përpiqem që shumica parlamentare të rritet

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev pas mbarimit të mbledhjes ku është vendosur shtyrja e dorëheqjes së tij ka thënë se qendron për "të ndihmuar që të stabilizohet shumica parlamentare dhe me mundësi të rritet”.

"Liria është gjë e bukur. Kemi vendimin e Këshillit qendror për anulimin e dorëheqjeve. Pres që shumica demokratike të stabilizohet, veçanërisht ajo shumicë që është për BE-në, për shoqërinë multietnike. Ditët janë para nesh, gjithësesi këtë do ta mësojmë të gjithë”, ka deklaruar  Zaev. Ai nuk saktësoi se për sa kohë do të shtyhet dorëheqja e tij, por tha se Maqedonia e Veriut ndodhet para sfidave të mëdha, përfshirë dhe pritjet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

VMRO-DPMNE: Nuk kanë të ndalur gënjeshtrat e Zaevit

VMRO-DPMNE ka reaguar ashpër në lidhje me deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev, i cili tha se do ta shtyjë dorëheqjen deri në stabilizimin e vendit. Në reagimin e VMRO-DPMNE-së thuhet se Zoran Zaev është burimi i krizave dhe problemeve në Maqedoni, derisa theksohet se largimi i tij është i domosdoshëm për të mirën e vendit.

"Ai nuk është vetëm humbës por edhe mashtrues klasik. Përpjekjet e fundit për presion dhe oferta të pahijshme ndaj deputetëve që nënshkruan mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë janë vetëm një kashtë për të shpëtuar Zaevin dhe ekipin rreth tij. Zaev nuk mund ta mbajë peng Maqedoninë për shkak të karrierës së tij politike. Iku koha e gënjeshtrës, e frikësimit dhe e presionit të mashtruesit Zaev. Po vjen koha që qeveria e re të merret me problemet dhe të sjellë një të ardhme të re dhe më të mirë për Maqedoninë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

A do të ketë seancë për votimin e mosbesimit të qeverisë?

Seanca e kuvendit për votimin e mosbesimit të qeverisë është caktuar për të enjten (11.11.), por jozyrtarisht bëhet e ditur se ajo mund të shtyhet për të shtunën për shkak të një nisme të re. VMRO-DPMNE më 8 nëntor  ka siguruar nënshkrimet e 61 deputetëve për votimin e mosbesimit të qeverisë, por njëri nga deputetët, Skënder Rexhepi nga partia Alternativa vë në pikpyetje nënshkrimin e tij me arsyetimin se nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj nisme ku bënë pjesë edhe "E Majta”, që akuzohet nga partitë shqiptare  për qëndrimet anti-perëndimore dhe anti-shqiptare. Së shpejti pritet që të sqarohen pozicionet e palëve kur edhe do të dihet nëse seanca do të mbahet të enjten apo të shtunën.

Xhaferi sqaron procedurat e votimit

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në lidhje me paralajmërimin se është e mundur të dorëzohet iniciativë e re për votim të mosbesimit të qeverisë dhe tërheqje të asaj paraprake, ka thënë se procedura ka filluar dhe seanca është caktuar për të enjten. Nëse tërhiqet, kërkesë për mosbesim mund të dorëzohet përsëri pas 90 ditëve.

"Procedurat janë të qarta. Ka seancë të caktuar për të enjten. Seanca duhet të ketë epilog. Epilogu mund të jetë, votohet mosbesimi - bie qeveria, nuk votohet mosbesimi-nuk bie qeveria. Pas asaj, 90 ditët e ardhshme nuk mund të ketë përsëri votim të mosbesimit. Procedura ka filluar, nëse tani tërhiqet kërkesa për votim të mosbesimit të qeverisë, nuk ka të drejtë për kërkesë të sërishme për votim të mosbesimit”, vlerëson kryeparlamentari Xhaferi.

Për rrëzimin e qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

 

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut