1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Shkup: Diplomaci ecejakesh për ndryshimet kushtetuese

24 Gusht 2023

Zëvendës-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Escobar sërish viziton Maqedoninë e Veriut. Escobari në Shkup takon presidentin Pendarovski, kryeministrin Kovaçevski dhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Mickoski.

Presidenti i RMV (Maqedonia e Veriut) Stevo Pendarovski dhe diplomati nga SHBA, Gabriel Escobar
Presidenti i RMV (Maqedonia e Veriut) Stevo Pendarovski dhe diplomati nga SHBA, Gabriel EscobarFotografi: President of RN Macedonia

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Gabriel Escobar po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Escobari në Shkup takon presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Ardhja e Escobarit në Shkup vjen pas fillimit të procedurës parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuesepër përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si kusht që vendi të mbajë mbledhjen e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian. 

Diplomati i lartë amerikan ka deklaruar se SHBA-ja fuqimisht e përkrah procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe është e angazhuar që me qeverinë e re në Sofje të sigurojnë se nuk do të parashtrohen kërkesa të reja në rrugën evropiane të vendit. Ai vlerëson se me integrimin evropian të vendit, do të ulet ndikimi i aktorëve të dëmshëm në rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve të korruptuar lokalë. Escobar mbetet optimist se politikëbërësit në RMV do të veprojnë racionalisht dhe do të marrin hapa për një ardhmëri të sigurt të vendit.  "Ai shpreson për diskutime produktive dhe të përbashkëta me udhëheqësit e qeverisë , veçanërisht lidhur me integrimin e ardhshëm në BE dhe prosperitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet nga Departamenti i Shtetit. 

VMRO-DPMNE nuk lëshon pe 

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski para takimit me Escobar ka thënë, se qeveria tani po tenton ta prezantojë vizitën e Escobarit, si një buldozer diplomatik që është thirrur këtu për të ushtruar presion. Askush nuk bën presione në shekullin e 21-të, po edhe sikur të bëjnë, kanë zgjedhur bashkëbiseduesit e gabuar, vlerëson Mickovski.

"E vlerësoj vizitën e Escobar si çdo vizitë tjetër. Në periudhën e kaluar kemi pasur shumë vizita nga përfaqësues të lartë të huaj. Ne do t'i dëgjojmë argumentet e tyre dhe do t'u themi argumentet tona”, është shprehur Mickoski. 

Ramadani: Po i vjen fundi lojës së VMRO-DPMNE-së

Për analistin politik, Ismet Ramadani shtimi i presionit të jashtëm është bërë i zakonshëm në Maqedoninë e Veriutçdo herë që shteti ballafaqohet me kriza politike prej të cilave varen vendimet me interes madhor. Diplomatët e huaj vijnë për të krijuar mjedis për votimin e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa presioni më i madh pritet t'i bëhet pikërisht VMRO-DPMNE-së, e cila refuzon votimin për ndryshimet e kushtetutës.

Parlamenti i MRV - ka nisur diskutimi për ndryshimet kushtetueseFotografi: Petr Stojanovski /DW

"Pa ndërhyrje, pa involvim të SHBA-së dhe BE-së nuk mund të ketë ndonjë rezultat pozitiv në këtë drejtim. Mickoski do të bëjë përpjekjet e fundit që mos të lejojë kalimin e ndryshimeve kushtetuese, mirëpo duhet ta ketë parasysh se nuk është ndonjë potencial politik partiak që mund të arrijë duke qenë kryeneçe ndaj SHBA-së dhe BE-së”, thekson analisti politik, Ismet Ramadani. Nëse eventualisht VMRO-ja do t'i thotë "po” ndryshimit të kushtetutës, njëkohësisht do të ketë rast ta ndryshojë imazhin partiak në sytë e ndërkombëtarëve dhe të hapë mundësi për t'i fituar zgjedhjet e ardhshme. Edhe në mesin e VMRO-së sipas Ramadanit, ka potenciale që janë pro interesave dhe së ardhmes evropiane të shtetit. 

"Nëse i voton VMRO-ja ndryshimet kushtetuese, do t'i bjerë pak kuota në elektorat, por ajo do të jetë konkurrente serioze për t'i fituar zgjedhjet. Nëse nuk i voton, atëherë deri në pranverën e ardhshme do të krijohet një ambient anti-VMRO edhe nga faktori ndërkombëtar por edhe brenda për brenda do të rrezikojë si parti politike deri në përçarje midis tyre, por edhe t'i humbasë shanset për konkurrencë serioze në zgjedhjet e ardhshme.”, shprehet Ramadani.

Vizita e Eskobarit vjen pas fillimit të procedurës plenare parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ka shtyrë votimin deri në sigurimin e shumicës prej dy të tretave.

 

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut