1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Maqedoni e Veriut - 23 vjet nga Marrëveshja e Ohrit

13 Gusht 2024

Me manifestime të shumta në Shkup është kremtuar 23 vjetori i nënshkrimit të Marveshjes së Ohrit, dokument ky ndërkombëtar që përmbylli konfliktin e vitit 2001.

Seancë plenare me deputetët në sallën e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut
Parlamenti në ShkupFotografi: Petr Stojanovski/DW

Me Marrëveshjen e Ohrit shqiptarët dhe bashkësitë e tjera nëMaqedoninë e Veriut fituan garanci për përdorimin e gjuhës, simboleve dhe decentralizimin, vlerëson ish-diplomati Nano Ruzhin. Por 23 vite më pas Ruzhin e shtron pyetjen se a i kultivojmë mjaftueshëm vlerat e Marrëveshjes së Ohrit?

"Nëse kërkojmë sqarim teorik për krizën e vitit 2001 ajo është pikërisht mungesa e pluralizmit demokratik që paraqiste demokraci më të madhe etnike, decentralizim dhe multikulturalizëm. Parimi i pluralizmit nga aspekti i demokracisë është vlerë dominante, apo vlerë e trashëguar e idesë evropjane? Dallimet nuk nënkuptojnë armiqësi, kjo është motoja e filozofit Abelar, që nga shekulli i 10-të”, u shpreh Ruzhin.    

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001 në Shkup. Nënshkrimet e tyre në marrëveshje kanë vendosur edhe përfaqësuesit special të BE-së dhe SHBA-së, François Léotard dhe James Perdue. Më shumë se 130 ligje, ndryshime ligjore dhe plotësime janë miratuar në vitet e kaluara që nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, nga të cilat pjesa më e madhe  59 janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të drejtë, 40 janë në sferën e identitetit, kulturës, edukimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Në panel diskutimin e mbajtur zëvendëskryemistri i parë Izet Mexhiti ka thënë se decentralizimi është një materie e gjallë, dinamike, që ndryshon siç ndryshojnë nevojat e qytetarëve, dhe për këtë arsye është detyrë e pushtetit qendror që të angazhohet shumë më shumë në fuqizimin e autoriteteve lokale duke ju ofruar atyre më shumë resurse, më shumë pavarësi, më shumë mundësi për zhvillim dhe efikasitet, sepse komunat janë dera e parë ku qytetarët drejtohen kur kanë nevojë.

"Na nevojitet një rishikim i zgjidhjeve të vendosura disa vite më parë. Ka shumë sfera në të cilat ndarja e kompetencave në praktikë gjegjësisht në terren duket absurditet. Në ato aspekte nevojitet një ridefinim dhe riorganizim i mekanizmave dhe zgjidhjeve ekzistuese ligjore”,u shpreh Izet Mexhiti.

Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje për shtetin, nuk është marrëveshje për pjesëmarrjen në pushtet të një partie politike përjetësisht. Periudha përpara nesh do të jetë periudhë, në të cilën ne do të hapim një etapë të re të politikës dhe politikëbërjes, theksoi Mexhiti.

"Detyra jonë është që Maqedoninë e Veriut ta bëjmë një shoqëri moderne, në të cilën institucionet do ta reflektojnë barazinë e plotë në çdo nivel dhe dimension të funksionimit”. Tani ka ardhur koha që marrëveshjet e arritura të kthehen në bazë për modernizimin dhe europianizimin e shtetit”, deklaroi Mexhiti.

Mickovski: Marrëveshja e Ohrit solli paqen në vend

Kryeministri  i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickovski ka thënë, se në jubileun e Marrëveshjes së Ohrit duhet  theksuar se asnjëra nga palët që e nënshkrun asokohe atë nuk ishin të kënaqura me arritjen e kësaj marrëveshjeje, por ajo solli paqen në vend. 

"Patriotizmi i përbashkët nënkupton ndërtimin e ardhmërisë nën një kulm të përbashkët, dhe luftë për një të ardhme më të mirë nën një qiell të përbashkët. Ajo që na bën të ndryshëm për nga përkatësia etnike e fetare, nuk na bën të ndryshëm për prioritetet tona. Kjo marrëveshje ka qenë dhe është shumë e kushtueshme për ne, sepse kishte viktima nga të gjitha palët, dhe mos respektimi i kësaj marrëveshjeje nënkupton edhe mosrespektim e atyre viktimave”, u shpreh kryeministri Mickovski.  

Ahmeti: Do të përparojmë nëse kemi harmoni ndëretnike          

Opozita shqiptare ka shënuar 23 vjtetorin e Marrëveshjes së Ohrit ndaras nga partitë e pushtetit. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë, se raportet ndëretnike duhet të jenë shtyllë e sigurisë për Maqedoninë e Veriut  

"Ky vend do të ecë përpara me marrëdhënie të mira ndëretnike në radhë të parë në mes komuniteteve më të mëdha shqiptarëve dhe maqedonasve. Maqedonasit si komb mund të përparojnë vetëm duke qenë në komunikim dhe harmoni të mirë në marrëdhënie me shqiptarët, përndryshe i gëlltisin serbët, bullgarët dhe grekët”, deklaroi Ali Ahmeti.

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut