1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Shkup: Samiti i OSBE-së me tema të larmishme

28 Nëntor 2023

Ministri i Jashtëm të Maqedonisë së Veriut Osmani mendon se takimi i Këshillit Ministror të OSBE-së është ngjarja më e madhe në historinë e vendit si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia.

Ndertesa qendrore e OSBE-se ne Vjenö
Shkup: Samiti i OSBE-së Fotografi: Tobias Steinmaurer/APA/picturedesk.com/picture alliance

Shkupi do të jetë nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor mikpritës i 76 delegacioneve nga 57 vende anëtare të OSBE-së dhe partnerë në nivel të ministrave të jashtëm dhe përfaqësuesve të rangut të lartë nga organizatat ndërkombëtare ose më shumë se 1000 përfaqësues të delegacioneve dhe partnerëve të OSBE-së.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, kryetar i OSBE-seFotografi: NMazedonien MFA

"Në thelb ky Këshill Ministror është i jashtëzakonshëm, sepse për herë të parë, OSBE-ja po përballet me një nga sfidat më të mëdha në historinë e ekzistencës së saj si rezultat i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, gjë që shkaktoi mungesë konsensusi, që është vendimtare për vendimmarrje në organizatë”, tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Buqetë e larmishme temash

Konflikti Rusi-Ukrainë, dialogu Kosovë-Serbi, stabiliteti i paqes në rajon, ndryshimet klimatike, rinia dhe shoqëria civile do të jenë temat kryesore për të cilat do të diskutohet në Samitin OSBE-së në Shkup.

Lavrovi dhe Blinken në Samitin e OSBE-së në Shkup

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë i ka dhënë leje avionit të ministrit të Jashtëm rus Sergeji Lavrov për të fluturuar mbi Bullgari. Ky vendim u mor pas kërkesës së Maqedonisë së Veriut, vendit që aktualisht ushtron detyrën e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Arsye për lejimin është  takimi i Këshillit të Ministrave të OSBE-së në Shkup. Leja është e përkohshme dhe e vlefshme vetëm për këtë fluturim. Me këtë fluturim ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov do të mund të marrë pjesë në Samitin e OSBE-së në Shkup.

Pas kërkesës së Maqedonisë së Veriut Bullgaria lejon Sergeji Lavrovin për të fluturuar mbi territorin e saj Fotografi: Vyacheslav Prokofyev/dpa/TASS/picture alliance

Rusia është një nga 57 vendet anëtare të OSBE-së. Pas fillimit të konfliktit të armatosur Rusi-Ukrainë shumica e vendeve në Evropë  përfshirë Bullgarinë, kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, duke shprehur solidaritet me Ukrainën.

Ministri i jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov tha për mediat ruse disa përfaqësues të vendeve perëndimore kanë kërkuar takime me të gjatë samitit në Shkup.

Pala amerikane nuk ka kërkuar takim me Lavrovin

Zëvendësministri i punëve të jashtme të Rusisë Sergej Rjabkov tha se pala amerikane nuk ka kërkuar takim me shefin e diplomacisë ruse Sergej Lavrov në kuadër të Samitit të OSBE-së në Shkup.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken do të marrë pjesë në mbledhjen ministrore të OSBE-së në Shkup ku do të flasë për rolin kryesor të Organizatës në promovimin e sigurisë së thelluar në rajon, ka deklaruar zëdhënësi i departamentit amerikan Methju Miler.

"Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, sekretari i shtetit do të angazhohet me kolegët nga OSBE-ja për riafirmimin e angazhimeve të fuqishme të SHBA-së në OSBE dhe misionit kryesor të organizatës që të promovojë siguri, stabilitet dhe bashkëpunim mes shteteve, me theks të posaçëm në të drejtat e njeriut dhe zgjidhjes së qetë të kontesteve”, ka thënë Miler.

Maqedonia e Veriut mori kryesimin e OSBE-së në janar të vitit 2023. Nën sloganin "Fjala është për njerëzit”, Kryesimi i Maqedonisë së Veriut i është përkushtuar sigurisë njerëzore në një epokë të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë rajonale dhe globale.

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut