1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Shqiptohet dënimi për ish-prokuroren speciale Janeva

18 Qershor 2020

Pas gjashtë muajve gjykim në Gjykatën Penale të Shkupit u shpall aktgjykimi për lëndën “Reket”, ku të akuzuar ishin Bojan Jovanovski - Boki 13 dhe ish-prokurorja e Gjykatës Speciale Katica Janeva.

Symbolbild Deutschland Justiz
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Gjykatësja Vaska Nikollovska Masevska deklaroi, se Bojan Jovanovski është dënuar me 9 vjet burg dhe ish-prokurorja Katica Janeva me 7 vjet burg. Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria për Luftë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, thuhet se i akuzuari Bojan Jovanovski kishte ndikuar ndaj së akuzuarës Katica Janeva, që ajo të sjellë masa më të lehta kundër Jordan Kamçevit, i akuzuar në lëndën "Perandoria”, rast të cilin e filloi Prokuroria Speciale Publike.

Masevska: Të akuzuarit dëmtuan rëndë sistemin e drejtësisë

Gjykatësja Vaska Nikollovska Masevska gjatë seancës, theksoi se ish-prokurorja Katica Janeva në vendin tonë ishte shpresë për sistemin e drejtësisë se ajo do të sjellë drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët, por ja që doli krejtësisht ndryshe. Gjykatësja tha, se kjo lëndë ka dëmtuar rëndë sistemin gjyqësor në Maqedoni dhe ka shuar shpresat e qytetarëve për drejtësi.

Të dënuarit do të kërkojnë drejtësi ndërkombëtare

Jovanovski dhe Janeva në fjalët e tyre përfundimtare para gjykatës e mohuan fajin dhe thanë, se nuk e kanë kryer veprën për të cilën akuzohen. Prokuroria, sipas tyre, nuk ka shfaqur dëshmi për këtë vepër për të cilën i akuzon dhe se e gjithë aktakuza është në bazë të një dëshmitari, i cili është i dëmtuar në këtë rast. I gjithë rasti për Jovanovskin është montim politik, ndërsa për Janevën është shpifje. I dënuari i parë në rastin "Reket”, Bojan Jovanovski, pas shpalljes së aktgjykimit, tha se vendimi i Gjykatës është vendim politik.

"Unë këtë ditë do ta shpall si ditë të fushatës politike në Maqedoni, sepse ju morët një aktgjykim politik. Mendoj që paraburgimi që më është shqiptuar, është tendencioz, gjatë këtyre muajve është dëshmuar dhe treguar edhe nga ana juaj që po punohet jo për zbardhjen e sistemit të drejtësisë. Nuk do të arratisem, mezi pres 1 korrikun që të shkoj në Prokurorinë Publike dhe të paraqes të gjitha veprat penale për të gjitha krimet dhe bizneset në këtë shtet”, tha Jovanovski.

Prokurorja e zhgënjyer për dënimet, ka pritur më shumë

Prokurorja Villma Ruskoska u shpreh e zhgënjyer për dënimin e shqiptuar ndaj Boki 13, sepase ajo ka pritur dënim më të madh për Boki 13, ndërsa dënimi për Janevën, sipas saj ka qenë i pritur.

"Sa i përket dënimit për Ktica Janeva kam pritur diku 7-10 vjet, ndërsa sa i përket Bojan Jovanovskit nuk jam aspak e kënaqur, kam pritur dënim më të lartë se 10 vjet. Ankesë do të ketë për të dyja vendimet”, deklaroi Villma Ruskoska prokurore e proecesit në fjalë.

Avokati i Bojan Jovanovskit u shpreh se këtu nuk përfundon kjo procedurë dhe se do të pasojnë ankesat. Ndërsa avokatja e Janevës, u shpreh se me vendime të tilla nuk kthehet besimi në gjyqësor, përkundrazi sipas saj gjykata duhet të sjellë vendime në bazë të dëshmive. Do të ankohemi, shpresojmë se gjykatat më të larta do të gjykojnë drejtë. Do të luftojmë deri në fund edhe tek gjykatat e vendit edhe ato ndërkombëtare, deklaruan avokatët.

Rrjedha e këtij procesi gjyqësor shkaktoi interes të madh në publik, shpesh deklaratat e dëshmitarëve, të të akuzuarve ose prokurorisë ishin temë e ditës. Gjykimi për lëndën "Reket” filloi në nëntor të vitit të kaluar. Aktakuza ishte ngritur kundër tre personave. Në seancën e parë për këtë rast i akuzuari Zoran Milevski -Kiçec e pranoi fajin dhe u dënua me tre vjet burg.

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut