1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Zbulohet korrupsion me paratë europiane

Fatos Musliu6 Tetor 2006

Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë Veton Ibrahimi, në një konferencë shtypi ka informuar se në qeveri është formuar një grup punues për të shqyrtuar dyshimet për një sërë parregullsish dhe keqpërdorimesh financiare nga ish nënkryetarja e qeverisë Radmilla Sheqerinska, përgjegjëse e Sekretariatit për çështje evropiane

Korrupsion me euro
Korrupsion me euroFotografi: bildbox

Komisioni nga Ministria e punëve të brendshme dhe policia financiare do të rishqyrtojnë metodologjinë dhe koordinimin e ndihmës humanitare nga programi CARDS. Bëhet fjale për një ndihmë prej 320 milionë eurosh. Nëse vërtetohen elementet e korrupsionit ose përfitimit personal në këtë aferë do të inkuadrohen edhe anëtarët e Komisionit për luftë kundër korrupsionit.

Ish nënkryetarja e Qeverisë Radmilla Sheqerinska, të gjitha akuzat i vlerëson si spekulimet të llojit të vet që kanë për qëllim diskreditimin personal dhe partiak në prag të mbajtjes të konventës të socialdemokratëve ku ajo do të garojë për postin e kryetares.

"Kur Qeveria del me dyshime, ajo së paku duhet të ketë ndonjë argument ose ndonjë kritikë konkrete ndaj donatorëve. Këto akuza drejtuar në adresën time janë thjesht pamflet politik", ka deklaruar Radmilla Sheqerinska.

Ministri i punëve të jashtme Antonio Milloshoski, thotë se qeveria në mënyrë urgjente duhet të heqë të gjitha dyshimet për keqpërdorime sepse vetëm ashtu mund të ruhet imazhi i Maqedonisë për fitimin e ndihmave nga jashtë.

"Zonja Sheqerinska e ka kot pritjen, që unë t'i tregoj se cilët diplomatë të huaj janë ankuar për keqpërdorimin e mjeteve financiare. Keqpërdorimet ajo mund ti gjejë në Sekretariatin për çështje evropiane me të cilin ka udhëhequr për katër vite," thotë Milloshoski.

Pas publikimit të kesaj afere ka reaguar ambasada e SHBA-ve në Shkup e cila distancohet nga informatat për gjoja keqpërdorime të mjeteve financiare. Deri më tani populli amerikan përmes USAID-it ka investuar mbi 450 milionë dollarë. I tërë ky investim ka qënë transparent, thonë nga ambasada e SHBA-ve.

Edhe ambasadori i BE-së në Maqedoni Ervan Fuere, thotë se nuk ka dijeni për keqpërdorim të ndihmave financiare për Maqedoninë. Ndihma që BE jep për Maqedoninë, udhëhiqet nga Agjencia europiane për ripërtrirje, e cila sipas Ervan Fueres punon në mënyrë tejet transparente.

Ambasadori i Britanisë, Robert Dikson, mohon keqpërdorimet nga Fondi i ndihmave të BE-së dedikuar Maqedonisë.