1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkupi dhe Tirana nisin negoiciata

19 Korrik 2022

Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht më 19 korrik hapi negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Presidentja e Komisionit të BE-së, Urusla von der Leyen, e quajti këtë një moment historik.

Brüssel Albanien und Nord-Mazedonien starten EU-Beitrittsverhandlungen | Dimitar Kovacevski
Fotografi: Virginia Mayo/AP/picture alliance

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria  kanë kryer reformat e duhura për të nisur negociatat e anëtarësimit në bllok, u shpreh presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen në Bruksel: "Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po hapin negociatat për anëtarësimin në BE. Ky është suksesi juaj dhe i qytetarëve tuaj, që keni punuar kaq shumë për të arritur këtu dhe keni treguar jashtëzakonisht përkushtim për vlerat tona, keni treguar këmbëngulje dhe keni pasur besim te procesi i anëtarësimit”, theksoi von der Leyen.

Fotografi: Virginia Mayo/AP/picture alliance

Kryeministri i Republikës së Çekisë Petr Fiala, shteti i të cilit udhëheq me Presidencën e BE-së, nënvizoi, se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda bllokut. "Në Evropën e sotme, ne duhet të jemi bashkë gjithë kohën. Çekia e ka mbështetur anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe do të vazhdojë të bëjë një gjë të tillë. Ne kemi nderin që një përparim i tillë ndodh gjatë presidencës sonë”, deklaroi kryeministri i Çekisë Petr Fiala.

Kovaçevski: Ngadalë por sigurt po i bashkohemi familjes evropiane

"Është një kënaqësi e madhe që pas 17 vitesh pritje, sot më në fund po fillojmë negociatat. Po hapim perspektiva të reja për shtetin dhe qytetarët dhe ngadalë, por sigurt po i bashkohemi familjes së madhe evropiane, e cila ka qenë synimi ynë strategjik me dekada", deklaroi kryeministri i Maqedonoisë së Veriut  Dimitar Kovaçevski.

"Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë miqtë tanë të Bashkimit Evropian, për mbështetjen, përfshirjen dhe përkushtimin e tyre në integrimin evropian të vendit tonë. Përkushtimi i tyre ishte vendimtar që ne sot në Bruksel të bëjmë hapin e parë që do të na çojë drejt anëtarësimit të plotë në Union”, theksoi Kovaçevski.

Kovaçevksi tha, se arritja më e madhe për shtetin e tij, është se gjuha maqedonase do të jetë e barab.artë mes gjuhëve të bllokut dhe kjo, tha ai, se u mundësua përmes propozimit francez.

"Ky propozim përkufizon gjuhën maqedonase, pa shtesa, shpjegime dhe fusnotë në fund të fletës, diçka që ka qenë e një rëndësie të madhe për ne. Dyert e hapura për gjuhën tonë maqedonase që të bëhet gjuhë zyrtare e BE-së, janë diçka që personalisht unë i shikoj si një nga arritjet më të mëdha”, tha ai.

VMRO-DPMNE : Maqedonia nuk i fillon negociatat, gjithçka është lojë e LSDM-së dhe BDI-së

VMRO-DPMNE thekson se asnjëherë nuk do të përkrah ndryshimet kushtetuese dhe bullgarizim të plotë të shtetit. Qeveria nuk ka 2/3 dhe nuk do ta ketë mundësinë për ndryshimet e kushtetutës. "Korniza e negociatave duhet të ndryshojë. Nga Protokolli me Bullgarinë kushtëzohet vetëm Maqedonia. Nuk ka reciprocitet vetëm të drejta për Bullgarinë dhe detyrime për Maqedoninë. Bullgaria nuk e njeh gjuhën tonë, as pakicën tonë në Bullgari dhe kërkon hyrjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë. Ku është reciprociteti këtu? Maqedonia është në pozitë të pabarabartë në raport me Bullgarinë. Për shkak të tradhëtarit Kovaçevski, problemi i Bullgarisë me Maqedoninë tani është problem i BE-së me Maqedoninë”, vlersojnë nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE.

Hapja e bisedimeve të martën (19.07) në Bruksel është "simbolike”, pasi bisedimet reale apo ato për kapitujt e BE-së do të nisin vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën e saj për përfshirjen e bullgarëve në të, si të barabartë me popujt e tjerë.

Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e vendit kandidat më 2005. Por, nisja e negociatave u bllokua për shkak të mosmarrëveshjeve për historinë dhe gjuhën mes Shkupit dhe Sofjes.

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut