1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shoqëria civile në Shqipëri - me ndikim minimal

11 Korrik 2012

Në Shqipëri ekziston një rrjet i gjerë organizatash joqeveritare, të cilat operojnë në fusha të ndryshme të jetës. Por ndikimi i projekteve dhe programeve që ato aplikojnë ende mbetet minimal.

Shoqëria civile në Shqipëri - jo ura e nevojshme midis politikës dhe qytetarit
Shoqëria civile në Shqipëri - jo ura e nevojshme midis politikës dhe qytetaritFotografi: Fotolia/Mickaël L'Achiver

Raporti vjetor që ka publikuar ditët e fundit Agjencia për Ndihmë Ndërkombëtare e Sheteve të Bashkuara të Amerikës, USAID, për indeksin e qëndrueshmërisë për organizatat e shoqërisë civile në Europën Qëndrore dhe Lindore dhe Euroazinë, nxjerr në pah se në Shqipëri shoqëria civile nuk pyetet në vendimmarrje dhe roli i saj nuk ka asnjë ndikim në politikë.

Probleme në komunikim dhe në fonde

Në mënyrë të ngjashme, më herët, dhe në raportet e Komisionit Europian apo të institucioneve të tjera ndërkombëtare ka patur qëndrime kritike për shoqërinë civile shoqëruar me apelime për rritjen e efektshmërisë dhe ndikimit të saj në klimën tejet të polarizuar politike në Shqipëri.

Analisti i mediave, Sami Neza mendon se gjendja në të cilën është shoqëria civile në Shqipëri lidhet me një sërë faktorësh. Një prej tyre, sipas tij, është mangësia financiare për të mbuluar projektet e programet, për të cilat ato janë angazhuar. Gjithashtu moskomunikimi mes atyre organizatave, që kanë përafërsi në objektiva është një element që ndikon në zvogëlimin e kapaciteteve, thotë për DW, Sami Neza.

Analisti Sami Neza flet për DWFotografi: DW/A.Muka

“Problem tjetër i shoqërisë civile në Shqipëri ka lidhje me mënyrën se si arrihet të forcohen kapacitetet, qoftë financiare qoftë ato administrative. Rrugët se si forcohen këto janë të ngushta, thuajse mungojnë me përjashtim të ndonjë rasti. Pse mungojnë? Shoqëria civile në Shqipëri ka dy mundësi financimi, një nga donatorët e huaj dhe një nga qeveria shqiptare. Kjo e dyta është shumë e kufizuar, duke u alokuar rreth 1 milion euro në vit. Kjo e dhënë është për tre vitet e fundit se më herët qeveria nuk jepte asnjë lek. Kompanitë e mëdha publike dhe private nuk shërbejnë si burime financimi për shoqërinë civile, përveç disa rasteve të veçanta. Pra, burimi kryesor mbeten donatorët ndërkombëtarë. Por ata duhet thënë se kanë ndërtuar linjat e tyre, ose si mund të thuash kanë ‘miqtë' e tyre në radhët e shoqërisë civile, ndërkohë që dhe shoqëria civile ka ‘miqtë' e saj tek donatorët."

Neza thotë se është shumë e vështirë që të prishet kjo lloj lidhjeje. Për ta shpjeguar këtë ai jep një fakt. Ai thotë se që nga viti 2000 e këtej nuk ka lindur një organizatë që të jetë bërë e madhe, ose numri i të tillave mund të numërohet me gishtat e njërës dorë. Ndërsa të gjitha organizatat që janë krijuar para vitit 2000 janë organizata të mëdha dhe thithin ndoshta 80 deri ne 90 përqind të fondeve që vijnë nga donatorët e huaj për shoqërinë civile në Shqipëri. Sami Neza e përshkruan këtë situatë si një “treg të palëvizshëm” dhe “pa formë” që nuk ka arësye të vijojë më kështu dhe në të ardhmen.

Analisti Lulzim Brahja flet për DWFotografi: DW/A.Muka

Organizata leva - në shërbim të vetvetes

Lulzim Brahja, drejtor ekzekutiv i seksionit të Shqipërisë për “Shoqërinë Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut” me qendër në Frankfurt të Gjermansë i shikon mjaft me vend kritikat që bëhen nga opinioni vendas, por dhe nga të huajt për organizatat e shoqërisë civile.

“Këto organizata i shërbejnë vetvetes, janë bërë leva në shërbim vetes së tyre dhe të qeverive në pushtet. Ka nepotizëm, abuzojnë, janë servile ndaj pushtetit, të partive, nuk e ngrenë zërin, nuk kanë forcë vendimarrjeje. Nuk shohim një protestë që të bëhet në bulevard, që s'kemi ujë, që s'kemi drita, që ndotja është në kulm…”.

Brahja shton për DW-në se duhet mbështetur nisma më e fundit e Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri me moton “act now!” ("vepro tani!"). Sipas tij aksioni duhet të jetë i përqëndruar më shumë tek respektimi i të drejtave të njeriut. Si një ish i përndjekur politik nga koha e regjimit komunist, Lulzim Brahja, fajëson politikën, por dhe shoqërinë civile që nuk ka bërë asgjë për të hartuar dhe miratuar një ligj për lustracionin.

“Pa u vendosur e drejta në vend nuk mund të ketë paqe sociale dhe zhvillim të qendrueshëm. Ndarja nga e kaluara moniste, nga periudha më gjakatare ndaj popullatës nuk duhet dënuar me gjysmë zëri, por duhet të hapen dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, pasi kështu shpëtojmë parlamentin, qeverisjen, institucionet, por dhe organizatat e shoqërisë civile nga njerëz me të kaluar të errët. Këta ‘protagonistë' që bërtasin për liri e të drejta kanë qenë shtypës dhe persekutorë të të drejtave dhe lirive të njerëzve. Dosjet janë dhe duhet të hapen. Po kështu dhe çështja e pronarëve të ligjshëm duhet të zgjidhet, pasi nuk mund të ketë investime dhe gjallërim të qëndrueshëm të ekonomisë pa shkuar prona tek zoti. Ja këto janë probleme kyç me të cilat duhet të merret shoqëria civile.”

Analisti Aleksander Çipa flet për DWFotografi: DW/A.Muka

Shoqëri civile e fragmentarizuar

Aleksandër Çipa, analist i mediave, mendon se kemi të bëjë me një shoqëri ku dhënia e drejtësisë është në kuotat më të forta të pabesueshmërisë për publikun, ku kapja e institucioneve është mëse evidente dhe ku politizimi i institucioneve dhe administratës në të gjitha nivelet është përhapur frikshëm. Në këtë situatarë do të duhej që strukturat e shoqërisë civile të ishin në rolin e tyre më aktiv të mundshëm. Por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh ende. Shoqëria civile është me një zë të dobët, e pamotivuar dhe që konsumon energji për çështje të dorës së tretë apo të katërt, thotë Çipa për DW.

“Në spektrin e saj shoqëria civile shfaqet shumë e fragmentarizuar, çka do të thotë që përfaqësimi bëhet në mënyrë parciale, kemi shumë sindikata dhe organizata që janë të ndara diametralisht me njera tjetrën, pavarësisht se mbulojnë të njëjta probleme dhe merren me të njëjtat komunitete. Ky fragmentarizim është një nga arësyet që e bën pa vokacionin e duhur publik shoqërinë civile në vendin one”.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi