1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shorti i drejtë, zemërimi i madh

AG/Arapi30 Prill 2013

Disa media duartrokitën, disa u zhgënjyen. Pas hedhjes së shortit për shpërndarjen e vendeve të shtypit në sallën e Gjykatës së Landit në Mynih, disa media të mëdha gjermane që nuk morën vend, reagojnë të zemëruara.

Pamje ilustruese e akreditimit
Pamje ilustruese e akreditimitFotografi: picture-alliance/dpa

Pas kritikave të ashpra për mënyrën e akreditimit për vendet e shtypit në sallën e Gjykatës së Landit në Mynih në procesin gjyqësor kundër trios neonaziste, Beate Zschäpes dhe dorasve të saj, (tashmë të shtyrë më 6. Maj) por edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Gjermane që kërkoi korrigjimin e procedurës së akreditimit, Gjykata e Mynihut të Hënën hodhi shortin për shpërndarjen e vendeve të shtypit. Hedhja e shortit u bë në praninë e noterit, Dieter Mayer dhe një ish-politikani, socialdemokratit 87 vjeçar, Hans-Jochen Vogel, deri në vitin 1972 kryebashkiak i Mynihut.

Presidenti i Gjykatës së Landit në Mynih, Karl Huber u shpreh se ai nuk bën asnjë vlerësim të mediave që zunë vend në sallë me short. Procedura nën mbikqyrjen e noterit "është e përshtatshme, e drejtë dhe e mirëpranuar" citon agjencia gjermane dpa. Huber vuri theksin edhe tek kritikat e ashpra që iu adresuan gjykatës: "Vëmendja mediatike që ky proces kishte që në fillim, por edhe sulmet që iu bënë gjykatës, megjithëse u soll plotësisht në mënyrë korrekte, janë të pashembullta në historinë gjermane."

Presidenti i Gjykatës, Karl Huber (në mes)flet para gazetarëve në sallën ku do të zhvillohet gjyqi (15.03.2013)Fotografi: picture-alliance/dpa

Mediat turke dhe greke me vende të garantuara

Me korrigjimin që i bëri Gjykata Kushtetuese procedimit të Gjykatës së Landit të Mynihut, mediat që kanë lidhje të veçantë me procesin gjyqësor do të kenë disa vende të siguruara. Viktimat e vrara nga neonazistët ishin më së shumti me origjinë turke, vetëm një viktimë ishte me origjinë greke. Kështu katër vende u rezervuan për mediat turke, një vend për mediat greke: Gazeta "Sabah", e cila bëri padinë mori një vend, po kështu edhe gazetat turke "Hürriyet", "Evrensel", agjencia turke e lajmeve, Ihlas Haber. Një vend të garantuar e mori edhe stacioni grek, ERT.

Gjithsej kishin aplikuar për vend në sallë 927 media nga e gjithë bota, por në hedhjen e shortit morën pjesë 324 kërkesa, të kategorizuara si korrekte. Në shpërndarjen e parë të vendeve sipas renditjes kohore, mediat i morën vendet në bazë të kohës së regjistrimit të akreditimit. Ndërsa të Hënën, shorti la jashtë agjencitë e huaja, Reuters, AFP dhe AP. Për gazetarët salla e kësaj gjykate ofron 50 vende me ulëse, por edhe 50 vende të tjera për spektatorë.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Reagime tek mediat gjermane

Edhe mediat gjermane u përballën me surprizat e shortit. Kështu në sallë shpërthyen të qeshurat, kur revista ilustruese për femra "Brigitte" dhe një radio e vogël si "Radio Lotte Vajmar" zunë nga një vend në sallë, në bazë të shortit. Ndërkohë që gazeta e njohur gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" nuk pati fat, e do ta ndjekë gjyqin nga jashtë. Duarbosh doli edhe gazeta "Die Welt", "Die Zeit". Reinhard Müller, redaktor përgjegjës sektorit "E drejta dhe shteti" i FAZ u shpreh për agjencinë gjerman epd, se gazeta po shqyrton mundësinë e ankimimit. Edhe kryeredaktori i gazetës "Die Welt" Jan-Eric Peters e cilësoi si absurd faktin që tre gazeta të mëdha të Gjermanisë përjashtohen nga ndjekja e procesit. Medita gjermane komentojnë, se megjithë procedurën e drejtë, gjakata la jashtë kompetencën e mediave të rëndësishme.

Po kështu edhe taz, një gazetë e njohur gjermane, e cila në procedurën e parë të shpërndarjes së vendeve zuri vendin e parë, në shortin e së Hënës nuk pati sukses. Kryeredaktorja e "taz", Ines Pohl i tha "Focus online" se po shqyrton mundësinë që bashkë me media të tjera të bëjnë ankimimin, për të arritur së paku transmentimin përmes videos të procesit gjyqësor në një sallë tjetër". Por Pohl ka theksuar se do të ketë kujdes që të ky ankimim të mos bëhet shkak i shtyrjes rishtazi të gjyqit. Ndërkohë revistat e njohura, "Focus", "Spiegel", apo e përditshmja e fuqishme "Bild" do të kenë mundësi të ndjekin procesin në sallë.