1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpëtimi i Greqisë - paketa e dytë

12 Dhjetor 2011

Beteja e parë për më shumë disiplinë buxhetore në BE përfundoi. Tani në fokus po vendoset sërish shpëtimi i Greqisë. Trojka ndodhet në Athinë. Bëhet fjalë për paketën e dytë të shpëtimit.

Ministria e Financave në Athinë
Ministria e Financave në AthinëFotografi: AP

Një prani e madhe përfaqësuesish të BE-së, ECB-së dhe FMN-së prej kësaj të hëne do të zhvillojnë në Athinë sondazhe për mundësitë e shpëtimit të vendit nga falimenti dhe më vonë do të rekomandojnë masa. Në qendër është programi i ri i ndihmës me një volum prej 130 miliardë eurosh. Nga Ministria greke e Financave u tha se të hënën (12.12.) është planifikuar një takim me ministrin Evagelos Venizellos. Të planifikuara janë edhe bisedime me ministri të tjera. Veç kësaj do të zhvillohen konsultime me përfaqësues të kreditorëve privatë, të cilët duhet të heqin dorë nga një pjesë e borxheve të tyre. Pjesëmarrja e kreditorëve privatë, para së gjithash e bankave dhe shoqërive të sigurimit, është pjesë e rëndësishme e paketës së dytë të shpëtimit.

Konsultime qeveritare

Evangelos Venizelos, ministri grek i FinancaveFotografi: dapd

Këtë herë Trojka nuk "kontrollon" vetëm librat kontabël. Në nivelet më të ulëta janë zhvilluar bisedime javën e kaluar, se si kanë ecur negociatat për faljen vullnetare të rreth 50 për qind të borxhit për Greqinë. Sipas njoftimeve të agjencive negociatat janë shumë të vështira. Heqja dorë e kreditorëve privatë nga një pjesë e detyrimeve të Greqisë, do ta zvogëlonte me 100 milionë barrën e borxheve greke. Ende të paqarta janë megjithatë kushtet. Sipas njoftimeve të medieve greke, qeveria ofron për obligacionet e reja shtetërore një normë interesi prej 4,5%. Por mbajtësit e obligacioneve kërkojnë 8%.

Horst Reichenbach, drejtues i "task force" të BE-sëFotografi: DW

Edhe ekspertët e së ashtuquajturës "task force" të BE-së nën drejtimin e gjermanit Horst Reichenbach janë sërish në mision. Task Force këshillon qeverinë greke në çështje të tilla si luftimi i evazionit fiskal, shkurtimi i buxhetit dhe rritja e transparencës në shtet. Organizata për bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në Evropë (OECD) javën e kaluar dha një vlerësim shkatërrimtar për Greqinë. Sipas një studimi të OECD-së aparati qeveritar grek nuk ka as kapacitetet dhe as aftësinë për ndërmarrjen e reformave të mëdha.

Paratë vazhdojnë të dalin jashtë Greqisë

Banka kombëtare në AthinëFotografi: dapd

Greqia këtë muaj i shpëtoi për pak shpalljes së falimentit. Praktikisht në minutën e fundit kreditorët ndërkombëtarë miratuan këstin e fundit prej 8 miliardë eurosh nga paketa e parë e shpëtimit. Aktualisht nga Greqia vazhdojnë transferimet e parave jashtë vendit. Gazeta greke "To Thema" njoftonte se gjatë muajve të kaluar gati gjysmë milioni grekë kanë tërhequr paratë nga institutet financiare vendase. Sipas statistikave të Bankës Qendrore Greke në dy vitet e kaluara transferimet e parave jashtë kapnin shifrën 62 miliardë euro. Vetëm në shtator dhe tetor të këtij viti kjo shumë ishte rreth 14 miliardë euro. Në nëntor kjo tendencë ka vazhduar me intensitet të lartë.

Autor: Gerhard M Friese / E. Xhani(dpa, afp, rtr)

Redaktoi: Angjelina Verbica