“Shpëtoni Venecian nga mbytja”! Aktivistët kërkojnë kufizimin e turistëve
6 Korrik 2011
Çdo vit, me mijëra turistë vizitojnë qytetin Italian, të magjepsur nga kanalet e bukura ujore, gondolat e famshme dhe laguna e veçantë. Por e gjithë kjo është në rrezik zhdukjeje.
Jo vetëm që uji po rrit nivelin e tij nga dita në ditë, por edhe projektet e mëdha të ndërtimit po shtojnë gjithmonë e më shumë, presionin ndaj qytetit dhe lagunës së Venecias. Një tjetër qytezë e vogël për turistët është duke u ndërtuar pranë aeroportit ndërsa ka plane edhe për të hapur një port të ri që mund të ankorojë anije deri në 5 mijë pasagjerë. Këtyre projekteve i shtohet edhe një plan për të përfshirë Venecian në linjën hekurudhore të trenave të shpejtë.
"Të gjitha këto spekullime po kërcënojnë qytetin dhe lagunën" thotë Alessandra Mottola Molfino, kryetarja e grupit të trashëgimisë kulturore me emrin Italia Nostra (Italia jonë).
Ajo tha se ndërtimet po shkatërrojnë habitatin natyror të lagunës, dhe dëmi që po vjen nga mijëra turistët, do të rëndohet edhe më shumë. Madje edhe anijet e vogla janë kthyer në një problem për ndotjen, sipas Molfinos.
"Të paktën 3 anije të mëdha me turistë, vijnë çdo ditë në Venecia, dhe gjatë një dite, qyteti ndotet, njësoj sikur të vinin 15 mijë makina njëherësh” tha Alessandra Mottola Molfino.
“Italia Nostra” kërkon që të ndalohen anijet e mëdha transoqeanike nga hyrja në port, si dhe të kërkohen nga grupet e tjerë të turistëve, që të prenotojnë kohë përpara se të vizitojnë Venecian.
Një tjetër shqetësim i madh për aktivistët italianë, është projekti i madh i ndërtimit që vazhdon prej muajsh, një investim 5 miliardë Euro që do të mobilizojë barriera të lëvizshme rreth lagunës, për të mbajtur nivelin e ujit të qëndrueshëm.
Autor: Aurel Boriçi
Redaktoi: Aida Cama