Shpresë për armëpushim në Izrael
4 Korrik 2014Gazeta palestineze "Al-Quds" informon të premten, se Hamasët palestinezë dhe Izraeli kanë rënë dakord për një ndalim të sulmeve reciproke. Dakordimi mendohet se është arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit. Objektivi është një armëpushim i plotë brenda 72 orësh.
Izraeli i ka kaluar forcat e tij në gatishmëri të lartë, për shkak të trazirave të mundshme: të premten (04.07) varroset palestinezi 16 vjeçar, i cili u gjet i vrarë të mërkurën pranë Jeruzalemit. Spekulohet se mund të jetë një akt hakmarrjeje: Izraeli kishte akuzuar Hamasët për rrëmbimin dhe vrasjen e tre nxënëse hebrej të fesë dhe pati thënë se do të marrë hak. Vrasja e të rinjve e pati nxitur konfliktin midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Kundërsulm deri tani nuk ka
Të premten pasdite gjendja ishte fillimisht e qetë. Pastaj udhëheqja izraelite njoftoi se e pati goditur me artileri Rripin e Gazës - si reagim ndaj sulmeve palestineze me raketa të premten në mëngjes. Sipas të dhënave të ushtrisë izraelite, u shkrepën gjithsej katër predha në drejtim të jugut të vendit. Njëra predhë u shkatërrua nga sistemi antiraketor "Kupola e hekurt", dy të tjera patën rënë në fushë.
Për shkak të vazhdimit të sulmeve me raketa nga rripi i Gazës, të enjten Izraeli i përforcoi trupat në kufi me zonat palestineze. Sipas të dhënave ushtarake, të enjten ranë më shumë se 40 raketa nga Rripi i Gazës në Izrael. Në qytetin kufitar Sderot u goditën dy shtëpi, por informacione për viktima nuk pati.
Hedhje reciproke faji
"Mënyra jonë e veprimit ka gjithmonë synin deeskalimin e gjendjes", tha një zëdhënës i ushtrisë. Por nga ana tjetër ushtria është e përgatitur, nëse pala tjetër nuk e qetëson situatën.
Banorë të Rripit të Gazës deklaruan nga ana e tyre se aviacioni izraelit, në sulmet ndaj institucioneve të Hamasve radikalë islamikë plagosi 15 vetë. Një zëdhënës i Hamasve e akuzoi Izraelin se ka thyer armëpushimin e vendosur që në vitin 2012.
Gjendje delikate në Gazë
Përballë shtimit masiv të tensioneve midis Izraelit dhe palestinezëve, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i bëri thirrje Izraelit që ta zbusë bllokadën e Rripit të Gazës. Gjendja ekonomike në rajonin e bllokuar bregdetar po keqësohet gjithnjë e më shumë "për shkak të pasigurisë së shtuar politike", paralajmëroi drejtori i FMN në Rripin e Gazës dhe në Jordanin Perëndimor, Christoph Duenwald. Kështu, një ndër dy të rritur në zonat palestineze është i papunë.