1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresë për dialog politik në Siri

22 Mars 2012

Për muaj me radhë të dy fuqitë me të drejtë vetoje, Kina dhe Rusia kanë penguar një rezolutë për Sirinë në KS të OKB-së. Tani, organi më i lartë i Kombeve të Bashkuara megjithatë ka arritur të flas njëzëri

Fotografi: dapd

Për një kthesë të re në rrugën drejt një rezolute të plotfuqishme për Sirinë nuk deshi të flas Lyall Grant, presidenti britanik i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo pyetje, sipas diplomatit, duhet t'i drejtohet Rusisë dhe Kinës: „Por miratimi i deklaratës presidenciale, tani për tani është një shenjë e qartë se Këshilli i Sigurimit mbështet me vendosmëri misionin e të ngarkuarit me Sirinë, Kofi Annan.”

Kështu shprehet ambasadori britanik në OKB. Megjithatë ky unitet ka çmimin e vet: për të zbutur qëndrimin e Rusisë dhe Kinës, Franca kishte dobësuar draftdeklaratën presidenciale të saj. Në tekstin prej një faqe e gjysmë është hequr dënimi i regjimit të Assadit, qeveria dhe opozita ftohen njëjtë për armëpushim dhe për hapjen e negociatave, sovraniteti dhe pavarësia e Sirisë theksohen në mënyrë demonstrative. Vetëm pas këtyre lëshimeve u arrit të sigurohej miratimi i Kinës dhe para së gjithash Rusisë. Kështu që ishte një triumf diplomatik, kur ambasadori i Moskës në OKB, Vitali Çurkin njoftoi se Këshilli i Sigurimit kishte vendosur më në fund për një vlerësim pragmatik të situatës në Siri. Çurkin tha se nuk bëhet fjalë për një ndryshim në qëndrimin e Rusisë.

Pamje nga HomsiFotografi: AP

Rusia me vendimin e sotëm qëndron saktë në linjën e përcaktuar që nga fillimi i krizës, tha Çurkin. Rusia dhe Kina edhe më tej përsërisin se do të përdorin veton e tyre në rast se provohet të dënohet regjimi i Assadit.

Deklarata shihet si një goditje e rëndësishme për regjimin e Assadit

Edhe pse deklarata presidenciale nuk do të ketë vlerën e një rezolute, diplomatët e vlerësojnë votimin si një goditje domethënse për udhëheqjen në Damask. Në dokument, të 15 anëtarët e KS të OKB-së i shprehin njëzëri mbështetje të plotë Kofi Annanit, të ngarkuarit të Kombeve të Bashkuara dhe Lidhjes Arabe me Sirinë. Kjo vlen edhe për planin gjashtëpikësh për zgjidhjen e krizës siriane të cilin Anan tashmë ia ka prezantuar udhëheqjes në Damask. Plani parashikon ndër të tjera një armëpushim të monituar nga OKB, qasjen e lirë të organizatave humanitare, lirimin e të burgosurve dhe tërheqjen e trupave qeveritare nga bastionet e protestave. Në Berlin, ministri i Jashtëm Guido Westerwelle foli për një hap të domosdoshëm përpara. Ai shfaqi shpresën se përmes këtij votimi tani do të krjohen kushtet për një dialog politik midis udhëheqjes siriane dhe opozitës.“Ky hap i nevojshëm sipas pikëpamjes gjermane është vonuar. Por tani ai është i mundur. Prandaj ai edhe duhet të bëhet tani në interes të njerëzve të cilët aktualisht vuajnë nga dhuna.”

Annan bisedon me Assadin në DamaskFotografi: picture-alliance/dpa

Sidoqoftë në deklaratë është hequr dorë nga kërkesa ultimative për zbatimin e planit gjashtëpikësh të Annanit. Edhe kjo është bërë pas ndërhryjes së Rusisë. Në versionin e miratuar tani nga Kofi Annani kërkohet që t'i raportojë rregullisht Këshillit të Sigurimit për ecurinë e misionit të tij. Dhe varësisht prej zhvillimeve Këshilli pastaj do të shqyrtojë mundësinë e ndërmarrjes së hapave të mëtejshëm.

Autor: Thomas Schmidt / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj