1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresa të pakta - Kryeministri i Izraelit në gjendje kritike

Torsten Teihman5 Janar 2006

Kryeministri i Izraelit, Ariel Sharon ka pësuar një apopleksi. Sipas të dhënave të mjekëve të tij pas një operacioni emergjence, që zgjati disa orë, Sharon vazhdon të jetë në gjendje kritike

Ariel Sharon
Ariel SharonFotografi: dpa - Bildfunk

Shqetësim, frikë dhe pasiguri. Vetëm mjekët e dinë, se çfarë po ndodh pas mureve të spitalit, Hadasah në Jeruzalem. Informacionet e tyre publikohen rregullisht, por në këto çaste ata japin pak shpresë. Kryeministri ende jeton. Drejtori i spitalit, Shlomo Mor Jozef e përshkruan mjaft serioze gjendjen e tij: "Gjatë operacionit mundëm t'a ndalojmë hemoragjinë cerebrale. Kryeministri Sharon ka marrë medikamente shtesë. Pas trajtimit paraprak është kryer edhe një tomografi për të parë pasojat e operacionit në tru. Jemi duke vazhduar operimin, sepse ende ka sektorë të tjerë që duhen trajtuar."

Kryeministri u shtrua në spital gjatë natës pas hemoragjisë cerebrale. Në mbrëmje ai ndodhej në çiflikun e tij në Jug të vendit dhe ankohej për dhimbje. Megjithatë fillimisht gjendja nuk dukej aq kritike. Por kur ai mbërriti në spital në Jeruzalem i humbi ndjenjat. Mjekët konstatuan hemoragji masive në tru dhe vendosën menjëherë për operacion. Trajtimi i parë zgjati gjashtë orë, shkruan gazeta "Haretz".

Sharon është 77 vjeç. Përpara tri javësh ai pësoi një apopleksi të lehtë. Bashkë me këshilltarët e tij ai megjithatë u përpoq që t´i hedhë poshtë spekulimet lidhur me gjendjen shëndetësore të tij. Madje së fundi u publikua edhe kartela mjekësore e tij, sepse Izraeli ndodhet në fushatë elektorale. Qysh në shenjat e para të sëmundjes së tij kundërshtarët politikë u përpoqën të nxisin largimin e tij nga politika.

Tani është e diskutueshme, nëse ai do të mund të kthehet ndonjëherë në postin e kryeministrit. Edhe të besuarit e tij kanë dyshime. Por të gjitha këto janë spekulative. Gjatë natës zëvendësi i Sharonit, Ehud Olmert morri përsipër drejtimin e aktivitetit qeveritar. Në mediet e Izraelit thuhet, se Olmert ka thirrur një mbledhje urgjente të kabinetit. Ai do të informojë antarët e tjerë të kabinetit lidhur me situatën. Përfaqësuesit e partisë, Likud në një reagim të parë siguruan, se nuk do t´i tërheqin ministrat nga kabineti, siç kishin planifikuar. Për popullsinë izraelite duket se nuk do të ketë rrethana të pasigurta. Sharon e ka lidhur fatin e tij ngushtë me të ardhmen e vendit.

Këshilltari i Sharonit, Ra'anan Gisin ndërkaq i tërhoqi vëmendjen vendeve fqinjë të Izraelit që të mos e nënvleftësojnë gjendjen e sigurisë. Në një intervistë për televizionin, CNN ai theksoi: "U tërheq vëmendjen të gjithë fqinjëve tanë në Veri të mos tentojnë të përfitojnë nga një situatë e tillë. Forcat tona të rendit dhe ushtria janë vendosur në gjendje të rregullt gatishmërie në të dyja frontet."