1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresat e mia mbështeten tek Evropa

Stephan Georgapoulos5 Nëntor 2005

Portret i kompozitorit të njohur grek, Mikis Teodorakis, me rastin e marrjes së Çmimit të Uneskos për Muzikën në Ahen të Gjermanisë

Mikis Teodorakis
Mikis Teodorakis

Mikis Teodorakis i lindur në ishullin e Egjeut, që në moshën 18 vjeçare u bashkua me lëvizjen e rezistencës kundër pushtimit italiano-gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me shpërthimin e Luftës Civile në Greqi në vitet 1946-1949, Teodorakis mori anën e të majtëve. Ai u arrestua dhe deportua disa herë. Pas kësaj ai filloi studimet në konservatorin e Parisit dhe është në të njëjtën klasë me Pierre Boule. Ndërkohë në vendlindjen e tij Teodorakis fillon të bëhet i njohur me këngët e tij të para.

Në vitet e diktaturës ushtarake në Greqi 1967-1974 Teodorakis u arrestua dhe u burgos. Prej vitit 1970 ai emigroi në Paris dhe prej kësaj kohe kompozitori i njohur ka dhënë mbi 1000 koncerte në të gjithë botën. Teodorakis është kthyer në simbol të lirisë dhe të drejtave të njeriut. Turnetë e tij muzikore gjatë viteve në emigracion e sollën Teodorakis edhe në Gjermani, ku ai gjeti mbështetjen dhe përkrahjen edhe të radios Deutsche Welle për luftën e tij kundër diktaturës në Greqi.

Pas rivendosjes së demokracisë në vitin 1974 ai u kthye në Greqi dhe u angazhua në politikë, si deputet i komunistëve. Megjithatë Teodorakis asnjëherë nuk u kthye në një politikan tipik partiak. Ai i qëndroi besnik vizioneve dhe parimeve të tij dhe nuk hezitonte t'i mbronte ato në mënyrë konsekuente edhe në opinionin publik. Në fundin e viteve 80-të në kohën kur mes Greqisë dhe Turqisë filloi të ashpërsohej konflikti, Teodorakis themeloi së bashku me mikun e tij turk, muzikant dhe politikan, Zylfi Livaneli "Inisiativën greko-turke të paqes", me qëllim nxitjen e dialogut mes të dy vendeve. Motoja e kësaj inisiative ishte: "Të ndërtojmë ura me ndihmën e kulturës", Teodorakis dhe Livaneli përmes koncerteve të përbashkëta i ofruan një mundësi popullatës së heshtur në të dyja vendet të deklarohej për paqen. Ndërkohë Teodorakis dhe Livaneli konsiderohen në të dyja vendet si simbole të afrimit greko-turk dhe si pararoja e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. Teodorakis e vlerëson kështu zhvillimin aktual të marrëdhënieve mes të dyja vendeve para sfondit të fillimit të negociatave të pranimit të Turqisë në BE: "Sot marrëdhëniet janë të mira. Ka pasur aty këtu tensionime. Prolemi ynë më i madh është, se në të dy vendet mungojnë politikanë vizionarë si Ataturku apo Venizellos. Politikanë, që ulen së bashku dhe bisedojnë për ato gjëra që na ndajnë dhe ofrojnë zgjidhje. Nga historia e dimë, se popuj të tjerë si Gjermania apo Franca duhet të mundnin plagë më të thella, miliona të vdekur të të dyja Luftërave Botërore. Urrejtja ishte e madhe. Por politikanë si Adenauer dhe de Gaulle u angazhuan për pajtimin mes të dy vendeve. Nuk është e vërtetë që turqit dhe greket kanë qenë gjihtmonë armiq dhe se do të mbeten të tillë."


Në një kohë kur lufta dhe terrori po bëhen të përditshme, kanë filluar sërish të shtrohen çështje kardinale, si lufta apo paqja. Mikis Teodorakis e sheh pikërisht këtu rolin dhe detyrën e Europës: "Europa është një gjigand i madh. Dhe kjo është ajo që e tremb SHBA. Ne ndodhemi në kryqëzim dhe duhet të vendosim: Luftë apo paqe? Kjo
është sot dilema më e madhe e njerëzimit. Të gjitha shpresat e mia mbështeten tek Europa. Dhe unë shpresoj që politikanët të dëgjojnë atë që duan që njerëzit. Unë jam i sigurtë që popujt e Europës duan paqen. Europa ka nevojë për një vizion të ri, i cili flet në emër të të gjithë njerëzimit. Sipas mendimit tim, Europa i ofron njerëzimit dy shërbime të mëdha. Paqen dhe kulturën. Gjithshka tjetër, si për shembull plotfuqishmërinë ekonomike dhe ushtarake e kanë në dorë amerikanët.

Edhe marrëdhënia e Teodorakis me Gjermaninë është interesante. Prej vitesh Teodorakis punon me orkestra dhe muzikantë gjermanë. Në asnjë vend tjetër ai nuk ka dhënë kaq shumë koncerte si në Gjermani.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW