Shqetësim për zgjerimin e konfliktit sirian
10 Mars 2013Janë shifra që tmerrojnë: më shumë se një milion sirianë janë sipas Kombeve të Bashkuara në arrati dhe ky numër është në rritje. Çdo ditë mijëra njerëz braktisin vendin. Strehim kërkojnë në vendet fqinje, kryesisht në Turqi, në Jordani dhe Liban. Kampet në Turqi dhe Jordani janë të tejmbushur, megjithëse shumë refugjatë kanë kërkuar strehim jashtë kampeve, nuk janë regjistruar nga Kombet e Bashkuara dhe duhet të kujdesen vetë për veten. Numri i lartë i refugjatëve e vendos Turqinë, Jordaninë dhe Libanin para sfidave të mëdha. Ato prej kohësh ndiejnë pasojat e luftës civile siriane. Por ndërkohë kriza ndihet edhe në Irak dhe Izrael.
Atentat ndaj ushtarëve sirianë
Në Irak javën e kaluar u vranë më shumë se 40 ushtarë sirianë. Ata kishin kërkuar strehim në territorin irakian. Rrugës në kthim për në atdhe ushtarët u sulmuan nga një grup i armatosur. Se kush janë autorët është e paqartë, por ishte hera e dytë brenda pak ditësh që konflikti në Siri shtrihej edhe në territorin irakian. Disa ditë më parë në një pikë kufitare ishte vrarë një ushtar irakian dhe tre persona të tjerë. Incidentet ushqejnë frikën se kriza në Siri mund të përhapet edhe në vendin fqinj.
Ndryshe nga qeveria turke, e cila prej kohësh mbështet kundërshtarët e presidentit sirian Bashar al Assad, qeveria irakiane kryesisht ka heshtur në lidhje me konfliktin sirian: nga Bagdati nuk ka pasur deri tani thirrje për dorëheqje të presidentit sirian. "Qeveria irakiane aktualisht nuk mund të vlerësojë saktë se cilën palë duhet të mbështesë", thotë Henner Fürtig, ekspert për Irakun pranë institutit GIGA në Hamburg për studime mbi Lindjen e Mesme. "Për këtë arsye ajo është e interesuar të mos pozicionohet qartë."
Shqetësim për ekstremistët
Kanë kaluar vetëm pak vite nga lufta civile në Irak: gjatë viteve 2006 dhe 2007 rrjeti terrorist sunit Al Kaida ndezi një luftë mes grupeve sunite dhe shiite të popullsisë. Henner Fürtig druhet se tani konflikti në Irak mund të shpërthejë përsëri. "Pakica sunite arabe në Irak i sheh veçanërisht me vëmendje zhvillimet në Siri", thotë eksperti për Lindjen e Afërt. "Ka shumë të ngjarë që në valën e flukseve më të mëdha të refugjatëve të rindizen konfliktet e besimit në Irak dhe sunitët irakianë të ndiejnë mbështetje nga ngjarjet në Siri dhe të veprojnë përkatësisht."
Por jo vetëm vendet arabe i druhen përhapjes së konfliktit të Sirisë. Edhe në Izrael situata në vendin fqinj shihet me shqetësim. Me rrëmbimin të mërkurën (06.03.2013) të 21 ushtarëve të OKB-së nga rebelët sirianë në lartësitë Golan, të pushtuara nga Izraeli, konflikti është ashpërsuar.
Edhe pse Izraeli dhe Iraku kanë interesa krejt të ndryshme politike, qeveritë ndajnë të njëjtin shqetësim: "Shqetësimi më i madh i Izraelit është që në vend të Assadit në Siri të vendoset një regjim ekstremist, islamist, për shembull nën drejtimin e Al Kaidës apo Vëllazërisë Myslimane", thotë eksperti për Lindjen e Afërt, Udo Steinbach. "Me regjimin e Assadit izraelitët kanë bashkëpunuar prej vitesh. Tani ata druhen se marrëdhëniet izraelito-siriane mund të kalojnë në një stad të dhunshëm."
Skepticizëm në Izrael
Për këtë arsye izraelitët e shohin me skepticizëm një ndryshim pushteti në Damask. Vërtet Izraeli dhe Siria nuk kanë nënshkruar kurrë një marrëveshje paqeje, edhe për shkak lartësive të pushtuara Golan. Por vitet e kaluara dy vendet kishin arritur një status quo, e cila përjashtonte konfliktet e armatosura apo këmbimet e zjarrit në kufi. Incidentet si rrëmbimi i helmetkaltërve, ngrenë në palën izraelite shqetësimin se kësaj kohe tani po i vjen fundi.