1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: arsimtarët kërkojnë miratimin e statusit të mësuesit

6 Mars 2010

Për aktivistët e sindikatës së arsimit një nga problemet shqetësuese është rekrutimi dhe lëvizja pa kriter profesional e mësuesve. Vetë arsimtarët mendojnë se është koha për miratimin e statusit të mësuesit.

Nxënës në një shkollë fillore në Tiranë.
Fotografi: DW/Arben Muka

Rustem Murrja prej 40 viteve punon si arsimtar. Ai e ka nisur aktivitetin me mësimdhënien në rrethin e Dibrës dhe në 13 vitet e fundit jep lëndën e gjuhë letërsisë në shkollën 9 vjeçare “Androkli Kostallari” në periferi të Tiranës, në zonën e Shkozës. Rustemi thotë se vit pas viti ka përmirësime në rolin e mësuesve në shkollë, në metodat e mësimdhënies, në raportet me nxënësit apo dhe me vetë trupën pedagogjike. Por ai thotë për Deutsche Welle-n se ka ardhur koha që të standartizohen detyrat dhe të drejtat e atyre që punojnë në arsim.

Rustem Murrja, mësues në shkollën "Androkli Kostallari" në Tiranë.Fotografi: DW/Arben Muka

“Do të ishte mirë përgatitja e një statusi për mësuesin. Mungesa e statusit duket sikur e lë atë jo shumë aktiv. Me miratimin e tij ai do ta ndjente veten më të qetë, ai natyrisht do të kishte shumë detyrime por dhe më shumë të drejta. Marrëdhëniet me punëdhënësin do të ishin shumë të avancuara, problemet do të zgjidheshin me anë të statusit. Nuk do të kishte nevojë për ndërhyrje të gjykatës e të strukturave të tjera shtetërore”, thotë Rustem Murrja.

Prof. Xhafer Dobrosha, kryetar i Federatës sindikale të arsimit thotë se organizata e tij është përballur me vendimet arbitrare të autoriteteve zyrtare në shkeljen e kontratave me mësuesit, duke i larguar ata në kundërshtim me përmbajtjen e tyre. Ai i referohet një fakti të fundit kur nga presioni që kane bërë dy organizatat sindikale kryesore për këtë çështje, rreth 300 mësues e kanë fituar të drejtën duke u paguar për periudhën e ndërprerjes së kontratës në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Arsimit.

Ne e kemi në fokus përcaktimin rigoroz të kushteve të emërimeve për mësuesit apo punonjësit në sektorin ndihmës të arsimit. Po kështu dhe për lëvizjet ose transferimet e tyre, thotë Prof. Xhafer Dobrusha për DW.

Prof. Xhafer Dobrosha, kryetar i Federatës sindikale të arsimit.Fotografi: DW/Arben Muka

“Ne jemi duke i negociuar ato me Ministrine e Arsimit dhe Shkencës për të ndërtuar një tjetër kontratë kolektive pas kësaj që kemi me një afat rreth 4 vjet. Po përpiqemi që këtë ta zgjidhim mbi bazën e legjislacionit shqiptar, mbi bazën e kontratave të mëparshme që kemi nënshkruar dhe mbi bazën e konventave ndërkombëtare, të cilat përbëjnë dhe standartet e sotme të punësimit në arsim. Sepse në këtë sektor punësimi bëhet me kontratë kolektive. Parametrat, treguesit, kushtet vihen në këtë kontratë dhe fiskohen mirë dhe të jenë të standarteve bashkëkohore.”

Prof. Dobrusha e shikon pozitivisht tendencën e rritjes sistematike të pagave në sektorin e arsimit, krahasur kjo dhe me sektorë të tjerë që mbahen po nga buxheti i shtetit.

“Në shumë vende të rajonit, por dhe në vende të tjera të Evropës Përendimore pagat në arsim jo vetëm që nuk rriten, por për shkak të krizës ato edhe ulen përgjithësisht. Ndërsa ne kemi rritje të pagave. Natyrisht që këtu ka probleme të tjera siç është inflacioni, por shkalla e rritjes është më e madhe se e sektorëve të tjerë”, thotë Dobrusha.

Mësuesi i gjeografisë në shkollën “Androkli Kostallari”, Gëzim Tushe, mendon se duhet të ketë diferencim në trajtimin financiar apo ngarkesën mësimore për mësuesit me vjetërsi të madhe në punë. Për ata që kanë kaluar 60 vjetët, të ketë një nivel më të ulët të orëve të mësimit që duhet të japin, thotë Tushe për Deutsche Welle-n. Sipas tij dhe për mësuesit e rinj duhet të ketë vëmendje për angazhimin e tyre në klasë e jashtë saj.

“Mësuesit që vijnë për herë të parë kanë vështirësi, që nga metodat e mësimdhënies, nga mënyra se si krijojnë marrëdhënie me nxënësit e deri pastaj tek cilësia e mësimdhënies. Ndaj këtu ka vend për përmirësim qysh nga shkollat e larta që përgatisin mësuesit, plus dhe puna kualifikuese që duhet të bëjë drejtoria arsimore për ta”, mendon Tushe.

Në të gjithë piramidën arsimore të Shqipërisë, nga sistemi parashkollor deri në atë universitar janë rreth 45 mijë mësues, pedagogë si dhe punonjës të sektorit mbështetës për ta. Ky numër zë rreth 45 përqind të numrit total të punonjësve që mbahen nga buxheti i shtetit në vend.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Eliana Xhani