1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moskreditimi shkakton probleme për biznesin

Arben Muka / Tiranë11 Shtator 2013

Moskreditimi ka vënë në pozitë të vështirë bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri. Sektori më jetik në ekonominë e vendit është në raportet më problematike me bankat.

Fotografi: Arben Muka

Bizneset e vogla dhe të mesme përbëjnë mbi 95 përqind të biznesit në tërësi në Shqipëri. Kontribuojnë në gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto, kanë 80 përqind të investimeve dhe aty aktivizohen rreth 200 mijë të punësuar. Por megjithatë ky është sektori që vuan prej kohësh mungesën e kredive, si një tregues që ka favorizuar drejtëpërdrejt ngadalësimin e ritmeve të rritjes së ekonomisë shqiptare, dhe ka ndikuar në rritjen e papunësisë, uljen e mirëqënies, keqësimit të bilancit tregëtar etj.

Burimi - kreditë problematike

Shpëtim Luku, analist i çështjeve të ekonomisë në media, mendon se prirja per rënie të kreditimit të ekonomisë në tërësi dhe sipërmarrjeve të vogla e të mesme në veçanti nuk është thjesht një perceptim në publik, por fakt i verifikuar nga statistikat që raporton dhe Banka e Shqipërisë. Kredia për ekonominë, sipas BSH-së, po shënon ritmet më të ulëta të rritjes në dekadën e fundit, duke ndikuar negativisht në rigjallërimin e ekonomisë së dobët shqiptare, thotë Luku për DW: "Ky vit rezulton të jetë më i keqi sa i përket financimit të ekonomisë, që nga vitet e para të mijëvjeçarit të ri, kur sistemi bankar filloi të zhvillohej vrullshëm. Bankat janë përqendruar vetëm në kthimin e kredive dhe sidomos në rikuperimin e atyre me probleme, duke e ndërprerë tërësisht huadhënien për bizneset apo individët. Pra, edhe për bizneset e vogla e të mesme. Pikërisht tek kreditë e këqija duhet kërkuar edhe shkaku i parë pse bankat kanë rritur mosbesimin, ose thënë ndryshe 'vigjilencën', dhe janë bërë më të kujdesshme në shqyrtimin dhe akordimin e kredive".

Shpëtim Luku, analist i çështjeve të ekonomisë në media.Fotografi: Arben Muka

Shpëtim Luku i referohet të dhënave që rreth 25 për qind e totalit të kredisë rezulton me probleme, nga këto, mbi 300 milionë euro konsiderohen si të humbura. Sipas tij tashmë bankat e nivelit të dytë "të djegura nga ajo çfarë kanë krijuar ndër vite, nga praktikat e pakujdeshme, të pastudiuara e të korruptuara të dhënies së kredive, janë në situatën që i "fryjnë dhe kosit".

"Në këtë mënyrë, edhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme iu duhet të vuajnë këtë rol skrupulozi të bankave shqiptare. Mua më duken me efekte të papërfillshme apelet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për rritje të rolit kreditues të bankave apo masa të tilla sikurse janë ulja e interesave bazë nga ky institucion".

Bankat duhet të operojnë në partneritet me biznesin

Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, mendon se ndërpreja e kreditimit për bizneset e vogla dhe të mesme do të thotë dhe humbje terreni për aktivitetin e iniciativave që mbështesin këtë sektor jetik. "Fondacionet që akordojnë mikrokredi apo bankat e nivelit të dytë, duhet të jenë më të vëmendshme, duke mos paragjykuar sipërmarrjen në tërësi, por duke trajtuar kërkesat rast pas rasti. Kjo do të favorizonte në radhë të parë mbështetjen për bizneset që janë aktive dhe me perspektivë ecurie të qëndrueshme në treg. Organizata jonë e ka në qendër të vëmendjes raportin mes biznesit e bankave, të cilin nga ajo që ndodh deri më tani ne e vlerësojmë si të njëanshëm. Bankat, le ta themi hapur, ndjekin jo politikën e partneritetit me sipaërmmarjen por atë të vasalitetit. Droja dhe ngurrimi është në disfavor edhe të sektorit bankar dhe ne presim reflektim për zhbllokimin e situatës ku jemi" - thotë për DW Nikolin Jaka nga Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës.

Nikolin Jaka, Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës.Fotografi: DW/Arben Muka

Për analistin Shpëtim Luku jo gjithçka i duhet faturuar bankave, sepse në arsyetimin e tij ngurrimin për dhënie kredie e stimulon edhe vetë biznesi, i cili deri tani paraqitet i ngurtë në ide, pa shumë kreativitet e vizion. "Sot biznesi shqiptar paraqitet me sektorë të superbombarduar me investime, ndaj sektorë të tillë nuk gëzojnë më kredibilitet në sektorin bankar. Mjafton të kujtojmë sektorin e ndërtimit dhe bizneset e tjera të lidhura me të, i klasifikuar në sektorët me besueshmëri zero".