Shqipëri: Dita e 100 e protestës
8 Shtator 2026
Që prej 31 majit, bulevardi "Dëshmorët e Kombit” ka mbledhur qindra mijëra protestues. Gjatë më shumë se dy muajve Shqipëria ka njohur protestën më jetëgjatë në histori, në atë që njihet si "Revolucioni i Flamingove”.
Protestuesit të kapur dorë për dore rrethuan mbrëmjen e së hënës (07.09.2026) kryeministrinë e më pas vijuan marshimin në qytet.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si "Shqipëria nuk është për shitje!” dhe bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili e mbështet projektin.
Çfarë është arritur në 100 ditë protestë?
Ajo që fillimisht nisi si një prostestë kundër projektit në Zvërnec të lidhur me dhëndrin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, më pas u shndërrua në një revoltë kundër qeverisë dhe opozitës, duke shprehur hapur kërkesa të qarta, më kryesorja dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Një ndër aktivistet e protestës beson se është arritur shumë: "E para shqiptarët kanë thyer frikën dhe e ka kuptuar që qeveria nuk do duhet t'i dëgjoj vetëm ditën e votimeve, por duhet t'i dëgjojë gjithmonë. E dyta besoj qe kemi treguar që qeveria shqiptare nuk është ajo që mundohet të prezantohet në media shqiptare dhe ndërkombëtare”.
Rrezikohen zonat e shumimit të flamingove
Vala e protestave drejtohet kundër planit për ndërtimin në pjesë të lagunës së Nartës, në deltën e lumit Vjosa, nga investitorë amerikanë. Rolin kryesor e ka një kompani e Jared Kushner-it, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Në gjirin e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit parashikohet të ndërtohen hotele luksoze, komplekse vilash dhe objekte argëtimi.
Ambientalistët druajnë se ky projekt mund të dëmtojë në mënyrë të qëndrueshme ekosistemin e ndjeshëm të deltës së Vjosës në brigjet e Adriatikut. Kjo zonë përfshin vende pushimi dhe shumimi për flamingot, çafkat dhe shumë lloje të tjera shpendësh. Duke qenë se shumë protestues sjellin vazhdimisht figura flamingosh të punuara prej kartoni, lëvizja ka marrë në media emrin "Revolucioni i Flamingove”.
Reagimi i kryeministrit të Shqipërisë ndaj protestës
Edhe pse fillimisht kryeministri Edi Rama i akuzoi protestuesit si të ndikuar nga vendet e huaja jo mike të Shqipërisë, më pas i akuzoi se po dëmtonin imazhin e Shqipërisë, por në fund Rama u detyrua të pranonte se disa shqetësime nga bulevardi ishin të drejta.
"Qëndresa nuk matet me numra, por me rezistencë”
Ndërsa në fillim të protestave merrnin pjesë mijëra, madje ndonjëherë edhe dhjetëra mijëra njerëz, të hënën në demonstratë morën pjesë sipas vlerësimeve disa qindra deri në një mijë persona, siç u pa në një transmetim video. "Qëndresa nuk matet me numra, por me rezistencë”, u tha njëri nga folësit protestuesve.
dpa/dw/bk