1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Kushtetuesja kthen zv/kryeministren në detyrë

12 Dhjetor 2025

Analisti Lutfi Dervishi, duke analizuar për DW vendimin e Kushtetueses për rastin e zv/kryeministres thekson, se Gjykata është përballë një dileme, pasi çështja nuk është 100% juridike, por e ndërthurur me politikën.

Pamje e ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Tiranë
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku mund të rikthehet në zyrë sapo vendimi të botohet në Fletoren Zyrtare, ndërsa seanca publike për shqyrtimin e ankimimit të qeverisë do të zhvillohet më 22 janar. Fotografi: Rashela Shehu

Gjykata Kushtetuese vendosi këtë të premte (12.12.2025) rikthimin në detyrë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke rrëzuar masën e pezullimit të vendosur më 20 nëntor 2025 nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).

Vendimi në Gjykatën Kushtetuese u mor me një shumicë të ngushtë votash, 5 pro dhe 3 kundër, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga kryeministri Edi Rama.

Zëvendëskryeministrja Belinda Ballukumund të rikthehet në zyrë sapo vendimi të botohet në Fletoren Zyrtare, ndërsa seanca publike për shqyrtimin e ankimimit të qeverisë do të zhvillohet më 22 janar.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se vijimi i masës ndaluese ndaj Ballukut "rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërore dhe ushtrimin e kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në përcaktimin e politikave të përgjithshme shtetërore”.

Dervishi: Gjykata është përballë një dileme

Vendimi me një shumice të ngushtë votash, 5 pro dhe 3 kundër, tregon sipas analistit politik Lutfi Dervishi, se Gjykata nuk është përballur me një çështje thjesht teknike. "Gjykata është përballë një dileme, pasi çështja nuk është 100% juridike, por e ndërthurur me politikën”- thotë Dervishi për DW. Sipas tij, vendime të tilla priren të nxisin debat dhe tension politik, për shkak të implikimeve që shkojnë përtej aspektit ligjor. Rasti, sipas analistit, krijon një precedent me pasoja afatgjata institucionale. "Çështja e zëvendëskryeministres është shndërruar në një precedent që do të përcaktojë kufijtë mes SPAK, GJKKO, qeverisë dhe vetë Gjykatës Kushtetuese,” shton ai, duke e konsideruar vendimin e fundit si një parathënie të atij përfundimtar që pritet më 22 janar.

Opozita paralajmëron protesta

Deri më tani, mazhoranca nuk ka asnjë reagim publik për miratimin e kërkesës së paraqitur në mbështetje të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Nga ana tjetër, opozita e ka lexuar qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese si shenjë të ndikimit politik në sistemin e drejtësisë. Duke folur nga Elbasani, kreu i opozitës Sali Berisha e cilësoi vendimin si të diktuar nga kryeministri dhe paralajmëroi protesta. "Sot Rama diktoi gjykatën dhe i hoqi masën e pezullimit. Çfarë do bëjmë ne? Do të ngrihemi dhe nuk do të ndalemi deri në largimin e tyre. Ose do të votojmë të lirë ose do të shuhemi” - u shpreh Berisha.

Sipas analistit Lutfi Dervishi vendimi pritet të ushqejë narrativa të kundërta politike. "Për qeverinë, kjo do të thotë vazhdim i narratives, se po i cënohen kompetencat. Për opozitën, është një arsye më shumë për të mbajtur ndezur akuzën për kapje institucionesh” - shprehet ai.

Akuzat e SPAK-ut

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK më 31 tetor 2025, nën akuzën për shkelje të barazisë në tendera. Hetimi ka në qendër procedurën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, një projekt prej rreth 190 milionë eurosh.

Vetë Balluku i ka cilësuar akuzat dhe komentet publike ndaj saj si të pabazuara dhe ka deklaruar se nuk do të prononcohet mbi çështjen nën hetim "derisa e vërteta të marrë formë të prerë, cilado qoftë ajo”. Ajo është pjesë e qeverisë së kryeministrit Rama që prej vitit 2019, duke drejtuar për më shumë se pesë vjet një nga portofolët më të mëdhenj të kabinetit.

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW