1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Kryeministri Rama shpall ndryshimet në qeveri

28 Dhjetor 2018

Presidenti Ilir Meta tha se ndryshimet nuk vlejnë pa një filozofi bashkëpunuese të qeverisjes.

Edi Rama Albanien spricht im Parlament in Tirana
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/H.Pustina

Kryeministri Rama shkarkoi të premten paradite ( 28.12.2018) shtatë anëtarë të kabinetit të tij. Zëvendëskryeministrja Senida Mesi zëvendësohet nga deputeti socialist Erion Braҫe, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj zëvendësohet nga Anila Denaj, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zëvendësohet nga Genci Cakaj, aktualisht zëvendësministër i jashtëm, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri zëvendësohet nga Belinda Balluku, ish-Drejtore e Aviacionit Civil, ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural Niko Peleshi zëvendësohet nga deputeti socialist Blendi Çuҫi, ish-ministër Shteti për Çështjet Vendore, ministrja e Sipërmarrjes dhe Biznesit Sonila Qato zëvendësohet nga ish-Ministri i Pushtetit Lokal, deputeti socialist Eduard Shalësi, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla zëvendësohet nga Besa Shahini, aktualisht zëvendësministre e Arsimit, Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës zëvendësohet nga Elva Margariti.

Në qeverinë e sapoformuar të Tiranës, për herë  të parë që nga vitet 40-të të shekullit të kaluar, pra pas rreth 80 vitesh, bëjnë pjesë dy ministra nga Kosova: Genci Cakaj, ministër i Jashtëm dhe Besa Shahini, ministre e Arsimit. Kabineti i sapoformuar qeverisës përbëhet kryesisht nga gra, ish-drejtore drejtorish dhe jo nga figura politike te PS.

Meta- ndryshimet në qeveri nuk vlejnë, pa një filozofi bashkëpunuese

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur rezerva lidhur me ndikimin pozitiv të ndryshimeve në qeveri. Sipas tij "nëse nuk ndryshojnë politikat dhe filozofia e qeverisjes, ndryshimet e emrave nuk kanë rëndësi”.

"Është e rëndësishme të ndryshojë filozofia e qeverisjes, që duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese me opozitën, me grupet e interesit, me institucionet e pavarura sepse kjo do të na ndihmojë që të jemi më reflektues për të sjellë ato ndryshime që kanë nevojë njerëzit në vështirësi, një pjesë e mirë e shqiptarëve, për të zgjeruar dhe konsoliduar shtresën e mesme,që është domosdoshmëri për të shmangur një ndarje sociale që mund të bëhej shumë e rrezikshme për shoqërinë”, ka theksuar në një deklaratë të tij Presidenti Meta.

Protesta e studentëve - shkëndija për ndryshimet

Arsyet e shkarkimit të shtatë anëtarëve të kabinetit mund të jenë disa. Vetë kryemnistri Rama tha të premten, se "do të largohen ata ministra që kanë pesë vite në detyrë", pra  që kanë qënë edhe në qeverinë Rama 1. Konsumim pushteti apo mungesë rezultatesh? Këtë kryemnistri Rama nuk e cilësoi. Por tha qartë se protesta e studentëve, e nisur në fillim të këtij muaji, për tarifat e studimit dhe kushtet e jetesës në kampuset universitare, e paralajmëruar për të rifilluar në janar 2019,  ishte "një mundësi e mirëseardhur" për ndryshim.

„Një mundësi e mirëseardhur në formën e një reagimi shumë kuptimplotë, në emër të një jete më të mirë universitare. Përtej kushteve, indiferencës ndaj politikës, edhe kur çirreshin para fytyrës sime "Turp, turp”, ata shihnin dhe shohin në drejtimin tonë sepse jemi mundësia e vetme për ta. Ata na dhanë një shuplakë që mua më përvëlon si ditën e parë dhe unë zgjodha të kthej faqen tjetër,”argumentoi, kryemnistri Rama furtunën në qeverinë e tij.

Opozita – ndryshime që tregojnë lidhjen e qeverisë me krimin 

Dy nga ministrat e shkarkuar, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri kanë qënë në shënjëster të akuzave të opozitës për korrupsion. Opozita e konsideron largimin e tyre nga qeveria si vërtetim të akuzave të saj. Si shkak për pakënaqësinë ndaj qeverisë Rama 2, të sintetizuar në protestën e studentëve, kryeministri paraqitit edhe atë që ai e quajti ”mpirje të qeverisjes, ulje të kapaciteteve reaguese nga mungesa e opozitës, që u ka dhënë socialistëve komfortin të jenë zgjidhja e vetme”. 

Por  opozita nuk i konsideron ndryshimet si shenjë të vullnetit dhe përpjekjeve për të  përmirësuar qeverisjen. Kryetari i PD, Lulzim Basha theksoi në një deklaratë për mediat se "ministrat e rinj janë një përzierje njërëzish të paaftë, anonimë dhe thellësisht të korruptuar. Roli i tyre i vetëm është të shërbejnë si fasadë për qeverisjen e Ramës direkt me oligarkët dhe krimin”.