1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri – liria e shtypit pjesërisht e lirë

3 Maj 2018

Edhe këtë vit Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen Shqipërinë me një nivel prej 29,9 pikësh në "Indeksin Ndërkombërar të Lirisë së Shtypit 2018“ të organizatës "Reporterë pa Kufi“.

Zeitungen Kiosk Albanien
Fotografi: DW/E. Xhelo

Pranë nivelit të Shqipërisë janë Serbia me 29.58 pikë dhe Kosova me 29.61. Sa më të ulta pikët në këtë indeks, aq më i lartë niveli i lirisë së shtypit. Vendin e parë në 180 vende të botës që përfshin indeksi në fjalë, e zë Norvegjia me 7.62 pikë dhe vendin e fundit Koreja e Veriut me 88.87 pikë. Në raportin „Kombe në tranzicion - 2018 të Freedom House Shqipëria klasifikohet si një vend, ku liria e shtypit është " pjesërisht e lirë”.

Mëkate që e bëjnë shtypin në Shqipëri „pjesërisht të lirë"

Nga jashtë media në Shqipëri shfaqet mjaft dinamike: 20 gazeta ditore, 71 radio stacione, 70 stacione televizive dhe 109 televizione kabllorë dhe media të panumërta në internet. Por brenda, në thelbin e saj, media elektronike dhe ajo e shkruar rezulton një biznes për interesa ekonomike dhe politike të një grushti pronarësh, që numërohen me gishtat e vetëm një dore. Në një raport të përbashkët të „Gazetarë pa Kufi"- Gjermani dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN),  Shqipëri, të publikuar në Mars të këtij viti, konstatohet që pronësia e medias elektronike dhe asaj të shkruar është " e përqendruar në duart e disa biznesmenëve të mëdhenj”. Për pasojë gazetarët për të ruajtur vendin e punës vëtë-censurohen. Vetë-censurës i shtohet edhe pavarësia e limituar e redaktorëve. Janë pronarët e mediave ata që diktojnë përmbajtjen e produkteve të gazetarëve.  Sipas raportit "Kombe në tranzicion- Shqipëria 2018” të Freedom House , "ka një lidhje të ngushtë midis politikës, biznesit dhe medias”  . Kjo e bën të vështirë që media të luajë rolin e saj genuin si "watch dog” , pra të mbajë nën kontroll pushtetin dhe llogaridhënien e pushtetarëve.

Fotografi: picture-alliance/Eventpress/Stauffenberg

Prej kësaj situate buron edhe  një "mëkat” tjetër. Aleksandër Çipa, analist i pavarur, kryetar i Unionit të Gazeëtarëve Profesionistë të Shqipërisë thotë për DW: "Informaliteti, puna në të zezë e gazetarëve, mungesa e kontratave të punës minon lirinë e shtypit. Informaliteti në media në Shqipëri konsiderohet më i larti në Ballkanin Perëndimor. Sipas të dhënave të Unionit vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti  ka 2 658 gazetarë të angazhuar në sektorin e medias, ndërsa numri i punonjësve është rreth 6200 persona që nuk kanë kontrata pune kolektive apo individuale dhe as janë krijuar mundësi që ata të organizohen në sindikata”

Aleksandër ÇipaFotografi: DW/A.Muka

Prirja pozitive e zhvillimit të mediave të reja - në anarki dhe kaos

Shqipëria po përjeton një "boom” të mediave on line  që konsiderohet një dukuri positive. Kjo ka sjellë kalimin e gazetarëve dhe të publikut nga media elektronike dhe ajo e shkruar tek media on-line gjë që e ka ndihmuar shtrirja e internetit në të gjithë vendin.  Aleksandër Çipa  mendon se mediat e reja po zhvillohen në anarki dhe kaos.

"Kjo mënyrë zhvillimi cënon ecjen drejt një media on-line të shëndetshme dhe funksionale. Në këtë zhvillim kaotik ulet besueshmëria dhe vlerësimi i integritetit profesional të gazetarëve. Proceset vetërregulluese në Shqipëri pothuajse lëvizin me logjikën "një hap para, dy pas".