Shqipëri: Minoretar kush të dojë
17 Shtator 2007
Në një rezolutë të shpallur për opinionin publik thuhet se nëse nuk respektohet kjo kërkesë PBDNj do të ikë nga koalicioni qeverisës me mazhorancën e djathtë.
Kryetari Omonias Jani Jani thotë se Rezolutën do t’ja dërgojnë kryeministrit të Shqipërisë, vendeve të Bashkimit Europian dhe organizmave ndërkombëtarë.
Organizata e minoritetit grek në Shqipëri Omonia i është rikthyer kërkesës së hershme të saj duke i kërkuar qeverisë shqiptare të fillojë procesin e regjistrimit të minoritarëve sipas parimit të vetëdeklarimit. Kryesia e organizatës Omonia, e mbledhur në Sarandë sipas kryetarit të saj konstaton, se "në Shqipëri ka faktorë institucionalë që bëjnë përpjekje për të minimizuar të drejtat e minoriteteve e kryesisht të minoritetit grek".
Kryesia e Omonias miratoi edhe një rezolutë të shpallur për opinionin publik ku thuhet se nëse nuk respektohet kërkesa e saj për regjistrimin sipas parimit të vetëdeklarimit, PBDNj do të ikë nga koalicioni qeverisës me mazhorancën e djathtë. Në deklaratë thuhet se pas kërkesave të kësaj organizate, Bashkimi Europian disa herë ka përmendur në mënyrë taksative problemin e rregjistrimit të minoriteteve, për të saktësuar gjendjen demografike në shqipëri dhe politikat përkatëse për probleme të zhvillimit.
Jani Jani thotë se Rezolutën e kryesisë së Omonias do t’ja dërgojnë kryeministrit të Shqipërisë, vendeve të Bashkimit Europian dhe organizmave ndërkombëtarë. Nëse kjo rezolutë nuk merret parasysh përmbyll Jani Jani, Omonia do të përshkallëzojë veprimet e saj për realizimin e kërkesave të shtruara.