1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Opozita në protestë mbarëkombëtare

29 Tetor 2024

Opozita në Shqipëri protestoi këtë të martë (29.10) duke e shtrirë në gjashtë akse kryesore të vendit “aktin e revoltës së mosbindjes civile”, e dyta radhazi pas asaj të 7 tetorit.

Protestues të mbledhur në rrugë në Tiranë dhe përballë tyre ndodhen radhët e policisë
Protesta e opozitës në TiranëFotografi: Rashela Shehu/DW

Protestuesit përsëritën kërkesat për formimin e një qeverie teknike deri në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, si dhe lirimin e liderëve të opozitës në Shqipëri. Protesta u shoqërua me djegie të gomave dhe disa përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Opozita vijon "mosbindjen civile”

Deputetët e opozitës shqiptare ndaluan makinat e tyre në mbikalimin e Kamzës, në hyrje të Tiranës, duke njoftuar zyrtarisht nisjen e protestës, prej orës 17:00 të së martës. E njëjta skenë u përsërit edhe në pesë rrethrrotullime të tjera të vendit, në Shkozet, Bradashesh, Rrogozhinë, Levan dhe Milot, duke sjellë bllokimin e qarkullimit rrugor. Vetëm autoambulancat u lejuan që të kalonin. Me qindra simpatizantë të djathtë iu bashkuan deputetëve në mosbindjen civile të nisur prej 7 tetorit, duke artikuluar për rreth tri orë kërkesën për krijimin e një kabineti teknik, që do ta udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e pranverës së ardhshme. Po ashtu ata përsëriten thirrjet për lirimin e lidershipit të opozitës, kryetarin e Partisë Demokrate, Sali Berisha, dhe kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ky i fundit i arrestuar nga SPAK gjatë javës së kaluar.
 

Protestuesit djegin goma dhe përplasen me policinë

Protesta e opozitës e përqëndruar në akset kryesore të vendit, u shoqërua me diegie të gomave dhe me disa momente tensioni mes mbështetësve të opozitës dhe policisë së shtetit. Kjo e fundit kërkoi disa herë nga protestuesit që të zhbllokonin rrugët për të bërë të mundur kalimin e automjeteve, duke hasur në kundështimin e tyre.

Protestuesit u vënë zjarr gomave të makinaveFotografi: Rashela Shehu/DW

"Kauza e opozitës është për votën e lirë dhe një Shqipëri demokratike” – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka. Më tej ai paralajmëroi se opozita do ta vijojë mosbindjen civile përmes akteve të tjera "deri në rrëzimin e regjimit të Edi Ramës”. Protestës së opozitës iu bashkua në rrethrrotullimin e Kamzës, aty ku u arrestua gjatë javës së kaluar ish-presidenti Ilir Meta, edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Ai lëshoi akuza ndaj drejtësisë shqiptare, teksa bëri thirrje se kjo lëvizje e opozitës do të përshkallëzohet edhe më tej, në një përballje "dhëmb për dhëmb” me qeverinë. Protesta e 29 tetorit u njoftua nga kryetari i partisë demokrate,Sali Berisha, gjatë një komunikimi me gazetarët, vetëm pak orë pas arrestimit të ish- presidentit, Ilir Meta, aleatit të tij në opozitë. Berisha e cilësoi arrestimin e Metës si politik, dhe drejtësinë të vendosur nën urdhërat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Opozita ka paralajmëruar se "mosbindja civile” - siç e cilësojnë ata këtë lëvizje, do të vijojë edhe më tej, por ende nuk kanë përcaktuar një datë të radhës.