Tiranë: Protesta e opozitës, sulmohet vila e ish-diktatorit
1 Mars 2026
Partia Demokratike mbajti të shtunën (28.02), protestën kombëtare të disatën në radhë. Në ndryshim nga protestat e kaluara, opozita ndryshoi skenar. Përballë Kryeministrisë, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit” nuk u ngrit një podium.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha udhëhoqi demokratët në një marshim në institucionet kryesore, që ato i kanë cilësuar "si më të korruptuara”.
Tensione me policinë, sulmohet me molotovë vila e ish-dikatorit Enver Hoxha
Protesta u zhvillua fillimisht përpara Kryeministrisë, ku u këndua himni kombëtar. Pas disa minutash, protestuesit u zhvendosën drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u përballën me forcat e rendit. Demokratët patën përpjekje për të çarë kordonin e policisë, por efektivët u kundërpërgjigjën me ujë dhe me gaz lotjsjellës, duke shpërndarë turmën.
Më pas, marshimi vijoi drejt Kuvendit të Shqipërisë. Ndryshe nga protestat e mëparshme, nuk u shënuan përplasje apo tensione, edhe për shkak të afërsisë së Parlamentit me Xhaminë e Namazgjasë, ku ndodheshin besimtarë të shumtë për shkak të muajit të Ramazanit.
Protestuesit vijuan më tej drejt selisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë, për të vazhduar më pas në zonën e ish-Bllokut ku sulmuan me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha. Në momentin e incidentit, në godinë ndodhej personel, por sipas informacioneve zyrtare nuk ka pasur të lënduar.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Gazment Bardhi, deklaroi se kjo godinë u slumua nga demokratët pasi shërben si "vend ku kryeministri Edi Rama zhvillon pazare korrupsioni dhe lidhje me krimin”.
Pas tensoneve në ish-Bllok, protestuesit u rikthyen drejt Kryeministrisë, për të përmbyllur më pas marshimin-protestë në selinë e Partisë Demokratike. Ato deklaruan se protestat do të vijojnë deri në rrëzimin e qeverisë Rama.
Protesta, pas ndryshimeve në qeveri
Protesta e radhës e demokratëve vjen pasi kryeministri Edi Rama bëri ndryshime në shtatë pozicione në qeveri. Mes tyre, numri një i qeverisë shkarkoi dhe Belinda Ballukun, e cila mbante postin e zv.kryeministres dhe njëherazi dhe atë të ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, pasi SPAK kërkon arrestimin e saj nën akuzën për shkelje të barazisë në tendera, kryer disa herë.