1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri – për eliminimin e dhunës në arsimin parauniversitar

Ani Ruci5 Dhjetor 2013

COMBI - Program i UNICEF-it dhe ministrisë së Arsimit në Shqipëri kundër dhunës fizike dhe psikologjike në sistemin e arsimit publik parauniversitar.

Thema Gewalt gegen Kinder Kindergarten
Fotografi: DW/A. Ruci

Një nofkë e mësuesve për një fëmijë të shëndoshë, adoleshent shumë të gjatë, një shkulje veshi, e folur me zemërim në klasë nuk janë gjë tjetër veç forma dhune fizike, apo psikologjike të mësuesve ndaj nxënësve, qofshin fëmijë, apo adoleshetë. Prania alarmante e dhunës ndaj fëmijëve në Shqipëri, si mjet disiplinimi në sistemin e arsimit publik parauniversitar, u identifikua pas një studimi kombëtar të kryer nga UNICEF në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. Rezultatet e studimit treguan se në sistemin publik parauniversitar ushtrohet dhunë fizike dhe psikologjike në forma të ndryshme. Sipas këtj studimi ndëshkimet kryesore të mësuesve në shkollë vijnë për shkaqe si: 32.8% nga mosbindja, 17.4% nga mospërgatitja në mësime dhe 26.9% nga zhurma në klasë. Studimi konkludoi që format më të përhapura të dhunës fizike në sistemin arsimor publik parauniversitar në Shqipëri janë pickimi, shkulja e veshit, goditja me dorë, apo një objekt tjetër, ndërsa format e dhunes psikologjike janë kërcënimi, e bërtitura dhe ofendimi. Për të ndryshuar këtë situatë UNICEF-i në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka ndërmarrë për herë të parë në Shqipërinë postkomuniste realizimin e një programi, që adreson dhunën fizike dhe psikologjike në sistemin a arsimit publik parauniversitar në nivel kombëtar, të njohur me inicialet COMBI, (Communication for Behavour Change, Komunikim për ndryshimin e sjelljes).

Dena Grillo, kordinatorja e UNICEF për këtë program, thotë për DW se “qëllimi i tij është të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna e çdo forme, siç parashikohet në Konventën e të Drejtave të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, të ratifikuar nga Shqipëria dhe në në parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në një shoqëri, që nuk respekton “të voglin” dhe ku dhuna është instrument, që identifikohet me suksesin, shanset për një kulturë demokratike dhe europiane janë të cënuara rëndë. Mendësia sunduese në Shqipëri ende favorizon dhunën si instrument edukimi, dhe e projekton atë si zgjidhje të problemeve perspektive individuale” thotë për DW , Dena Grillo.

Koordinatorja e UNICEF-it, Dena Grillo.Fotografi: DW/A. Ruci

Bëj durim, Buzëqesh, Më mëso

Filozofia e programit COMBI qëndron në tre elementë, që duhet të zbatohen nga mësuesit: „Buzëqesh, bëj durim, më mëso“. Nora Malaj, Zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit, shpjegon për DW domethënien e kësaj filozofie: „Ndryshimi i sjelljes karshi dhunës përmblidhet në këta tre elemente: Bëj durim, Buzëqesh, Me mëso, sipas tri gjendjeve në një semafor, pra bëj durim, kur një fëmijë ka bërë gabim apo thyerje të disiplinbës në klasë, buzëqesh, është si në rastin e dritës portokalli të semaforit, kur mësuesi është gati të komunikojë me nxënësin dhe më mëso, si drita e gjelbër, kur mësuesi bëhet bashkëorientues për të ndryshuar sjelljen e mësuesit dhe të nxënësit”, thekson Znj. Malaj.

Në programin COMBI janë përfshirë 3600 shkolla, 640.000 nxënës, 500.000 prindër në një proces riaftësimi të më se 40.000 mësuesve. Në qëndër të ndryshimit të komunikimit me nxënësit për të shmagur dhunën fizike dhe psikologjike është ngritja e mekanizmit reagues.

“Ky mekanizëm përfshin si aktorë kryesorë: nxënësit, mësuesit, prindërit dhe komunitetin dhe në qëndër të tij ka të bëjë me ngritjen e strukturave të avokatëve mbrojtjes të ndryshimit të sjelljes karshi dhunës. Në Shqipëri ka sot 2600 struktura të tilla, që përbëhen nga mësues, prindër , psikologë, sociologë, punomkës socialë, përfaqësues të organizave të shoqërisë civile, që merren me parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve”, thotë zv. ministria e Arsimit Nora Malaj.

Nora Malaj, zëvendësministre e ArsimitFotografi: DW/A. Ruci

Rezultate premtuese

UNICEF dhe Ministria e Arsimit sapo kanë përfunduar fazën e dytë të programit. Sipas burimeve zyrtare rezultatet e deritanishme janë mjaft premtuese: 106 mijë nxënës dhe 26 mijë mësues të treinuar për të shmangur dhunën fizike dhe psikologjike si mjet disiplinimi në sistemin e arsimit publikj parauniversitar. Ka një ulje prej 10% të ushtrimit të dhunës nga mësuesit, 15 % e fëmijëve/nxënësve denoncojnë dhunën, kur ajo ndodh, 12% e të prindërve pranojnë sjelljen e dhunshme karshi fëmijës, ndërkohë që komuniteti është ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e një modeli tjetër sjelljeje ndaj fëmijeve/nxënësve, gjë “që fillon me hapa të vogla për të shkuar tek ndryshimi i madh”, thote znj. Malaj.

“Terreni është i vështirë pët të bërë ndryshimin e madh. Ka ende qëndrtime konservatore, ka ende mendime që dhuna i bën mirë fëmijëve. Ndryshimi nuk mund të ndodhë brenda një nate me një të rënë të lapsit, as me urdhëra, apo akte normative, por me komunikim dhe dialogim. Ne synojmë, që shkolla të jetë një mjedis sa më miqësor, ku fëmijët të ndihen të barabartë, të gjithëpërfshirë, të respektuar, që shkolla të jetë për ta një mjedis, që rrezaton kulturë dhe mirësjellje”, thekson Zv. ministrja e Arsimit Nora Malaj.

Vlera të reja kulturore larg dhunës

Programi COMBI do të promovohet në Fushatën Globale të UNICEF dhe në platforma të ndryshme virtuale. «COMBI ofron një mënyrë të re disiplinimi në arsimin publik parauniversitar, në përputhje me një mentalitet të ri kundër çdo forme dhune fizike, apo psikologjike, duke synuar të konsolidojë një praktikë, që dekurajon çdo riciklim të mënyrave të vjetra të disiplinës. Një shoqëri gjithë përfshirëse brenda vlerash të reja kulturore larg dhunës së çdo forme edukon vlera të pandryshueshme në mendësinë e njeriut”, thotë për DW kordinatorja e UNICEF-it, Dena Grillo.