1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
MediaEuropë

Shqipëri: Paketa Anti-Shpifje sërish në qendër të debatit

Ani Ruci'
19 Shtator 2020

Mundësia e miratimit të paketës ligjore Anti-Shpifje" nga Parlamenti shqiptar shihet ende me sy kritik nga Këshilli i Europës. Raportuesi për lirinë e medias, Schennach shprehet për rifillimin e procesit për ligj të ri.

Albanien | Stadtansicht Tirana
Fotografi: DW/A. Ruci

Rikthehet shqetësimi i Këshillit të Europës ndaj Paketës Ligjore Anti-Shpifje që pritet të miratohet në Parlamentin e Shqipërisë pas disa amendimeve të tij. Këshilli i Europës ka rezerva se mos ato më shumë dëmtojnë sesa janë të dobishme për lirinë e mediave online.

Raportuesi i Përgjithshëm për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, (PACE), Stefan Schennach, u shpreh të enjten, (17.09) për mundësinë e miratimit të paketës ligjore pas amendimeve se ajo "mund të ketë një efekt tronditës mbi lirinë e medias për shkak të karakterit të përgjithshëm.”

"Legjislacioni i propozuar nga Kryeministri shqiptar si një "paketë Anti-Shpifje” synon të krijojë një organ administrativ që do të fuqizohet për të urdhëruar mediat të heqin raportimet për çështje të tilla si "cënimi i dinjitetit të individit”, nën kërcënimin e gjobave të rënda. Është e qartë se një ligj i tillë mund të ketë një efekt tronditës mbi lirinë e medias për shkak të karakterit të tij të përgjithshëm,” thekson Stefan Schennach në reagimin e tij.

Stefan SchennachFotografi: Council of Europe

Thirrje Parlamentit të rifillojë procesin për një ligj të ri

Shqetësimi i PACE vjen pas një njoftimi publik të Këshillit Shqiptar të Medias, se në amendimet e Paketës Anti-Shpifje nuk bëjnë pjesë rekomandimet e Komisionit të Venecias, të Këshillit te Europës, ku maxhoranca socialiste e adresoi këtë paketë për të marrë opinionin e tij, pas protestash dhe kundërshtimesh të fuqishme të gazetarëve dhe kritikash të ashpra ndërkombëtare. "Nxis parlamentin shqiptar të heqë dorë nga propozimet aktuale dhe të rifillojë të gjithë procesin," theksoi Stefan Schennach në deklaratën e tij.  

Duke argumentuar thirrjen e tij, Schennach i referohet opinionit që dha Komisioni i Venecias në qershor të këtij viti dhe thekson se "ligji vuan nga paqartësia dhe ka gjasë të ketë një "efekt ftohës ", të shtypë diskutimin e lirë dhe fjalimet politike në sektorin shqiptar të medias on line.”

Protesta e gazetarëve në Tiranë, 18 dhjetor 2019Fotografi: DW/A. Ruci

"I bashkohem mendimit të Komisionit të Venecias se teksti i projekt-amendamenteve, nëse nuk rishikohet shumë, rrezikon që për mediat në internet, të jetë më shumë i dëmshëm sesa i dobishëm për lirinë e shprehjes në Shqipëri”, theksoi Schannach, Raportues i Përgjithshëm për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Gazetarët: Ligj i ri, në përputhje me Kushtetutën dhe standartet ndërkombëtare

Nxitja që Këshilli i Europës, i bën Parlamentit të Shqipërisë për të rifilluar procesin e hartimin e një ligji të ri të medias online është në të njëjtën linjë me kërkesat e gazetarëve dhe Këshillit Shqiptar të Medias. Ky Këshill dhe 17 organizata të shoqërisë civile dhanë ditët e fundit alarmin, përmes një njoftimi publik, për një miratim të mundshëm të paketës ligjore "Anti- Shpifje” në Parlament gjatë këtij muaji, pas disa amendimesh, ku sipas tyre, nuk përfshihen rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Ky komision e dha opinionin e tij në qershor të këtij viti, të kërkuar nga maxhoranca socialiste pas protestash të fuqishme të komunitetit të gazetarëve dhe kritikash të ashpra ndërkombëtare për Paketën ligjore Antishpifje. "Kërkojmë rinisjen e procesit të konsultimit nga fillimi, në mënyrë që ligji të hartohet sipas Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes”, theksohet në njoftimin publik të Këshillit Shqiptar të Medias dhe 17 organizatave të shoqërisë civile.

Fotografi: DW/P. Böll

Rekomandimet e Komisionit të Venecias

Paketa anti-shpifje ka të bëjë me kompetencat e zgjeruara që i jepen Autoritetit të Mediave Audio-Vizuale, (AMA) dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike edhe Postare, (AKEP). Këtyre dy institucioneve shtetërore paketa ligjore ”Anti-Shpifje” u jep kompetenca për të vendosur gjoba të kripura dhe mbyllur portale elektronike nëse, kur sipas tyre, në publikimet online "shpifin dhe cënojnë dinjitetin e individit.”

Në rekomandimet e Komisionit të Venecias këto kompetenca cilësohen të tilla që "cënojnë lirinë e medias”. Sipas këtij Komisioni lypset që për median online të ketë "një proces të drejtë nga çdo vendim administrativ, përpara gjykatës dhe sanksionet duhet të jetë në proporcionale”.

Në rekomandime përfshihet edhe "nevoja e efektivitetit të masave ligjore dhe gjyqësore në luftën e shpifjes dhe gjuhës së urrejtjes.” Në këtë kontekst Komisioni i Venecias ka mbështetur idenë e gazetarëve dhe organizatave të tyre për ”funksionimin me vetërregullim dhe respektim të sistemit të llogaridhënies së medias online.”