1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Pasojat e krizës politike në ekonomi

2 Shkurt 2011

Situata e rënduar politike në Shqipëri, trazirat gjatë demonstratës antiqeveritare më 21 janar ku mbetën të vrarë 3 qytetarë po japin efekte edhe në klimën e biznesit. 13 donatorë të fuqishëm apel klasës politike

Pamja nga protesta e 21 janarit në TiranëFotografi: picture-alliance/dpa
Pamje nga protestat e21 janarit në TiranëFotografi: DW/Muka

Përfaqësia e Bankës Botërore, PNUD-i, OBSH, Organizata Ndërkombëtare e Migrimit, Ambasada Gjermane, Zyra e Bashkëpunimit Zvicerian etj., në apelin e tyre të përbashkët për klasën politike shqiptare shprehnin shqetësim për ngjarjet e fundit në vend. "Si partnerë afatgjatë të Shqipërisë, që kemi mbështetur përpjekjet e zhvillimit të vendit, si dhe rrugën e ndjekur drejt integrimit europian, do të dëshironim të shprehim shqetësimin tonë serioz lidhur me ndikimin negativ që tensionet e vazhdueshme mund të kenë mbi arritjet aktuale të vendit, mbi mjedisin e biznesit, si dhe mbi zhvillimin e ardhshëm e të qëndrueshëm ekonomik dhe njerëzor", deklarohej në apelin e 13 nga donatorët më të fuqishëm të Shqipërisë.

Administratori i Përgjithshëm i Konfederatës së Industrive të Shqipërisë, Gjergj Buxhuku, shprehet për DW-në se ngjarjet e ditëve të fundit në Shqipëri shfaqen në mënyrë të dyfishtë. Sipas tij, së pari, nëse ato do të kanalizohen brenda rrugëve të institucioneve kushtetuese atëhere praktikisht ato nuk do të japin efekt të drejtëpërdrejtë në ekonominë shqiptare dhe në biznesin shqiptar. Në rast se ngjarjet do të devijojnë, do të dalin jashtë kanaleve institucionale, atëhere ka shumë mundësi që të nisin problemet konkrete dhe reale për ekonominë shqiptare, thotë Buxhuku për DW.

Gjergj Buxhuku në bisedë me DW për investimet në ShqipëriFotografi: DW/A. Muka

Pozitiv fakti që zgjidha e krizës politike me mjete ligjore

“Megjithatë unë besoj se sipas zhvillimeve të fundit, apo dhe nga takimet që kemi patur me partnerët ndërkombëtarë, interesimi për Shqipërinë nga ana e biznesit të huaj, e kapitalit të huaj që është shumë i vlefshëm për ekonominë shqiptare do të vazhdojë të jetë i pranishëm. E përsëris, se shikoj pozitivisht faktin që nga forcat politike zgjidhjet po kërkohen me mjete ligjore, brenda kuadrit kushtetues të vendit. Ajo që ndodhi më 21 janar nuk ndryshon shumë nga protestat dhe nga vendet më demokratike të botës. E keqja e Shqipërisë është se ato kanë ndodhur në Shqipëri ku fatkeqësisht ne kemi përsëritur disa herë ngjarje tronditëse”.

Nikolin Jaka, President i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së TiranësFotografi: DW

Presidenti i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, thotë për DW se ndikimi i situatës së tensionuar politike po jep për fat të keq efekte të drejtëpërdrejta tek biznesi vendas dhe ai i huaj që operon në Shqipëri. Në rradhë të parë, sipas tij, kjo krijon një frymë pesimiste. Jaka e konkretizon opinionin e tij me ndryshimet që ka pësuar axhenda e tij në ditët e fundit si drejtuesi i njërës prej organizatave më të mëdha të biznesit në vend.

Me keqardhje mund të them se jo më larg se 2 -3 ditët e fundit më kanë konfirmuar refuzim vizitash të tre investitorëve të huaj, të cilë kishin plane për të ardhur dhe investuar në Shqipëri. Kurse sot mora fatkeqësisht një refuzim tjetër nga Luksenburgu, ku parashikohej të vinte drejtuesi i një banke së bashku me një investitor. Arsyeja e refuzimit të tyre ishte thjesht për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend. Përfitoj nga ky rast që ti bëj apel politikës shqiptare ti thërrasë ndërgjegjes dhe përkushtimit për obligimet që kanë ndaj qytetarëve, në mënyrë që të ketë një stabilitet politik, për të mirën e qytetarëve dhe për të mirën e vendit dhe në mënyrë të veçantë për të mirën e sipërmarrjes në tërësi”.

Edhe 13 donatorët më të fuqishëm të Shqipërisë në apelin e tyre e shikojnë rrugëzgjidhjen tek bashkëpunimi i politikës dhe qytetarëve në vijimin e reformave. "Duhet të shfrytëzohen burimet e rritjes për ta mbajtur ekonominë sa më konkurruese në një botë, gjithnjë e më komplekse dhe të vështirë, për ta bërë vendin sa më tërheqës për investimet e huaja, për të hapur mundësi të reja punësimi në vend, si dhe për të rritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve" - thuhet në qëndrimin e përbashkët të donatorëve të huaj në Shqipëri.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi