1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Problemi i pronave ende i nxehtë

Odise Kote18 Maj 2007

Legalizimi pronave të paligjshme dhe zgjidhja e problemit të pronësisë do të vazhdojnë të mbeten ende pa një rezultat pozitiv në jug të Shqipërisë

Bregdeti jugor shqiptar i parë nga një bunker, 2006
Bregdeti jugor shqiptar i parë nga një bunker, 2006Fotografi: DW

Pronat, dhe legalizimi i tyre, në jug të Shqipërisë kanë hyrë në një rrugë pa krye. Agjensia kombëtare e legalizimeve deklaron se procesi ka mbetur vetëm në nivelin e konstatimit, ndërkohë që shoqata e pronarëve nuk e pranon absolutisht procesin. Janë rreth 1920 prona publike që presin të marrin zgjidhje.

Si të mos mjaftonte ky hall, edhe pushtetet vendore në jug të vendit, të vetmet që mund ta përshpejtonin procesin vijojnë të mbeten të pakonstituara. Ndërkohë, procesi e sidomos në zonat turistike apo në bregdet mbetet tejet i kontestuar dhe has në rezistencën të pronarëve legjitimë.


Vetë pronarët legjitimë të pronave e tokave në bregdet e zonat turistike të jugut të vendit e kanë çuar cështjen në Gjykatën e të drejtave ndërkombëtare në Strazburg.

Lëmshi i pronave në jug të vendit është pleksur akoma më tej edhe për faktin se një pjesë e rëndësishme e këtyre pronave që duhet të legalizohen janë të ngritura mbi pronat e pronarëve të ligjshëm dhe sipas procedurës duhet të shpronësohet pronari i ligjshëm e të legalizohet pronari që e ka zënë tokën apo pronën në formë arbitrare.


Kësisoj me këtë ngërc, me këto andikape ligjore do të jetë thuajse e pamundur të zgjidhet problemi tokës, pronësisë e legalizimeve në jug të Shqipërisë e për rrjedhojë ekonomia e zhvillimi vendit do të vazhdojnë të mbeten peng i këtij lëmshi që prej 17 vitesh vazhdon të ndërlikohet e sic thonë njerzit : të kokolepset gjithnjë e më tepër.