1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Protestat për Zvërnecin, Rama mbron investimin

2 Qershor 2026

Mijrëra qytetarë u mblodhën të hënën (01.06) në Tiranë për të dytën ditë radhazi për të protestuar kundër projektit turistik në Zvërnec dhe dhunës së ushtruar ndaj protestuesve nga rojet private të sigurisë.

Protestues të mbledhur para kryeministrisë në Tiranë kanë shpalosur një flamur të madh kombëtar.
Protesta në Tiranë kundër projektit në Zvërnec.Fotografi: Brunilda Kazani/DW

Mijrëra protestues të mbledhur në Tiranë kërkuan ndalimin e ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur të Pishë-Poro–Nartës. kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, doli publikisht në mbrojtje të investimit, duke e cilësuar atë si "pjesë të vizionit për zhvillimin turistik të Shqipërisë”. Nën thirrjet "Shqipëria nuk është në shitje", protestuesit kërkuan hetimin e dhunës së ushtruar në Zvërnec, ndalimin e ndërtimit të projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. "Dhuna që po ndodh në Zvërnec dhe në Rrjoll është fundi. Nëse turizmi kthehet në terrorizëm dhe bëhet e pamundur për shqiptarët të shkojnë në bregdet, unë nuk e dua këtë lloj turizmi"- tha për DW Arben Kola, një prej pjesëmarrësve në protestë.

Rama mbron projektin dhe ndryshimet në ligj

Për më shumë se një orë, kryeministri Edi Rama doli paraditen e së hënës (01.06.2026) me një deklaratë publike për t'iu përgjigjur protestave dhe debatit të krijuar rreth projektit në Zvërnec. Ai e dënoi incidentin me protestuesin e tërhequr zvarrë nga rojet private të sigurisë, duke e cilësuar sjelljen e tyre si "të neveritshme".

Megjithatë, "Çfarë më duhet mua karrigia, pushteti nëse unë duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite?" - u shpreh Rama. Sipas kryeministrit, investimi prej rreth 4 miliardë eurosh mund ta ndihmojë Shqipërinë të kalojë drejt një modeli të turizmit elitar. "Duhet të hyjmë në Ligën e Kampionëve të turizmit global" - tha ai. 

Tiranë: Para kryeministrisë u zhvillua protesta e dytë radhazi kundër projektit në Zvërnec.Fotografi: Brunilda Kazani/DW

Kryeministri u ndal edhe te baza ligjore e investimit dhe ndryshimet e bëra në ligjin e zonave të mbrojtura në vitin 2024. "Kategoria 5 nuk konceptohet si zonë pa zhvillim" - deklaroi ai, duke iu referuar statusit si zonë e mbrojtur e Pishë-Poro–Nartës. Edhe pse qeveria e konsideron investimin strategjik, vetë Rama konfirmoi se studimi mjedisor nuk është përfunduar ende dhe se nuk ekziston një projekt arkitektonik i miratuar.

Ambientalistët kundështojnë ndryshimet në ligj

Për organizatat mjedisore debati nuk lidhet vetëm me projektin e Zvërnecit, por me ndryshimet e bëra në ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Sipas tyre, këto ndryshime kanë hapur rrugën për zhvillime turistike në territore që më parë gëzonin mbrojtje më të fortë.

"Problemi nuk është vetëm Zvërneci. Sot flasim për Vjosë-Nartën, por nesër mund të jetë Divjakë-Karavastaja, Butrinti apo zona të tjera të mbrojtura" – u shpreh Taulant Bino, drejtues i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare.

Rreth 21.2% e territorit të Shqipërisë është pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura. Në shkurt 2024, Kuvendi miratoi ndryshime në ligjin për zonat e mbrojtura, duke lejuar investime strategjike në kategori të caktuara të këtyre territoreve. Ndryshimet u kundërshtuan nga organizatat mjedisore, të cilat paralajmëruan se ato mund të dobësojnë mbrojtjen e disa prej zonave me vlerat më të larta natyrore në vend.

Ndërkaq, në një reagim publik, kompania që po zhvillon investimin, "Zvërnec South Adriatic Development" deklaroi, se të gjitha veprimet e kryera deri më tani janë në përputhje me legjislacionin shqiptar. Sipas saj, investimi parashikohet të kalojë vlerën e 4 miliardë eurove dhe të krijojë mbi 10 mijë vende pune direkte dhe indirekte.

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW