1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Qeveria e re me rotacione dhe emërime të reja

11 Shtator 2025

Kryeministri i Shqipërisë prezantoi kabinetin e tij të katërt qeveritar, pas fitores në zgjedhjet e 11 majit. Në Asamblenë Kombëtare të PS-së Rama shpalli emrat që do të drejtojnë vendin në katër vitet e ardhshme.

Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i partisë socialiste, Edi Rama, duke folur para aasamblesë kombëtare të partisë
Në asamblenë kombëtare të PS-së kryeministri Edi Rama prezantoi emrat e ministrave të kabinetit të katërt qeveritar, pas fitores në zgjedhjet e 11 majit.Fotografi: Rashela Shehu/DW

Emra të rinj dhe besnikë të vjetër në postet kyçe, kryeministri i Shqipërisë ka zgjedhur të mbështetet tek figura të besuara gjatë mandatit të katërt qeverisës pas fitores së socialistëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Belinda Balluku vazhdon të jetë numri dy i qeverisë, duke mbajtur edhe portofolin e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në Ministrinë e Mbrojtjes konfirmohet Pirro Vëngu, ndërsa në Financë Petrit Malaj. Përballë sfidës së integrimit europian, Majlinda Dhuka do të qëndrojë në rolin e kryenegociatores, ndërsa Adea Pirdeni mbetet në krye të Antikorrupsionit dhe Administratës. Elisa Spiropali kalon në krye të Ministrisë së Jashtme, ndërsa Niko Peleshi zë vendin e saj si kryetar i Kuvendit.

Kryeministri Ramaka zhvendosur edhe disa ministra të tjerë brenda kabinetit: Mirela Kumbaro largohet nga Turizmi dhe Mjedisi për të marrë drejtimin e Arsimit, ndërsa Blendi Gonxhja transferohet në krye të një ministrie të riformatuar që bashkon Turizmin, Kulturën dhe Sportin. Delina Ibrahimaj, e cila më parë ishte ministre shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ngjitet në krye të Ekonomisë dhe Inovacionit. Ndërkohë, Albana Koçiu lë Shëndetësinë për Ministrinë e Brendshme – duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë dikaster.

Emrat e rinj në kabinet

Mjekja Evis Sala, e ardhur nga karriera profesionale në Itali, emërohet në krye të Shëndetësisë, Sofjan Jaupaj ngjitet nga zëvendësministër në Ministër të Mjedisit, ndërsa Besfort Lamallari merr drejtimin e Drejtësisë. Nga pushteti lokal vijnë dy kryebashkiakë: Andis Salla nga Cërriku në krye të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ervin Demo nga Berati në postin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Juristi Toni Gogu emërohet ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin. Elementi surprizë është "Diella”, një ministre virtuale e krijuar nga inteligjenca artificiale për të monitoruar prokurimet publike, një risi që ngre pritshmëri, por edhe pikëpyetje mbi funksionalitetin e saj. Sipas politologut Ermal Hasimja, përzierja e emrave të ricikluar me figura të reja i shërben Ramës për të dhënë imazhin e freskisë, pa rrezikuar kontrollin politik. "Rama ka ruajtur pranë vetes figura që i konsideron besnike dhe efektive, ndërsa për publikun ka krijuar pamjen e një kabineti të rinovuar, me emra të freskët dhe ‘gjak të ri' – thotë ai për DW.

Mesazh për Brukselin?

Qeveria e re u prezantua si mjeti për të përshpejtuar integrimin europian. Rama e quajti hapjen e kapitujve të negociatave "rastin e jetës” dhe përsëriti, se Shqipëria synon të përmbushë objektivin e anëtarësimit deri në vitin 2030.

Por sipas politologut Ermal Hasimja, kjo qasje mbetet kryesisht kozmetike. "Rezultatet nuk do të varen nga formula e kabinetit, por nga vullneti politik dhe faktorë të tjerë,” thotë ai për DW.

Krahas kabinetit të ri, Rama njoftoi edhe reformimin e disa institucioneve, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, rishikimin e ndarjes administrative e territoriale, si dhe një reformë zgjedhore.

Tirana drejt zgjedhjeve të parakohshme, Manastirliu kandidatja e PS-së

Pas arrestimit të Erion Veliajt nën akuza për korrupsion, Bashkia e Tiranës do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Rama u kërkoi anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak të aktivizojnë mekanizmin e shkarkimit të Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim prej shkurtit të këtij viti.

Kryeministri propozoi deputeten Ogerta Manastirliu si kandidate zyrtare të socialistëve për kryeqytetin. Ajo lë drejtimin e Ministrisë së Arsimit për të hyrë në garën për bashkinë më të madhe të vendit. "Është përgjegjësi dhe besim shumë i madh. Jemi një skuadër dhe kemi punë të mëdha përpara” - tha Manastirliu për gazetarët pas shpalljes së kandidaturës.