1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Rikthehet debati i hapjes së dosjeve

Arben Muka28 Gusht 2007

Demokristianët: Të hapen dosjet e politikanëve që kanë bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit

Fotografi: AP

Është rikthyer debati për hapjen e dosjeve të ish bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit. Sipas kryetarit të Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, politika shqiptare "duhet të pastrohet nga njerëzit me dosje të cilët janë deputetë, politikanë të rëndësishëm apo përfaqësues të administratës së lartë publike."

"Të hapen dosjet për politikanët, të zgjedhurit dhe punonjësit e rëndësishëm të administratës." Kjo kërkesë po artikulohet ditët e fundit nga ana e Partisë Demokristiane, parti aleate në koalicionin qeverisës të djathtë. Kryetari i Demokriastianëve, Nard Ndoka, që është dhe ministër i Shëndetësisë, thotë se ka ardhur koha e pastrimit të politikës nga ish agjentët dhe ish bashkëpunëtorët e organeve të diktaturës, të cilët kanë ndihmuar drejtpërdrejtë apo tërthorazi në përndjekjen, burgosjen apo vrasjen e qytetarëve të pafajshëm në kohën e diktaturës. Sipas Ndokës "duhet të bëhet transparencë publike për ata deputetë, politikanë të rëndësishëm dhe përfaqësues të administratës së lartë, të cilët rezultojnë si bashkëpunëtorë te ish Sigurimit famëkeq të Shtetit gjatë periudhës së regjimit kominist në Shqipëri".

Angazhimi në politikë dhe ekzekutiv ka pasoja, sipas Ndokës, pasi ata herë pas here marrin vendime të deformuara dhe përdoren nga grupe interesi, të cilat ju kujtojnë periudhën e herët të historisë së tyre.

Hapja e dosjeve të ish bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit të Shtetit është një iniciativë qe ka dështuar në raste të mëparshme. Një projektligj që parashikon mënyrën e hapjes dhe trajtimit të tyre nuk ka marrë shumicën e nevojshme në parlament. Por këtë rradhë kur iniciatorët e projektligjit janë nga rradhët e mazhorancës, kjo të bën të mendosh se mund të arrihet numri i nevojshëm për miratimin e ligjit të posaçëm për hapjen e tyre. Sipas demokristianëve iniciativa e tyre nuk përfshin hapjen e dosjeve për njerëzit e thjeshtë, por vetëm për ata që janë aktivë në politikë dhe kanë poste të rëndësishme në administratën qëndrore dhe lokale.