1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri:SPAK arreston kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj

10 Shkurt 2025

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar arrestoi një ndër figurat me profilin politik më të lartë në PS. Akuza ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës: korrupsion pasiv dhe pastrim i parave.

Momenti i arrestimit në Bashkinë e Tiranës i kryebashkiakut Erion Veliaj, ky i fundit duke hipur në automjetin e agjentve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që i komunikuan atij akuzën dhe e shoqëruan në burgun e sigurisë në Tiranë.
Momenti i arrestimit në Bashkinë e Tiranës i kryebashkiakut Erion VeliajFotografi: AFP/Getty Images

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxe janë ideatorët, krijuesit dhe zbatuesit e një skeme korruptive dhe pastrimi parash, që e ka zanafillën në institucionin që Veliaj drejton prej tre mandatesh. Në këtë përfundim arritën hetuesit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK në Shqipëri, pas disa muajsh hetime që nisën pas denoncimit të një personazhi të panjohur, me emrin Nesti Angoni.

Mesditën e së hënës (10.02), agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit i komunikuan akuzat Veliajt në zyrën e tij dhe më pas e shoqëruan atë në mjediset e të të  ashtuquajturit "blloku i sigurisë  pranë  burgut "Mine Peza” në kryeqytet. Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, SPAK tha se ndaj Veliajt rëndojnë akuzat "korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim” për 9 raste dhe "pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërsa bashkëshortja e tij akuzohet për "Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, "Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Bashkëshortja e Erion Veliajt, Ajola Xoxe u la në arrest shtëpie për një sërë veprash penale, ndërsa në "detyrim paraqitjeje” u lanë dhjetëra biznesmenë të njohur.

Skema korruptive

Hetimet kanë mundur të provojnë, se Veliaj duke përfituar nga pozicioni i tij si kryebashkiak, ka përdorur fondet publike për të pasuruar familjen e tij. Veliaj dyshohet se i ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve të Tiranës dhe ka dhënë leje ndërtimi, para të cilat kanë përfunduar më pas tek bashkëshortja e tij Ajola Xoxe. Hetuesit e SPAK, përmes provave të mbledhura gjatë muajve të fundit, ka mundur të vërtetojë të gjithë zinxhirin korruptiv Veliaj-biznesmenë-Xoxe dhe transaksionet disa-shifrore të realizuara prej tyre në këtë skemë të mirëorganizuar korrupsioni.

"Faktet dhe provat e grumbulluara, edhe pse i referohen episodeve konkrete të evidentuara deri në këtë fazë, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se në rastin konkret bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e këtij të fundit. Në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt” – theksohet në njoftimin zyrtar të SPAK.

Pas çiftit Veliaj-Xoxe është arrestuar edhe Elman A., biznesmen i njohur për lidhjet e tij të afërta me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe tashmë nën akuzë për "pastrim parash".

Ndërsa biznesmenë të tjerë, kryesisht nga sektori i ndërtimit, si Gentian S., Meriman P., Fatmir B., Shkëlqim F. dhe Sokol K., "dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta tek Veliaj dhe Xoxe, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet OJF-ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe personave fizikë të kontrolluar nga Xoxe, të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme (godinë banimi e tipit "vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj”. "Nderet” i ktheheshin mbrapsht Veliaj dhe Xoxes, pasi kryebashkiaku u shpërndante fondet publike dhe lejet e ndërtimit.

Një tjetër detaj i rëndësishëm i përmendur në dosjen e SPAK janë edhe hetimet ndaj deputetes socialiste, njëherësh kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka, nën akuzë për "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Për Bushkën, SPAK thotë se "deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se Bushka ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues”.

Pasuritë e pajustifikuara të çiftit Veliaj-Xoxe

Fondet e shpërdoruara publike të Bashkisë së Tiranës janë shndërruar në prona të patundshme, llogari të majme bankare si dhe bizhuteri e sende të tjera me vlerë nga familja Veliaj.

Deri tani, hetuesit kanë zbuluar dhe bllokuar shumën prej rreth 870 mijë eurosh që Ajola Xoxe ka pasur në emrin e saj dhe kompanive nën pronësinë e saj, të sekuestruara në dy banka private në kryeqytet. Në një kasafortë në njërën prej kontrolleve të ushtruara në një nga kompanitë e Xoxes, agjentët e BKH sekuestruan edhe shumat prej 95,350 Euro, 14,900 dollarë dhe 665 mijë lekë shqiptare.

Veshjet dhe bizhuteritë luksoze të bashkëshortes së kryebashkiakut Veliaj janë evidentuar gjithashtu gjatë hetimit. "Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se Ajola Xoxe, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të” – theksohet në njoftimin zyrtar të SPAK.

Sekuestro preventive, sipas SPAK, është vënë edhe ndaj një trualli në zonën e Qerretit, një ndër zonat më të shtrenjta në bregdetin shqiptar. Prona rezulton në pronësinë e një kompanie, gjithashtu e lidhur me kryebashkiakun e Tiranës Veliaj dhe familjen e tij.

Kjo është vetëm një ndër dosjet ku Erion Veliaj është nën hetim. Paralelisht, SPAK po e heton kryebashkiakun e Tiranës edhe për dosjen e inceneratorëve dhe atë 5D, dy skema të tjera korruptive që i kanë shkaktuar buxhetit dëm prej miliona eurosh.