1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Numërimi i deritanishëm nxjerr fituese Partinë Socialiste

12 Maj 2025

Gjithçka që shqiptarët kanë vendosur për qeverisjen e katër viteve të ardhshme tashmë ndodhet e vulosur brenda kutive të votimit. Rezultati paraprak për pjesëmarrjen është 41%.

Pamje nga Tirana
Pamje nga TiranaFotografi: Rashela Shehu/DW

Procesi i numërimit të votave vijon në të gjithë Shqipërinë me intensitet. Deri në orën 8.30 kishte përfunduar ky proces për 1570 nga 5225 qendra votimi, pra rreth 30% e kutive. Nga rezultatet e deritanishme kryeson PS me 52.7% të votave, e ndjekur nga PD me rreth 34.2%. Nga partitë e vogla, PSD ka marrë deri tani 3.7% të votave, Nisma Shqipëria Bëhet, 3.4% dhe Mundësia 2.6%. Rezultati përfundimtar i votimeve pritet deri të martën.

Procesi i votimit të dielën që zgjati nga ora 7.00 deri në 19.00 nuk pati probleme serioze, megjithatë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve evidentoi dy shkelje kryesore: votimin e shumëfishte dhe fotografimin e votës. 

Sipas kryetarit të KQZ-së, Ilirian Celibashi, rezultatet përfundimtare priten deri pasditen e së martës (13.05.2025). Në shumicën e qendrave të numërimit është kryer dorëzimi i kutive dhe procesi i numërimit po vazhdon. Në zonën e Vorës votimi ishte elektronik, por edhe pr të rezultati pritet të dalë paraditen e sëe hënës.

Çfarë solli të re ky proces zgjedhor?

Numri i përgjithshëm i votuesve në Shqipëri është rritur në këto zgjedhje, duke arritur në 3.71 milionë, nga 3.59 milionë që ishte katër vjet më parë. Pjesë e kësaj rritjeje është dhe diaspora, e cila për herë të parë ka mundësinë të votojë pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Listat e kombinuara, të hapura dhe të mbyllura dhe votën e diasporës. Sipas rezultateve paraprake nga KQZ kanë votuar 78% e zgjedhësve nga diaspora."

Përveç partive tradicionale, këto zgjedhje shënuan një rritje të dukshme të partive të reja, që kërkojnë ndryshimin e peizazhit politik në vend. Partitë e reja që kanë hyrë në garë janë "Shqipëria Bëhet”, "Lëvizja Bashkë”, "Thurje” dhe "Mundësia”, të cilat janë shprehur të ofrojnë alternativa të reja në reformimin e vendit.

TiranaFotografi: Rashela Shehu/DW

Në zgjedhjet e vitit 2025, garën politike e përbënin 11 subjekte politike, 3 koalicione, me gjithsej 2046 kandidatë që synojnë një vend në Kuvendin e Shqipërisë. Për herë të parë, në asnjë qark të vendit nuk ka kandidatë të pavarur.

Zgjedhje nën vëzhgim dhe paralajmërim

Këto zgjedhje parlamentare janë të parat pas hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian në korrik të vitit 2022, dhe konsiderohen një test i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Rreth 50,000 vëzhgues, ku bëjnë pjesë ata nga partitë politike, shoqatat dhe organizatat e shoqërisë civile, si dhe vëzhgues ndërkombëtarë, përfshirë misionin e OSBE-ODIHR, janë angazhuar për të monitoruar procesin zgjedhor dhe për të vlerësuar standardet demokratike dhe transparencën e tij.