1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria është në prag të një krize të madhe energjitike

Ani Ruci27 Tetor 2005

Situata e pritshme është pasojë e disa faktorëve. Tenderi ndërkombëtar për të seleksionuar kompaninë e huaj me çmimin më ekonomik dështoi

Dimër pa rrymë elektrike
Dimër pa rrymë elektrike

Askush që jeton dhe punon në Shqipëri nuk do të mund ta besonte se do të kishte të siguruar vetëm tre ditë energji elektrike. Por kur këtë e thotë vetë qeveria e pabesueshmja bëhet një e vërtetë tronditëse. Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, paralajmëroi situatën e rëndë që i kanoset Shqipërisë.
"Niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës dhe ato të tjera në luimin Drin është në minimum. Rezervat mjaftojnë vetëm deri në fund të Tetorit, pra edhe tri ditë. Nëntori do te jetë muaji i fillimit të ndërprerjes me orë të zgjatura të energjisë elektrike që do të vazhdojë gjithë dimrin."

Situta e pritshme, e frikshme është pasojë e disa faktorëve. Nëse në vitet e kaluara në vjeshtë qeveria kishte arritur të siguronte blerjen e energjisë nga kompani në rajon apo në Europë kjo sivjet nuk ndodhi. Tenderi ndërkombëtar për të seleksionuar kompaninë e huaj me çmim më ekonomik dështoi. Qeveria ia adreson pëgjegjësinë për këtë dështim qeverisë paraardhëse socialiste. Sipas Ministrit Ruli socialistët harxhuan rezervat duke pëdorur energjinë pa hesap gjatë fushatës elektorale pë zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut të kaluar. Korporata Elektroenergjitike, negociatorja kryesore me kompanitë e huaja, cilësohet institucioni më i korruptuar, ku demokratet paralajmërojnë reforma të thella.
Zgjatja e kalimit të pushtetit nga socialistët tek demokratët dhe vakumi institucional me sa duket e nxorri blerjen e energjisë nga çështjet urgjente, prioritare të qeverisë së re.
Kjo neglizhencë do të kishte mundur të zbutej dhe të riparohej disi nëse situata energjitike në rajon dotë ishte normale. Por rajoni është gjithashtu në prag të një krize energjitike.
Ministri Genc Ruli duke paraqitur pejsazhin energjitik rajonal tha:" Shqipëria është e lidhur keq me rrjetin energjitik të rajonit, që nga ana e vet është i lidhur keq me rrjetin europian. Studimet e Bankës Botërore tregojne se situata energjitike në krejt Ballkanin nuk është e mirë. Parashikohet një dekadë e vështirë në krejt rajonin kur mund të mos ketë energji për të blerë dhe çmimi i saj mund të jetë i krahasueshëm me atë të arit."

Për të dalë nga kriza kronike qeveria duhet të bëjë investime prej rreth 1,5 miliard euro. Opozita e majtë i kërkon qeverisë të marrë masa për t´i dalë para kufizimeve drastike te energjisë elektrike per konsumatoret familiare dhe bizneset.
Por ndëkohë sot Ministria e Energjitikës po përgatit shpalljen publike të orëve kur energjia do të ndërpritet në shkallë vendi.