1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota në Bibliotekën Dixhitale Botërore

1 Tetor 2011

Biblioteka Kombëtare në Tiranë është angazhuar në Bibliotekën e Përbashkët Evropiane. Ditët e fundit Shqipëria nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare u bë dhe anëtare me te drejta të plota në Bibliotekën Dixhitale Botërore.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: europeana

Biblioteka Kombëtare në Tiranë është një institucion 91 vjeçar. Nga viti në vit biblioteka ka pësuar ndyshime duke mbetur një qendër mjaft e rëndësishme e informimit dhe kërkimit në fusha të ndryhme. Në dy dekadat e fundit, kur filluan dhe proceset demokratizuese në Shqipëri, Bilblioteka Kombëtare adaptoi politika të reja manaxheriale. Nga modeli i bibliotekave të vendeve ish komuniste të Bllokut Lindor, me kufizime të skajshme në sigurimin e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës, ajo kaloi në heqjen e barrierave kufizuese të kësaj natyre, duke shkuar drejt lirisë së plotë të informacionit për përdoruesit.

Integrimi në Bibliotekën e Përbashkët Evropiane

Në foto, Aurel PlasariFotografi: DW

Një nga orientimet e saj kryesore mbetet partneriteti me homologët evropianë dhe nga vende të tjera të botës. Paralelisht me kooperimin bilateral dhe multilateral Biblioteka Kombëtare është pjesë e strukturave më të rëndësishme globale të kësaj fushe, siç mund të përmendet Federata Ndërkombëtare e Bibliotekave, apo Konferenca e Drejtorëve të Bibliotekave të Evropës. Ndër projektet më ambicioze të strukturës së dytë është dhe krijimi i Bibliotekës së Përbashkët Evropiane, ose siç njihet Europeana.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, prof. dr. Aurel Plasari e shikon integrimin në Europeana si një shumëfishim të hapësirave për përdoruesit e librit, si një shkëmbim të natyrshëm informativ, ideor dhe metodologjik që i përgjigjet realitetit të gjithnjë e më ndërveprues mes shteteve europiane.

“Të gjithë përdoruesit mund ti qasen Europeana-s drejtëpërdrejt nëpërmjet faqes elektronike të Bibliotekës Kombëtare. Europeana ‘flet' edhe shqip, pasi ajo ka të gjitha gjuhët e partnerëve. Kjo është një rrugë dhe mundesi kërkimi shumë e madhe, por dhe e lehtë për të gjithë ata që merren me kërkime në fusha të ndryshme të shkencës, ku duhet thënë se më e privilegjuar në këtë rast është fusha e Albanologjisë, si dhe për fusha të tjera të shkëncës, ato humanitare ose shkencave ekzakte”.

Ditët e fundit Shqipëria ka zyrtarizuar pjesmarrjen e saj me të drejta të plota në Bibliotekën Dixhitale Botërore, BDB, një nismë e dy partnerëve kryesorë UNESCO e Biblioteka e Kongresit të SHBA. Nëpërmjet bibliotekës së saj kombëtare në Tiranë Shqipëria i ka nisur procedurat që prej dy viteve dhe në datën 28 shtator 2011 mori Kartën e Anëtarësimit në këtë organizëm global të rëndësishëm.

Sfida e produkteve të dixhitalizuara

Pamje nga salla e leximit në Bibliotekën Kombëtare në TiranëFotografi: DW

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë prof. dr. Aurel Plasari ju dhuroi drejtuesve kryesorë të BDB një CD ku në versionin e dixhitalizuar ishte revista e njohur shqiptare “Albania” (1897 – 1909), që u botua nga Faik Konica në fillim në Bruksel e më pas në Londër.

“Kjo do të jetë njësia e parë që Shqipëria, nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare do të integrojë në BDB. Vetë emri i Faik Konicës, emri i Albania-s, historia e saj etj., etj do të jenë si gurë themeli të mbarë që do të tërheqin dhe prodhime të tjera dixhitale për t'u integruar në Bibliotekën Dixhitale Botërore”.

Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë i është paraprirë eksperimentimeve me produktet dixhitale, si një nevojë që i përgjigjet realiteteve të reja, që i përgjigjet trendit të zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe “on line-zimit” social. Ekspertët e këtij institucioni kanë prodhuar më herët në variantin dixhital koleksionin e “Diturisë” së Lumo Skëndos, që konsiderohet me shumë vlera në fushën e Albanologjisë, botime origjinale të Marin Barletit të fillim të shekullit të 16 mbi Skëndërbeun, apo koleksione periodikësh shumë të vjetra që janë pjesë e inventarit të rrallë të Bibliotekës Kombëtare. Produktet e dixhitalizuara sipas ekspertëve të fushës janë të një cilësie që garanton integrimin e tyre në Europeana apo në BDB.

Aida Braho, përgjegjëse e sektorit të studimeve dhe kualifikimit në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë thotë për DW-në se në sajë të kooperimit me homologët e tjerë europianë nxitet mekanizmi i huazimit të botimeve të ndryshme, sipas kërkesave që kanë përdoruesit e fondeve.

Në foto, Aida BrahoFotografi: DW

“Ajo që përfitojmë ne me shfrytëzimin e dokumenteve të fushës së bibliotekonomisë janë zhvillimi dhe trendi më i fundit e standartet e kesaj shkence, të cilat Biblioteka Kombëtare i merr sistematikisht duke i përditësuar dhe integruar, qoftë në nivel akademik, në kuadër të shkollës 2-vjeçare apo studimeve Mastër, ose duke i vendosur në katalogët e printuar a on-line. Kjo na bën ne pjesë të Union katalog-ut Evropian duke shkëmbyer informacion në dobi të përdoruesve të interesuar. Qoftë brenda ose jashtë Shqipërisë, mjafton të kesh akses në internet dhe je pjesë e hapësirës europiane e botërore në labirintet e botimeve të çdo fushe. Ky është tipar i procesit të integrimit evropian dhe më gjerë për dijen e kulturën”.

Kooperimi dhe shkëmbimi të eksperiencave mes Tiranës e Prishtinës

Biblioteka Kombëtare në Tiranë ka një bashkëpunim të ngushtë dhe me Bilblotekën Kombëtare e Universitare të Prishtinës. Dy instucionet kanë ndërtuar një portal të përbashkët, që nuk ka natyrë të përgjithshme, por që është i orientuar në fushën Albanologjike. Bashkëpunimi mes dy bibliotekave përfshin dhe një axhendë kooperimi dhe shkëmbimi të eksperiencave.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në PrishtinëFotografi: Zulfija Jakupi

“Në disa raste specialistët tanë kanë shkuar për dhënie eksperince në Prishtinë, por prej vitesh të dy institucionet kanë krijuar një trupë të përbashkët, e regjistruar dhe ligjërisht, që njihet si ‘Konferenca Kombëtare e Bibliotekonomisë Tiranë – Prishtinë'. Konferenca ka organizim rotacioni, një vit mbahet në Shqipëri dhe në vitin pasues në Kosovë, e kështu me rradhë. Kjo është një mënyrë konkrete për trasnferimin e standarteve profesionale tek njeri tjetri, por dhe si mbështetje që shumë shpejt edhe Biblioteka Kombëtare e Universitare në Prishtinë të jetë pjesë e strukturave në rang europian e botëror” – thotë për DW-në prof. dr. Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

 

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Esat Ahmeti