1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Shqipëria Bëhet” vijon protestën përballë Kryeministrisë

5 Janar 2026

Tiranë: Që nga 8 dhjetori qytetarë dhe mbështetës të lëvizjes “Shqipëria Bëhet” vijojnë protestën përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie tranzicioni.

Protestues duke u konfrontuar me policinë përpara Kryeministrisë në Tiranë.
Protesta e lëizjes 'Shipëria bëhet' vazhdon që prej 29 ditësh përpara Kryeministrisë në Tiranë.Fotografi: Rashela Shehu/DW

Sipas protestuesve, një qeveri tranzicioni duhet të përbëhet nga ekspertë të fushave të ndryshme, të pavarur politikisht, me qëllim përgatitjen e vendit për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Me një karrige si mjetin e vetëm simbolik dhe të nevojshëm për të kaluar natën, kreu i lëvizjes "Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, u rikthye këtë të hënë (05.01.2026) në sheshin përpara godinës qeveritare për të vijuar protestën e nisur 29 ditë më parë. Lapaj e cilësoi protestën si një "detyrë qytetare” dhe u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë ndaj abuzimeve dhe korrupsionit.

"Në këtë vend ka shumë për të protestuar. Këta nuk mund të na tallin, nuk mund të na vjedhin dhe të dalin në mbrëmje gala. Ndërkohë, problem qenkan ata që reagojnë” - u shpreh Lapaj.

Një qeveri tranzicioni

"Vetëm përmes një qeverie tranzitore, të përbërë nga profesionistë të lirë dhe të pavarur, mund të sigurohet që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të lira dhe demokratike” - u shpreh për DW Edona Haklaj, aktiviste dhe bashkëthemeluese e lëvizjes "Shqipëria Bëhet”.

Ajo sqaroi më tej edhe mekanizmin që propozon lëvizja për ngritjen e kësaj qeverie: "Ne i kemi bërë thirrje çdo qytetari të angazhuar, çdo eksperti dhe çdo profesionisti që të bashkohen për krijimin e një komiteti apo komisioni, të nënshkruhet një marrëveshje mes tyre dhe të hartohet një program, një draft” - u shpreh Haklaj.

Tubimi i thirrur nga lëvizja "Shqipëria Bëhet” u shoqërua me tensione dhe përplasje me forcat e policisë. Fotografi: Rashela Shehu/DW

Tensione dhe përplasje me policinë

Një ditë më parë, tubimi i thirrur nga lëvizja "Shqipëria Bëhet” u shoqërua me tensione dhe përplasje me forcat e policisë. Qytetarët u mblodhën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit”, ku vendosën disa çadra.

Pas përfundimit të protestes, policia ndërhyri për heqjen e çadrave dhe lirimin e zonës. Sipas njoftimeve zyrtare, katër persona u arrestuan, ndërsa nëntë të tjerë u vendosën nën hetim.

Gjatë aksionit të Policisë së Shtetit për heqjen e materialeve të vendosura përpara godinës qeveritare, drejtuesi i lëvizjes "Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, mbeti i plagosur në kokë dhe u transportua drejt spitalit të traumës për marrjen e shërbimit mjekësor.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW