Shqipëria - destinacion për punëtorët e huaj?
13 Mars 2010Xuan Shen qëndron deri vonë në mbrëmje në dyqanin e tij, pranë Medresesë, në Tiranë. Më tepër se dyqan ai duket si një magazine mallrash pa fund, që nuk kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin: pranë rrobave “ Made in China” të markave të famshme Versace, Armani, Max Mara, Benetton, etj., janë ekspozuar bizhuteri, çadra dielli dhe shiu, bateri, lojra fëmijësh, enë plastike, abazhurë, pasqyra etj. E vetmja gjë që duket se i bashkon këto mallra është se nuk peshojnë, janë të lehta. Kjo është e kuptueshme po të përfytyrohet që këto mallra mbërrijnë në Tiranë nga Kina e largët dhe kostoja e transportit varet nga pesha e tyre. Me shqipen e tij Xuan Shen tregon se ka shumë vite që jeton në Tiranë dhe merret me tregtinë e mallrave kineze. "Kam shtatë vjet këtu. Tirana mirë. Nuk ka problem. Jam mirë këtu” - thotë ai.
Xuan Shen thotë se shkon vetëm një herë në vit në Kinë për t'u furnizuar me mall dhe takuar prindërit, se nuk fiton shumë, por jeton i qetë dhe nuk ka probleme me policinë dhe vendasit. Në Kinë ishte i papunë kurse në Tiranë është i vetëpunësuar dhe diçka fiton. Megjithatë kriza është ndjerë fort në xhepat e tij. Që kur ajo u shfaq vitin e kaluar, ai qëndron gjatë në dyqan edhe kur për orë të tëra asnjë klient nuk kapërcen derën e tij. Kur e pyes sa mallra shet dhe sa orë në ditë punon ai thotë: “Pak fare, pak. Rri 12 orë, filloj në shtatë të mëngjesit deri në 6 pasdite.”
Regjistri elektronik i të punësuarve të huaj – kusht për liberalizimin e vizave
Po kaq orë sa Xuan Shen punon edhe Li Bing, një grua kineze rreth të 30-ve që ka dyqanin e saj në të njëjtën zonë, pranë Medresesë, në Tiranë. Ajo erdhi nga Kina para dy vitesh dhe pati probleme për të marrë lejen e punës për shkak të mungesës së dokumentacionit. Li Bing i kthen shpinën aparatit fotografik dhe nuk dëshëron që bisedën tonë ta regjistroj. Por tani emri dhe gjithë të dhënat e saj janë në regjistrin e sapopërfunduar elektronik të të punësuarve të huaj në Shqipëri. Hartimi i këtij regjistri ka qënë një nga kushtet e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Në raportin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, pranë Ministrisë së Punës, Çëshjeve Sociale dhe Shanseve të barabarta, raportohet që numri i të huajve të punësuar në Shqipëri, me lejeqëndrimi dhe pune është rreth 6 mijë. Kinezët zenë vendin e parë, të ndjekur nga turqit, italianët, grekët por nuk mungojnë maqedonas, pakistanezë dhe rumunë.
Kur ata nuk kanë sipërmarrjen e tyre punësohen tek sipërmarrësit shqiptarë, të cilët preferojnë njohuritë e tyre teknike më të mira se ato të krahut vendas të punës.
Ku janë të punësuar të huajt në Shqipëri?
Kualifikimi më i mirë teknik i bën të huajt që vijnë për t'u punësuar në Shqipëri të preferohen në sektorin e shërbimeve, të tregtisë, konfeksioneve, lojrave të fatit. Dhënia prioritet investimeve të huaja nga qeveria e Tiranës, sjell edhe rritjen e kërkesave të të huajve për t'u punësuar në Shqipëri. Zhvillimi ekonomik në Tiranë dhe në qytete të tjera të mëdha si Durrësi, Elbasani, Vlora, Fieri ka zgjeruar sektorët e punësimit të të huajve edhe në shërbime hotelerie, apo si kuzhinierë, kamarierë kryesisht nga Italia, Greqia por nuk mungojnë as ata nga Kosova. Mundësitë që hap ekonomia e tregut e kanë përfshirë edhe Shqipërinë në hartën e vendeve ku të huajt kërkojnë të punësohen, dukuri që sjell përfitime të ndërsjellta.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Eliana Xhani