1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria dhe 50 vjetori i Bashkimit Europian

Arben Muka26 Mars 2007

Duhet apo jo shqiptarët ta festonin 50 vjetorin e Europës?

Fotografi: AP

Kryeministri Sali Berisha pas kthimit nga Berlini, ku gjatë fundjavës morri pjesë në Samitin e Partive Popullore Evropiane, shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian për, sic tha ai "solidaritetin më të jashtëzakonshëm që ka dëshmuar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjatë këtyre 15 viteve të tranzicionit të tyre", duke siguruar se vëndi "është i vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për të merituar anëtarësimin në këtë organizatë gjatë viteve që do të vijnë".

Sipas kreut të ekzekutivit, Bashkimi Evropian dhe integrimi në këtë bashkim përbëjnë projektin më madhor të kombeve evropiane. Edhe për kombin shqiptar ky mbetet projekti më madhor.

"Sigurisht që ne kemi një projekt dhe ky projekt është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Zbatimi i saj përbën kushtin më përcaktues të ecjes në rrugën e integrimit, Unë mund t’u informoj se qeveria këtë projekt e ka program pune, një kontratë mbi të cilën ne punojmë për ta realizuar dhe anëtarësimi realizohet mbi bazën e mirëfunksionimit, mbi bazën e mirëqeverisjes dhe zbatimit të kontratës së MSA-së", ka deklaruar kryeministri.

Sa i takon cështjes më të rëndësishme në të ardhmen e afërt, atë të zgjedhjes së presidentit të ri te vendit, kryeministri shprehet se "BE-ja ka bërë sugjerimin e saj që të gjendet mirëkuptimi për këtë problem, por unë nuk shoh që kjo çështje do të jetë një problem për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit, pasi jam i bindur se gjithçka do të zgjidhet në mënyrën më demokratike. Shqipëria është një demokraci që funksionon, pavarësisht nga vështirësitë e veta".

Por aktivistë të Lëvizjes Mjaft, një organizatë joqeveritare e njohur në Shqipëri, me rastin e përkujtimit të 50 vjetorit të Bashkimit Europian, kanë bërë kritika për autoritetet dhe politikën shqiptare në përgjithësi, për procesin e integrimit europian të vendit.

Gjatë një proteste që zhvilluan përpara selisë së Parlamentit, aktivistët e Mjaft-it kujtuan mospajisjen e shtetasve shqiptare me karta identiteti, si dhe prezencën e një politike shterpë për nevojat kryesore të popullatës. Sipas Lëvizjes "Shqipëria renditet në vendin e dytë më të korruptuar në Evropë, ndërkohë që edhe shifrat e krimit të organizuar, varfërisë dhe papunësë janë po ashtu dëshpëruese. Parë nga ky këndvështrim, shqiptarët, ndryshe nga më shumë se 500 milionë qytetarët e tjerë europianë, nuk kanë asgjë për të festuar…"