1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria dhe Kroacia bashkëpunojnë për integrimin europian

Arben Muka7 Shkurt 2006

Përvojë kroate në procesin e integrimit europian. Ky është synimi i vizitës që po zhvillon në parlamentin shqiptar një grup deputetësh të komisionit të integrimit nga Kroacia

Parlamenti kroat, Zagreb
Parlamenti kroat, ZagrebFotografi: AP

Përveç rekomandimeve dhe sugjerimeve që Tirana zyrtare merr nga ekspertët e Brukselit në procesin e integrimit europian, ajo po e konsideron se një shembull të vlefshëm real nga rajoni ynë dhe rastin kroat. Këto hapa e përpjekje që Shqipëria po bën tani në fazën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit me BE-në, Kroacia i ka kapërcyer, madje jo vetëm kaq por ajo është në finalizimin e procesit, duke qenë një vend me statusin e vendit kandidat për anetarësim me të drejta të plota.

Pikërisht për këtë Kroacia vlerësohet si një eksperiencë e çmuar për politikanët shqiptarë. Një grup deputetësh kroate të komisionit të integrimit europian janë në Shqipëri, në kuadër të idesë së bashkëpunimit ndërparlamentar për çështjet e integrimit.

Kryetari i komisionit parlamentar të integrimit, Ilir Meta, i përshkruan mjaft të frutshme këto kontakte dy palëshe." Ne mendojmë se përvoja kroate do të jetë një përvoje shume e çmuar për Shqipërinë, për parlamentin tonë, në mënyrë që të rrisim dimensionin parlamentar në çështjet e integrimit europian" - thotë Meta.

Përmirësimi i legjislacionit, forcimi i institucioneve demokratike, reformat në ekonomi dhe sektorë të tjerë jetikë - janë disa nga çështjet që po diskutojnë në Tiranë parlamentarët e dy vendeve. Delegacionin kroat e kryeson ish- ministrja e Integrimit, Mimica Neven, një nga protagonistët kryesore në procesin e integrimit europian të vendit të tij.

Shqipëria është në fazën përmbyllëse të nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocim- Stabilizimit me BE. Pas pak ditëve në Tiranë pritet të bëhet miratimi i tekstit teknik të marreveshjes, ku ka paralajmëruar prezencën e tij edhe shefi i Komisionit Europian, Barroso. Ndërkohë që nënshkrimi zyrtar i Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit pritet të bëhet para verës së këtij viti.

Shqipëria e Kroacia së bashku me Maqedoninë janë duke bashkëpunuar dhe në fushën e mbrojtjes, në kuadër të Kartës së Adriatikut, një nismë e procesit të anëtarësimit të tyre të përbashkët në NATO.