1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria dhe Mali i Zi përforcojnë bashkëpunimin me ndihmën e GTZ-së gjermane

Leka Plani25 Maj 2006

500 mijë euro janë akorduar nga Qeveria Gjermane, nëpërmjet Agjensisë për Bashkëpunim teknik që vepron në Shqipëri GTZ, për hartimin e planit të turizmit për Liqenin e Shkodrës

Logoja e GTZ-së
Logoja e GTZ-së

Është nënshkruar në Shkodër memorandumi i mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, lidhur me zbatimin e një projekti të përbashkët për turizmin për-rreth liqenit që lagë të dy këto vende.

Ministri malazez i mjedisit dhe planifikimit të territorit Boro Vucinic duke vlerësuar nënshkrimin e memorandumit u shpreh se” ky është hapi i parë në këtë drejtim, pasi projekti i përbashkët synon në përfundimin e tij që e gjithë zona e Liqenit të Shkodrës t’i nënshtrohet planeve rregulluese, të cilat do të përmirësonin ndjeshëm raportet mjedisore dhe urbanistike për zhvillimin e turizmit: “ Unë mendoj që Mali i Zi me Shqipërinë u shpreh Vucinic të bëjnë më shumë përpjekje dhe të kenë më shumë mundësi, në mënyrë që të integrohen në Komunitetin Evropian, duke realizuar më tepër projekte të ngjashme”.

Ministri shqiptar i transportit dhe telekomunikacionit Lulëzim Basha theksoi se” projekti që u nënshkrua sot, vlerësohet si një hap pozitiv për zhvillimin e Shkodrës si qëndër urbane, por edhe si një qytet që mban peshën kryesore në Veri të Vëndit, për potencialet dhe kapacitetet që mbart .

Projekti i ri që sapo mori udhë, deklaroi Ministri Basha, bën pjesë në hapat e rëndësishëm që ka ndërmarrë dhe po ndërmerr Qeveria Shqiptare, në kuadër të zbatimit të programit të saj, për rritjen e efektivitetit të qeverisjes lokale dhe zhvillimin e turizmit dhe shumë sektorëve të tjerë në rajon.

Ekspertët e GTZ-së thanë se “ky financim është bërë për të mundësuar zhvillimin e marrëdhënieve sa më të frytshme midis vëndeve të rajonit. Projekti synon që të bëjë planifikimin hapsinor ndërkufitar të Liqenit të Shkodrës dhe përmirësimin e strukturës organizative. Sikurse thonë specialistët, nëpërmjet këtij projekti do të përmirësohen shkëmbimet ndër-rajonale, për të kontribuar më pas në përspektivat e strategjive pan-rajonale.

Sipas tyre vëmëndje do t’i kushtohet edhe mbrojtjes së burimeve natyrore, të florës dhe faunës së këtij liqeni. Puna për fillimin e studimit që do të përcaktojë prioritetet e bashkëpunimit midis dy vëndeve në Liqenin e Shkodrës, do të nisë menjëherë. Ky studim do të jetë i përfunduar në fund të vitit 2007.

Liqeni i Shkodrës mbulon një zonë prej 368 km2, prej të cilave 220 km2 i përkasin Malit të Zi; ndërsa 148 km2 Shqipërisë. Mali i Zi pjesës së vet i ka dhënë statusin Park Kombëtar në vitin l983; ndërsa Qeveria Shqiptare Zonë Ramsar, Liqenin e Shkodrës në nëtor të vitit të kaluar.

Specialistët shqiptaro-malazez, gjatë gjithë takimeve të përbashkëta për këtë hapësirë ujore, kanë argumentuar faktin se kjo trashigimi natyrore me gjithë larminë e saj, është përdorur dhe do të vazhdojë të përdoret në dobi të popullatës. Prandaj, duhet ruajtur dhe kaluar brezave të ardhshëm si një sitem të qëndrueshëm dhe me vlerë. Për këtë qëllim thanë ato, duhet të shtrohet nevoja e zbatimit të një politike zhvillimi, ku ruajtja e kësaj cilësie natyrore, të integrohet në politikat e zhvillimit të sektorëve të tjerë. Kjo presupozon sipas tyre, përfshirjen e pushtetit lokal, të banorëve për rreth liqenit nga të dy anët, të komunitetit shkencor etj.