1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria dhe Mali i Zi, si dy vende fqinjë, bashkëpunojnë mes tyre në mjaft fusha me interes të ndërsjelltë.

7 Maj 2010

Shoqatat shqiptare dhe malazeze të operatorëve turistikë po përpiqen të ndërtojnë një treg unik mes tyre, duke tentuar zgjerimin e kooperimit dhe me partnerë të këtij sektori në Maqedoni dhe Kosovë.

Pamje nga qyteti i UlqinitFotografi: DW

Përveç turizmit, që është një sektor prioritar në marrëdhëniet dypalëshe, ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë ka shkëmbime dhe në industrinë ushqimore, ndërtim, përpunim druri, lëndë minerare të papërnuara etj. Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Gëzim Podgorica, mendon se të dy vendet fqinjë Shqipëria dhe Mali i Zi nuk kanë atë nivel të pritshëm në marrëdhëniet tregëtare e ekonomike mes tyre. Pavarësisht se në planin politik dy shtetet ballkanike shprehin një stad të kënaqshëm dhe nxitës për të qënë më dinamikë në shkëmbimet me interes reciprok, Gëzim Podgorica thotë se shoqatat e biznesit nga Shqipëria e Mali i Zi janë duke reflektuar për nevojën e zgjerimit të tregëtisë, eksport importeve dhe investimeve. Duke iu referuar një forumi biznesi mes dy vendeve, që është mbajtur ditët të fundit në Malin e Zi, ai thotë nuk është vetëm turizmi në axhendën e bashkëpunimit. Por dhe sektori i ndërtimit, industrisë ushqimore, ajo minerare, përpunimin i drurit etj. Për turizmin, sektorin kryesor ku dy vendet gjejnë mjaft hapësira kooperimi, ka dhe akorde konkrete tani në prag të sezonit veror, thotë Gëzim Podgorica për DW.

Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Gezim PodgoricaFotografi: DW

“Gjatë këtij sezoni turistik shumë turistë, që do vijnë nga Kroacia dhe kalojnë në Mal të Zi, të mos e kenë këtu stacionin e fundit, por të vazhdojnë drejt Shqipërisë. Vitin e kaluar ky numër ka qënë rreth 38.500. Mendohet që kjo shifër të rritet, pasi mundësitë janë shumë të mëdha. Duke patur parasysh se vitin e kaluar në territorin e Malit të Zi kanë kaluar rreth 1 milion e 200 mijë turistë dhe të ardhurat, siç raportohet zyrtarisht, janë rreth 550 milion euro, gjendet pra një rezervë shumë e rëndësishme për t'u inspiruar drejt bregdetit shqiptar, që është më i gjatë dhe ofron më shumë mundësi”.

Turistët shqiptarë në Mal të Zi zënë vendin e dytë pas rusëve

Nëse vija bregdetare e Malit të Zi është rreth 170 km, në Shqipëri kjo është dyfish më shumë. Por tendenca është që disa herë më shumë turistë nga Shqipëria shkojnë të pushojnë në Malin e Zi, sesa lëvizja e kundërt. Në bazë të statistikave të fundit shqiptarët përbëjnë 25 përqind të numrit të përgjithshëm të turistëve në Malin e Zi, duke zënë vendin e dytë, pas rusëve, që arrijnë në rreth 28 përqind.

Përpjekje për të ndërtuar një treg unik

Sadik Malaj, president i Unionit të Operatorëve Turistikë të Shqipërisë, shikon një lloj ndërthurrje në ofertën, që prezantojnë dy vendet. Në kontaktet, që në kemi zhvilluar me homologët tanë në Malin e Zi, kemi gjetur përparësitë, që ne i ofrojmë një turisti, që dëshiron të kalojë në të dy territoret tona, thotë Malaj për DW.

“Konkretisht, nëse ata kanë përparësi në turizmin e rërës e të detit, pra të plazheve dhe në një farë mënyre në infrastrukturë, ne kemi përparësi tek trashëgimia kulturore. Sepse kemi një infrastrukturë të trashëguar të qëndrave arkeologjike, të cilat janë në nivele botërore, si Butrinti, Apollonia, po kështu dhe trashëgimia e kalave të mesjetës, apo të mëhershme. Në një farë mënyre ky shkëmbim experience na ka dhënë përparësi të dy palëve, që ti menaxhojmë territoret tona si një treg unik”.

Sadik Malaj, president i Unionit të Operatorëve Turistikë të ShqipërisëFotografi: DW

Por nëse kërkojmë që itenerari turistik të zgjatet nga territori i Malit të Zi ne drejtim të Shqipërisë, për këtë duhen përmbushur dhe kërkesat e përmirësimit të infrastrukturës, thotë Malaj.

“Ne nuk mund ta kuptojmë mënyrën, se si e kanë lënë infrastrukturën hyrëse të pikave kufitare të Hanit të Hotit apo Murriqanit, pra rrugët lidhëse nga Podgorica në Hanin e Hotit, apo nga Tivari a Ulqini në Murriqan në atë gjëndje si rrugë jo të niveleve ndërkombëtare. Nuk mund të vijnë rreth 20 autobuza në ditë, që kalojnë aty nga maji deri në shtator me turistë njëditorë, që vijnë nga Mali i Zi”.

Mundësia e hapjes së një pike të re kufitare

E njëjta gjë vlen dhe për përmirësimin e infrastrukturës rrugore brenda territorit të Shqipërisë, ku ende punohet me ritme të ngadalta. Për operatorët turistikë nga të dy vendet është ngritur dhe problemi i hapjes së një pike të re kufitare, që lidh rajonin e Plavës në Malin e Zi me Çeremin në territorin e Shqipërisë. Për klimën malore dhe bukuritë natyrore në të gjithë stinët e vitit turistët nga vendet e rajonit apo më gjerë detyrohen të bëjnë një rrugë disa herë më të gjatë që rrit kostot e udhëtimit dhe të qëndrimit.

Shoqatat shqiptare dhe malazeze të operatorëve turistikë po përpiqen të ndërtojnë një treg unik mes tyre. Sadik Malaj thotë për DW se kjo “do të ishte më efektive, nëse e zgjerojmë kooperimin dhe me partnerë të këtij sektori në Maqedoni dhe Kosovë”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica