1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria dhe respektimi i të drejtave të njeriut

10 Dhjetor 2010

Dita Ndërkombëtare e të drejtave të Njeriut e gjen Shqipërinë me ligj të standardeve ndërkombëtare kundër diskriminimit. Zbatimi i tij sjell shpresa të mëdha për respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.
Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.Fotografi: picture alliance / dpa

Afërdita Treni nuk e di, që 10 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut përkujton çdo vit 10 dhjetorin e vitit 1948, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. Por ajo di që sot është dita për të kërkuar më me forcë të drejtën për të punuar. Pjesë e administratës publike kur e majta ishte në pushtet, vendi i saj i punës u shkurtua kur rotacioni solli në qeverisje të djathtën.

"Prej pesë vitesh nuk gëzoj të drejtën themelore të punës, një e drejtë që për mua ka mbetur në letër. Mua nuk më intereson fare se kush vjen dhe kush ikën nga pushteti. Kam punuar për shumë vite në administratën publike, jam eksperte në fushën e financave, me kualifikime brenda dhe jashtë vendit dhekush e dëgjon, që ende jam pa punë nuk e beson", thotë për programin shqip të DW, Afërdita Treni.

Situata e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri

Por Afërditën e beson Grupi Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ku ajo ka trokitur dhe ka kërkuar të drejtën e mohuar të punësimit. Kryetarja e këtij Grupi, Elsa Ballauri, thotë se kjo e drejtë është një nga të drejtat, që më shpesh se të tjerat nuk respektohen.

Elsa Ballauri, kryetarja e Grupit Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.Fotografi: DW

"Në Shqipëri, sipas të dhënave, që ka Grupi Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ka shumë shkelje të tyre. Individi ka probleme, që shpesh bëhen jetësore, si ajo e punës dhe e pronës. Sidomos kur është fjala për të drejtën e punës. Kjo e drejtë është e pranishme, në të gjitha ligjet e Shqipërisë, por jo gjithmonë zbatohet në praktikë. Kjo për shkak të pastrimeve në administratën publike kur ndodh rotacioni i pushtetit. Por edhe për shkak të të mungesës së politikave adekuate nga ana e qeverive që do të mund të zbusnin mungesën e punësimit. Aktualisht ka një politikë të paangazhuar si duhet me hallet e njerëzve, ka një shoqëri civile relativisht të dobët", thekson Elsa Ballauri.

Institucioni i Komisioneres për zbatimin e Ligjit kundër diskriminimit

Por ndërkohë ka ndodhur një zhvillim mjaft pozitiv, për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, të cilëve u shkelen të drejtat themelore: sivjet është miratuar ligji kundër diskriminimit. Për zbatimin e tij në praktikë, ka filluar nga puna edhe institucioni i komisioneres. Këtë detyrë e kryen Irma Baraku, me profesion juriste.

Irma Baraku, komisionere e Inspektoratit të Pavarur për monitorimin e implemtimit të ligjit kundër diskriminimit.Fotografi: DW

"Besoj se miratimi i këtij ligji është një hap shumë i rëndësishëm në rritjen e shkallës së mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut. Ai u krijon mundësi individëve të ndryshëm, t'i drejtohen një organi, që konsiderohet garant i mbrojtjes së të drejtave të tyre, në rast diskriminimi, jo vetëm ndaj veprimeve të padrejta të administratës publike, të shtetit por edhe të subjekteve private. Në institucionin tonë kanë mbërritur tani ankesat e para. Ato janë të llojeve të ndryshme. Por shumica e tyre kanë të bëjnë me mohimin e të drejtës së punësimit. Ligji kundër diskriminimit parashikon sanksione për këdo nga organizmat shtetërore apo private që nuk respektojnë të drejtën themelore të punësimit", thotë komisionerja për zbatimin e Ligjit kundër Diskriminimit, Irma Baraku.

Kombet e Bashkura pranë qytetarëve të Shqipërisë

Kombet e Bashkura, që hartuan para 62 vitesh Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, të nënshkruar edhe nga Shqipëria, po kontribuojnë që Ligji kundër Diskriminimit, të njihet nga qytetarët dhe të jetë baza e kundërshtimit të tyre, kur u shkelen të drejtat e tyre themelore.

Ermira Shkurti, menaxhere e projektit të PNUD-it, Programit përt Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, thotë lidhur me institucionin e Komisioneres për zbatimin e këtij ligji:

Ermira Shkurti, menaxhere e projektit të PNUD-it.Fotografi: DW

"PNUD-i e konsideron këtë një institucion shumë të rëndësishëm jo vetëm në kuadër të këtij ligji, por edhe të mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut në Shqipëri. Për këtë arsye PNUD-i ka organizuar disa aktivitete, për të rritur shkallën e njohjes së ligjit kundër diskriminimit, të detyrimeve që burojnë prej tij nga ana e nëpunësve civilë, nga ana e punonjësve të shtetit, qoftë në nivel qëndror, qoftë në nivel lokal."

Kombet e Bashkuara kontribojnë përmes këtij ndërgjegjësimi, që autoritetete Tiranës ta konsiderojnë prioritet zbatimin e legjislacionit që garanton të drejtat e njeriut.

"Ku fillojnë, në fund të fundit, të drejtat Universale të Njeriut? Në mjedise të vogla, pranë shtëpisë, kaq të vogla dhe kaq pranë sa nuk mund t'i shohësh në asnjë hartë të botës. Por këto mjedise përbëjnë botën e një individi: shkolla që ndjek, zyra, ndërmarrja apo ferma ku punon. Këto janë vendet ku çdo burrë, grua apo fëmijë kërkon drejtësi të barabartë, mundësira të barabarta, dinjitet të barabartë pa asnjë diskriminim", - iu drejtua Eleonor Roosevelt, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, më 10 Dhjetor 1948, Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ky përkufizim i të drejtave të njeriut mbetet tërësisht i vlefshëm edhe sot e kësaj dite. Ai vazhdon t'i bëjë apel qeverive, të zbatojnë legjislacionin, që garanton këto të drejta dhe strukturave të shoqërisë civile, për të ushtruar presion ndaj qeverive.

Autore: Ani Ruci

Redaktoi: Eliana Xhani