1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150 refugjatët e "Diciottit" lejohen të zbresin nga bordi

26 Gusht 2018

Italia kërcënon se do të ndalojë pagimin e kontributeve për BE-në, nëse shtetet anëtare nuk do ta ndihmojnë për shpërndarjen e refugjatëve. Shqipëria dhe Irlanda të gatshme të strehojnë refugjatë.

Diciotti junge Grflüchtete dürfen von Bord
Fotografi: Reuters/A. Parrinello

Pas kritikave ndërkombëtare dhe hapjes së hetimeve nga prokuroria e Agrixhentos ndaj ministrit të Brendshëm Matteo Salvini, ky dha urdhër që 150 refugjatët që vazhdonin të qëndronin në bordin e anijes  së rojes bregdetare italiane "Diciotti", të lejohen të zbresin nga bordi i anijes. 

Prokuroria po heton ndaj Matteo Salvinit nën akuzën e privimit të lirisë, mbajtjes së paligjshme në gjendje arresti dhe shpërdorimit të postit, meqë ky nuk i lejoi refugjatët e strehuar në anije që të zbrisnin në tokën italiane. 

Fotografi: Reuters/A. Parrinello

 

Anija e rojes bregdetare italiane "Diciotti" shpëtoi javën e kaluar 190 refugjatë, 13 prej tyre u dërguan menjëherë në spital. Qeveria italiane fillimisht i refuzoi anijes së rojës bregdetare që të ankoronte në portet italiane. Por më pas anija "Diciotti" u lejua të ankoronte në Catania. Të mërkurën (22.08.) Italia lejoi fillimisht 27 të mitur të pashoqëruar që të zbrisnin nga anija. Pas kësaj kjo ju lejua edhe 16 nga 150 refugjatëve të mbetur në anije. Për dy nga njëmbëdhjetë gratë dhe pesë burrat e këtoj grupi dyshohet se kanë tuberkuloz, njoftoi agjencia e lajmeve Ansa.

Shqipëria dhe Irlanda të gatshme të strehojnë refugjatë

Sipas një marrëveshje të arritur mes Kishës Katolike të Italisë dhe Shqipërisë dhe Irlandës, këto dy vende janë të gatshme të strehojnë një numër refugjatësh. Shqipëria është shprehur e gatshme të strehojë 20 syresh, Irlanda 20 deri 25.

Fotografi: picture alliance/AP Photo

UNHCR-ja kishte kërkuar në një deklaratë të botuar në Gjenevë që shtetet anëtare të Bashkimit Europian duhet t'u ofrojnë rreth 150 emigrantëve në bordin e anijes së rojes bregdetare italiane "Diciotti", mundësi "urgjente" strehimi. Komisioneri i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi e dënoi trajtimin e emigrantëve në "Diciotti" si "të rrezikshëm dhe imoral". Jeta e refugjatëve është në rrezik, "ndërsa shtetet po zhvillojnë një betejë politike për zgjidhje afatgjata", kritikoi ai.

Kërcënime nga Italia

Italia kërkon nga vendet e tjera të BE-së që t'i pranojnë refugjatët. Megjithatë, edhe pas një takimi të dhjetë vendeve të BE-së, që u zhvillua të premten (24.08.) në Bruksel nuk u arrit asnjë përparim në çështjen e refugjatëve.

Për këtë arsye Italia, e cila me rreth 20 miliardë euro, është kontribuesja e tretë më e madh në BE, pas Gjermanisë dhe Francës, ka kërcënuar se do të ndalojë pagimin e kontributeve në arkat e BE-së, nëse shtetet anëtare nuk do ta ndihmojnë për shpërndarjen e refugjatëve në vende të tjera. "Linja e butë nuk funksionon më, tani do të ndjekim linjën e fortë, nuk do të paguajmë fondet në qoftë se ata nuk dëgjojnë", tha zëvendëskryeministri Luigi Di Maio.

Italia, ku pjesëtare e qeverisë është edhe partia ksenofobike Lega, po ndjek që nga fillimi i detyrës së qeverisë së re në qershor, një vijë të ashpër në politikën e refugjatëve.